TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota24 Janar 2024, 15:05

Të tregojë muskujt apo një luftë të madhe, çfarë synon realisht Irani?

Shkruar nga Andrew England & Najmeh Bozorgmehr

 Të tregojë muskujt apo një luftë të madhe,

Një raport i dhjetorit të vitit të kaluar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, thotë se Teherani e ka rritur shkallën e tij të prodhimit të uraniumit të pasuruar deri në masën 60 për qind, pra shumë pranë shkallës së prodhimit të armës...

Shenja e parë që Irani ndjeu nevojën për të treguar më drejtpërdrejt muskujt e tij, pas muajsh tensioni dhe armiqësie në mbarë Lindjen e Mesme, u shfaq më 11 janar kur forcat e tij detare u lëshuan nga një helikopter për të vënën nën kontroll një cisternë nafte që lundronte pranë brigjeve të Omanit.
Pak ditë më vonë, ishte radha e Gardës Revolucionare që të tregonte shkurtimisht aftësitë e saj ushtarake. Trupat ushtarake ndriçuan qiellin e natës mbi Erbil në Irakun Verior, kur lëshuan një breshëri me raketa balistike ndaj asaj që Irani e cilësoi si “qendër spiunazhi” të Izraelit.
Administrata e Joe Biden e dënoi sulmin - që thuhet se tronditi konsullatën amerikane aty pranë - duke e konsideruar atë një lëvizje “të pamatur”. Megjithatë në Teheran, këto veprime u interpretuan si pjesë e përgjigjes së kalibruar të Republikës Islamike ndaj sulmit më shumë se 100-ditor të ushtrisë së Izraelit në Gaza.
Ajo shfaqje force, synonte të dërgonte një mesazh paralajmërues për SHBA-në, Izraelin dhe fuqitë e tjera rajonale, edhe pse ndodhi larg vijës së parë të luftës Izrael-Hamas. “Seria e sulmeve është padyshim e lidhura me luftën në Gaza. Ato janë shfaqje force nga Irani, si fuqia e vetme dhe udhëheqëse ushtarake që është rreshtuar kundër Izraelit”- thotë Saeed Laylaz, një analist i Iranit.
Sulmet ishin të parat që Irani ka kryer drejtpërdrejt me ushtrinë e tij që nga sulmi i Hamasit më 7 tetor 2023, që shkaktoi më pas edhe luftën në shkallë të gjerë me Izraelin, duke tronditur gjithë Lindjen e Mesme. Që në fillim, në Izrael, nga aleatët e tij në Perëndim, por edhe midis shteteve arabe, ishte prezent shqetësimi se si do të reagonte Irani dhe grupimet e shumta të armatosura që e mbështesin.
Ditë pas sulmit të Hamasit, presidenti amerikan Joe Biden e paralajmëroi Iranin “të tregohet i kujdesshëm”, përpara se të dërgonte në rajon dy njësi ajrore sulmuese si një pengesë për përshkallëzimin e situatës. Në muajt që pasuan, liderët e Iranit e kanë dënuar sjelljen e Izraelit, dhe kanë shprehur mbështetje për Hamasin.
Megjithatë Teherani e deklaroi publikisht dëshirën e tij për të shmangur një konflikt rajonal, dhe deri më sot i ka mbajtur jashtë luftës forcat e tij të armatosura. Regjimi ishte i kënaqur me veprimet e të ashtuquajturit Boshti i Rezistencës, që përmban grupe militante në Liban, Siri, Irak dhe Jemen, të cilët kryen sulme me raketa dhe dronë kundër Izraelit, forcave amerikane në rajon dhe anijeve tregtare.
Por një seri veprimesh armiqësore gjatë 3 javëve të fundit, të drejtuara ndaj iranianëve, si
dhe ndaj udhëheqësve më të lartë të milicive të saj, duket se e kanë detyruar Iranin që të ndryshojë qasje. I pari ishte një sulm ajror izraelit në Siri, që vrau një komandant të lartë të Gardës Revolucionare në fund të dhjetorit.
Më pas një sulm tjetër eliminoi nr.2 të Hamasit, ndërsa më 3 janar, 2 kamikazët vranë pothuajse 100 iranianë që ishin mbledhur në qytetin jugor Kerman në përvjetorin e vrasjes nga SHBA-ja të Qassem Soleimani, komandantit më të fuqishëm të republikës. Më pas, një sulm i SHBA-së në Bagdad vrau një komandant të lartë të një milicie irakiane të mbështetur nga Irani, duke i dhënë një goditje tjetër Boshtit të Rezistencës.
Pikërisht në atë moment Irani nisi të godiste drejtpërdrejt. Garda e cilësoi sulmin e saj në Erbil si një përgjigje ndaj “mizorive të fundit të regjimit sionist”, si dhe vrasjes së komandantëve të gardës dhe të Boshtit të Rezistencës.
Irani lëshoi njëkohësisht raketa kundër objektivave të ISIS-it në Siri, si hakmarrje për sulmet vetëvrasëse në Kerman. Ndërsa më 16 janar, ndërmori një sulm të rrallë në Pakistan, duke shenjestruar Jaish Ul-Adl, një tjetër grup militant sunit. Islamabadi u kundërpërgjigj me sulme raketore kundër separatistëve pakistanezë në Iran.
Një zyrtar iranian thotë se sulmet e Iranit nuk përfaqësojnë një ndryshim strategjie, por një ndryshim të taktikës, për ta ndërgjegjësuar SHBA-në dhe Izraelin mbi kërcënimet për sa
kohë që vazhdon lufta në Gaza. “Sulmet në Pakistan dhe Irak, u dërgojnë një mesazh të drejtpërdrejtë izraelitëve dhe amerikanëve: Mos u ngatërroni me Iranin, dhe jepini fund luftës në Gaza. Irani nuk dëshiron një luftë të drejtpërdrejtë me Izraelin dhe SHBA-në. Por ne duam t’u tregojmë atyre se sa të egër mund të jemi”- theksoi zyrtari.
Kjo strategji nuk është pa rrezik, thekson ai, por forcat e vijës së ashpër brenda Iranit besojnë se dëmi mund të jetë i kontrollueshëm. “Nga perspektiva e tyre, një angazhim i kufizuar dhe i kalibruar i Iranit, mund t’u japë mesazh milicive të tij se ne i mbështesim edhe në kohë të vështira”- vijon më tej ai.
Që nga lufta shkatërruese e viteve 1980 kundër Irakut, regjimi islamik ka shndërruar milicitë e mbështetura prej tij dhe luftën asimetrike si një pjesë integrale të strategjisë së tij të sigurisë kombëtare, duke e ditur se i mungojnë armët konvencionale për t’u krahasuar me forcën e SHBA-së apo Izraelit.
Rrjeti i milicive, që nisi me themelimin e Hezbollahut në vitet 1980, është zgjeruar gjatë 2 dekadave të fundit, që kur pushtimi i Irakut i udhëhequr nga SHBA në vitin 2003 dhe trazirat e shkaktuara nga kryengritjet arabe të vitit 2011, e ndryshuan dinamikën e rajonit.
Të bashkuar nga një ideologji anti-SHBA dhe anti-Izraeli, ky grupim ka arritur të vendosë fraksione të fuqishme shiite në Irak; të infiltrohen tek milicitë në Siri, ku Irani ndërhyri për të mbështetur regjimin e Asadit në konfliktin civil të atij vendi; Hamasi; dhe tek rebelët Houthi në Jemen, që kanë zhvilluar një luftë 9-vjeçare kundër një koalicioni arab të udhëhequr nga Arabia Saudite, rivali kryesor rajonal i Iranit.
Secila prek milicive është përgjigjur ushtarakisht ndaj ofensivës së Izraelit në Gaza. Hezbollahu është angazhuar në përleshje të përditshme ndërkufitare me Izraelin. Huthi ka kryer më shumë se 30 sulme kundër anijeve tregtare në Detin e Kuq, por edhe ka sulmuar me dronë dhe raketa portin izraelit Eilat.
Ndërkohë militantët irakianë kanë lëshuar më shumë se 140 raketa dhe dronë kundër forcave amerikane në Irak dhe Siri. Publikisht, Teherani këmbëngul se militantët po veprojnë në mënyrë të pavarur. Por duke hapur shumë fronte, veprimet e tyre i kanë dhënë mundësi udhëheqësve iranianë të zgjerojnë ndikimin dhe godasin Izraelit, duke e distancuar vetë republikën islamike nga luftimet e drejtpërdrejta, dhe duke reduktuar rreziqet që ajo të përfshihet në një konflikt më të gjerë.
Por grupet brenda Boshtit të Rezistencës nuk janë homogjene dhe secila ka axhendën e vet kombëtare. Lidhjet më të forta me Teheranin i ka Hezbollahu dhe udhëheqësit e fraksioneve shiite irakiane. Hamasi është një lëvizje islamike sunite, ndërsa Huthit, anëtarë të sektit shiit Zajdi, janë më pak të lidhur ideologjikisht me Iranin sesa grupet e tjera.
Dhe ndryshe nga sa thonë liderët iranian, sulmet kundër komandantëve të Gardës, Hezbollahut dhe milicisë irakiane, kanë dobësuar aftësitë operacionale të Iranit për përhapjen e ndikimit në rajon përmes Boshtit. Por nga ana tjetër ekziston shqetësimi se Teherani do t’i kthehet synimit të prodhimit të armës bërthamore për të rritur presionet ndaj SHBA-së.
Një raport i dhjetorit të vitit të kaluar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike, thotë se Teherani e ka rritur shkallën e tij të prodhimit të uraniumit të pasuruar deri në masën 60 për qind, pra shumë pranë shkallës së prodhimit të armës.
Por asnjëra nga palët nuk e dëshiron përshkallëzimin e përplasjes ushtarake. SHBA dhe Irani po mbështeten tek palët ndërmjetëse si Katari në përpjekje për të parandaluar atë skenar. Sanam Vakil, drejtor i programit për Lindjen e Mesme në think-tankun “Chatham House”|, beson se regjimi do të vazhdojë të jetë i përmbajtur për shkak të synimi të tij përfundimtar: vetë-ruajtjes.
Megjithatë, ka shumë pikëpyetje mbi atë që mund të ndodhë me llogaritjet në Teheran, nëse shpërthen një luftë në shkallë të plotë midis Izraelit dhe Hezbollahut, milicia mbështetëse ku ai ka investuar më shumë dhe që disa e shohin si të domosdoshëm për mbrojtësin e tij. “Hezbollahu nuk është Hamasi. Hezbollahu është Republika Islamike e Iranit”- thotë zyrtari iranian./ Përshtati Pamfleti nga “Financial Times”

irani lufta e madhe të tregojë muskujt

Lini një Përgjigje