TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Qershor 2026, 08:12

Telefonata që tronditi aleancën Trump–Netanyahu; akuza, zemërim dhe përplasje për Iranin

Shkruar nga Pamfleti
Telefonata që tronditi aleancën Trump–Netanyahu; akuza,
Netanyahu-Trump

Axios raportoi se Trump e qortoi ashpër Netanyahun për përshkallëzimin e veprimeve ushtarake kundër Hezbollahut, ndërsa burime pranë kryeministrit izraelit e mohojnë këtë version.

Një nga telefonatat më të tensionuara mes Donald Trump dhe Benjamin Netanyahut gjatë mandatit të dytë të presidentit amerikan ka shkaktuar debat në mediat amerikane dhe izraelite.

Gazetarët Barak Ravid dhe Marc Caputo të portalit Axios, të njohur për burimet e tyre në administratën amerikane dhe në qeverinë izraelite, raportuan se Trump ishte zemëruar me atë që ai e konsideronte një përshkallëzim të panevojshëm të veprimeve ushtarake kundër Hezbollahut. Sipas tyre, presidenti amerikan shqetësohej se këto veprime mund të dëmtonin negociatat me Iranin.

Sipas raportimit të Axios, Trump e kishte kritikuar ashpër Netanyahun, duke e akuzuar se po e izolonte gjithnjë e më shumë Izraelin në arenën ndërkombëtare dhe duke i kërkuar të kufizonte sulmet ndaj Bejrutit.

Dy burime të cituara nga Axios pretenduan se Trump i kujtoi kryeministrit izraelit mbështetjen që i kishte dhënë gjatë procesit gjyqësor për korrupsion. Njëri prej zyrtarëve amerikanë e përshkroi bisedën me këto fjalë:

“Je i çmendur. Do të ishe në burg po të mos isha unë. Po të shpëtoj. Tani të gjithë janë kundër teje. Të gjithë po e urrejnë Izraelin për këtë.”, u shpreh ai.

Sipas një burimi tjetër, Trump kishte reaguar me fjalët: “Çfarë po bën?”

Publikimi i artikullit shkaktoi reagime të menjëhershme. Mark Levin, komentator i Fox News dhe mbështetës i vijës së ashpër ndaj Iranit, deklaroi se Ravid duhej të shkarkohej për publikimin e informacionit, duke argumentuar se rrjedhja e tij mund të cenonte sigurinë kombëtare. Ai kërkoi gjithashtu që FBI-ja të hetonte burimet e gazetarit. Në rrjetet sociale nuk munguan as komentet ironike, ku disa sugjeruan se burimi i informacionit mund të kishte qenë vetë Trump.

Një ditë më vonë, gazetari izraelit Amit Segal publikoi një version tjetër të ngjarjes, duke cituar burime pranë Netanyahut. Ai pranoi se telefonata kishte qenë e tensionuar, por mohoi se kishte pasur fyerje, referenca për burgun apo pretendime se “bota e urren” kryeministrin izraelit.

Sipas Segalit, dy liderët sqaruan një keqkuptim. Trump kishte krijuar përshtypjen se Netanyahu synonte vazhdimin e luftës me intensitet të lartë, ndërsa Netanyahu besonte se presidenti amerikan kërkonte një armëpushim të plotë. Në fund të bisedës, ata ranë dakord që Izraeli të shmangte goditjet ndaj Bejrutit për sa kohë territori izraelit nuk sulmohej drejtpërdrejt. Operacionet ushtarake në jug të Libanit, sipas këtij versioni, do të vazhdonin.

Pas publikimit të deklaratave të Segalit, Levin akuzoi disa zyrtarë amerikanë se kishin fabrikuar historinë dhe kishin furnizuar Axios-in me informacione të pasakta.

Kjo nuk është hera e parë që Netanyahu teston durimin e Trumpit. Mes tyre kanë pasur edhe më parë biseda të vështira. Në fakt, Trump nuk është i vetmi president amerikan që ka pasur marrëdhënie të ndërlikuara me kryeministrin izraelit. Ish-negociatori amerikan i paqes, Aaron David Miller, kujtoi së fundmi se edhe Bill Clinton ishte larguar i irrituar nga takimi i tij i parë me Netanyahun në vitin 1996.

Edhe brenda rrethit të ngushtë të Trumpit ka zyrtarë që shprehin rezerva ndaj politikave të Netanyahut. Në korrik 2025, pas sulmeve izraelite në Siri dhe goditjes së një kishe në Gaza, disa zyrtarë amerikanë i thanë Axios-it:

“Bibi po sillet si i çmendur. Bombardon gjithçka. Çdo ditë ndodh diçka e re. Kjo mund të dëmtojë atë që Trump po përpiqet të arrijë.”, tha ai.

Megjithatë, pak analistë besojnë se mund të ketë një përçarje reale mes dy aleatëve për çështjen iraniane. Disa prej tyre vlerësojnë se këto rrjedhje informacioni mund të jenë të qëllimshme, pasi e paraqesin Trumpin si një lider të vendosur përpara bazës së tij elektorale, ndërsa njëkohësisht qetësojnë tregjet pa sjellë ndryshime konkrete në terren.

Netanyahu rezultoi i saktë kur llogariti se Trump do të mbështeste në fund operacionin ushtarak kundër Iranit, i cili u planifikua dhe u realizua në bashkëpunim të ngushtë mes dy vendeve. Megjithatë, dallimet në interesa janë bërë të dukshme.

Një prej tyre u shfaq kur Izraeli goditi 30 depo karburanti në Iran në muajin mars.

“Presidentit nuk i pëlqen kjo. Ai dëshiron të ruajë infrastrukturën energjetike, jo ta shkatërrojë atë. Për më tepër, veprime të tilla rikthejnë shqetësimet për rritjen e çmimeve të karburanteve,” i tha Axios-it një këshilltar i Trumpit.

Ndërkohë, Netanyahu duket se është lënë pjesërisht jashtë negociatave mes Uashingtonit dhe Teheranit. Ekziston një shqetësim real, madje edhe në mesin e republikanëve më të ashpër, se Trump mund të arrijë një marrëveshje me Iranin që Izraeli nuk e mbështet.

Një tjetër telefonatë e vështirë mes dy liderëve u zhvillua më 19 maj, kur Netanyahu mësoi se Irani kërkonte përfshirjen e një armëpushimi në Liban në memorandumin e mirëkuptimit që po diskutohej.

Netanyahu mbetet skeptik ndaj negociatave dhe preferon rikthimin e presionit ushtarak, madje, nëse do të ishte e mundur, edhe ndryshimin e regjimit në Iran. Trump, nga ana e tij, synon një marrëveshje që do ta detyronte Iranin të hiqte dorë nga programi i tij bërthamor.

Pyetja që mbetet ende pa përgjigje është se si do të veprojë presidenti amerikan nëse Teherani refuzon të bëjë lëshime./Përshtatur nga "Corriere della Serra"

 

trump netanyahu telefonata irani

2 Komente

  1. H
    Hari

    Qe izraelin e urren gjithe bota,kjo eshte me SE e dukshme besoj,por Tani Po urren edhe ameriken!trampi e katandisi ameriken vegel te izraelit dhe kjo nuk do te ngelet pa pergjigje,te Jeni te sigurte per kete,prisni dhe do shikoni!

    1. L
      Lira

      Kur ZOTI te hap syte eshte fat I madh????

      Lini një Përgjigje