
SHBA dhe tre nga aleatët e saj, Japonia, Australia dhe Filipinet kanë njoftuar një stërvitje të përbashkët ushtarake në ujërat e diskutueshme të Detit të Kinës Jugore, duke rritur potencialisht tensionet me Pekinin.
Grupi i udhëhequr nga SHBA do të zhvillojë një “aktivitet bashkëpunimi detar”, i pari i tij në një seri stërvitjesh të përbashkëta, të dielën, sipas një deklarate të lëshuar nga shefat e mbrojtjes të katër vendeve.
Stërvitja detare njëditore do të përfshijë aktivitetet e komunikimit dhe manovrat e vëzhgimit në zonën ekskluzive ekonomike të Manilës (EEZ) në Detin e Kinës Jugore, u tha gazetarëve zëdhënësi i ministrisë së mbrojtjes të Filipineve, Arsenio Andolong.
Stërvitja do të përfshijë forcat detare dhe ajrore dhe do të organizohet në ujërat e pretenduara nga Kina dhe Filipinet.
“Këto aktivitete me aleatët tanë Australinë, Japoninë dhe Filipinet nënvizojnë angazhimin tonë të përbashkët për të garantuar që të gjitha vendet të jenë të lira të fluturojnë, lundrojnë dhe operojnë kudo që e lejon ligji ndërkombëtar. Operacionet tona së bashku mbështesin paqen dhe stabilitetin në zemër të vizionit tonë të përbashkët për një rajon të lirë dhe të hapur”, tha në deklaratë shefi i mbrojtjes së SHBA-së, Lloyd Austin.
Njoftimi vjen pasi ushtritë amerikane dhe kineze zhvilluan bisedime në Haëai në fillim të kësaj jave, takimi i tyre i parë i tillë që nga viti 2021, për të diskutuar masat e sigurisë për të shmangur incidentet e rrezikshme kur forcat e tyre veprojnë në afërsi.
Ministria kineze e Mbrojtjes theksoi se “kundërshton me vendosmëri çdo veprim që rrezikon sovranitetin e saj nën maskën e lirisë, lundrimit dhe fluturimit”.
Katër kombet kanë rikonfirmuar qëndrimin e tyre se Vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit të Detit të Kinës Jugore 2016 është përfundimtar dhe ligjërisht i detyrueshëm.
Aktiviteti detar zhvillohet disa ditë përpara një samiti midis liderëve të Japonisë, SHBA-së dhe Filipineve, i cili do të përfshijë një diskutim të incidenteve të fundit në Detin e Kinës Jugore.
Që nga marrja e pushtetit në vitin 2022, presidenti i Filipineve, Ferdinand Marcos Jr., ka ruajtur marrëdhënie më të afërta me SHBA-në dhe vendet e tjera perëndimore dhe ka miratuar një linjë të ashpër kundër asaj që ai e sheh si armiqësi kineze, duke u larguar nga qëndrimi pro-Pekinit të paraardhësit të tij. /Reuters
Lini një Përgjigje