TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 9 Qershor 2025, 08:40

Tarifat nga Trump, SHBA-ja dhe Kina takohen për bisedime tregtare në Londër

Shkruar nga Pamfleti
Tarifat nga Trump, SHBA-ja dhe Kina takohen për bisedime tregtare në
Trump dhe Xi Jinping

Një raund i ri bisedimesh që synojnë zgjidhjen e një lufte tregtare midis SHBA-së dhe Kinës është planifikuar të zhvillohet në Londër të hënën.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi të premten se një delegacion i lartë amerikan do të takohet me përfaqësuesit kinezë. Gjatë fundjavës, Pekini konfirmoi se zëvendëskryeministri He Lifeng do të marrë pjesë në bisedime.

Njoftimet erdhën pasi Trump dhe udhëheqësi i Kinës, Xi Jinping patën një bisedë telefonike javën e kaluar, të cilën presidenti amerikan e përshkroi si një “bisedë shumë të mirë”.

Muajin e kaluar, dy ekonomitë më të mëdha në botë ranë dakord për një armëpushim të përkohshëm për të ulur taksat e importit për mallrat që tregtohen midis tyre, por që atëherë të dy vendet e kanë akuzuar njëri-tjetrin për shkelje të marrëveshjes.

Duke shkruar në platformën e tij Truth Social të premten, Trump tha se Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, Sekretari i Tregtisë Howard Lutnick dhe Përfaqësuesi i Tregtisë Jamieson Greer do të takohen me zyrtarë kinezë në Londër të hënën.

Të shtunën, ministria e jashtme e Kinës tha se zëvendëskryeministri He do të ishte në Mbretërinë e Bashkuar midis 8 dhe 13 qershorit dhe se do të zhvillohej një takim i “mekanizmit ekonomik dhe tregtar Kinë-SHBA”.

Raundi i ri i negociatave erdhi pasi Trump tha se biseda e tij telefonike me Xi të enjten u përqendrua kryesisht në tregti dhe “kishte rezultuar në një përfundim shumë pozitiv për të dy vendet”.

Sipas agjencisë shtetërore kineze të lajmeve Xinhua, Xi i tha Trump se SHBA-të duhet të “tërheqin masat negative që kanë marrë kundër Kinës”.

Kjo ishte hera e parë që dy udhëheqësit kishin folur që kur shpërtheu lufta tregtare në shkurt.

Kur Trump njoftoi tarifa gjithëpërfshirëse mbi importet për një numër vendesh në fillim të këtij viti, Kina u godit më rëndë. Pekini u përgjigj me tarifat e veta më të larta mbi importet amerikane, dhe kjo shkaktoi rritje të taksave që arritën kulmin në 145%.

Në maj, bisedimet e mbajtura në Zvicër çuan në një armëpushim të përkohshëm që Trump e quajti një “rivendosje totale”.

Ai i uli tarifat amerikane mbi produktet kineze në 30%, ndërsa Pekini i uli taksat mbi importet amerikane në 10% dhe premtoi të heqë barrierat mbi eksportet e mineraleve kritike.

Marrëveshja u dha të dyja palëve një afat prej 90 ditësh për të arritur një marrëveshje tregtare.

Të dhënat e fundit të publikuara nga Bejing të hënën treguan se eksportet e Kinës në maj ishin më të ulëta nga sa prisnin analistët, pavarësisht armëpushimit.

Eksportet e Kinës në dollarë u rritën me 4.8% krahasuar me të njëjtën kohë të vitit të kaluar.

Në të njëjtën kohë, importet ranë me 3.4%, që ishte shumë më keq se rënia prej 0.9% e parashikuar.

Por që atëherë, marrëdhëniet duket se janë përkeqësuar. Muajin e kaluar, Trump tha se Kina e kishte “shkelur plotësisht marrëveshjen e saj me ne”, dhe disa ditë më vonë Kina tha se SHBA-të e kishin “shkelur rëndë” marrëveshjen.

donald trump xi jinping

Lini një Përgjigje