TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Mars 2023, 13:08

Tapete të kuq, flamuj të mëdhenj, heshtje dhe një kontratë (të panënshkruar): çfarë mbetet nga samiti midis Xi dhe Putin

Shkruar nga Guido Santeveccchi
Tapete të kuq, flamuj të mëdhenj, heshtje dhe një
Xi Jinping dhe Vladimir Putin

Përshëndetja e fundit nga Xi Jinping për mikun e tij Vladimir Putin: “Po përjetojmë ndryshime që nuk kanë ndodhur në njëqind vjet. Kur jemi bashkë, ne i udhëheqim këto ndryshime”. Përgjigja e Putinit ishte lapidare: “Jam dakord!”

Kishte tre çështje në tryezën e Samitit të Kremlinit:

marrëdhëniet dypalëshe Kinë-Rusi; lufta në Ukrainë;

dhe konfrontimi mes dy fuqive të Lindjes dhe "Perëndimit kolektiv", siç e përkufizojnë rusët dhe kinezët, të alarmuar nga fronti i bashkuar i përbërë nga Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe aleatët e Paqësorit si Japonia, Koreja e Jugut dhe Australisë.

Pra, çfarë doli nga ky raund shumë i bujshëm i negociatave Moskë-Pekin?

1. "Urdhri i betejës"

Në fjalinë e fshehtë të Xi për ndryshimet që nuk janë parë në njëqind vjet, politologët në Uashington lexuan menjëherë një urdhër beteje: Kina dhe Rusia janë bërë së bashku për të përmbysur rendin botëror të udhëhequr nga Perëndimi.

Dihet mirë se është pikërisht sfida ndaj Perëndimit që po e shtyn Moskën gjithnjë e më pranë Pekinit. Megjithatë, Putini me aventurizmin e tij dëshiron të shkatërrojë dhe përmbysë; Xi, i cili ka shumë më tepër për të humbur (lidhjet ekonomike me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën) është më i kujdesshëm.

2. Ukraina "mungon"…

Xi Jinping pothuajse nuk e përmendi Ukrainën, të paktën në mikrofonë të hapur dhe në komunikatat e delegacionit të tij. Punët e ‘pista’ ia la Carit. Xi vetëm vuri në dukje se Kina mban një "pozicion të paanshëm". Misioni i tij në Moskë erdhi pas prezantimit më 24 shkurt të “12 pikave kineze për zgjidhjen e krizës”, tashmë të famshme, të cilat sipas Shteteve të Bashkuara janë një kurth për Ukrainën dhe Perëndimin. Prandaj, Xi ka një objektiv të parë: ai dëshiron të luajë paqebërësin neutral. Detyra për të folur publikisht për "krizën akute" gjatë samitit i takoi mikut të tij luftëtar: Putinit, i cili shpalli se "shumë nga propozimet në planin e paqes kineze janë në përputhje me qasjen ruse dhe mund të merren si bazë për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, kur Perëndimi dhe Kievi të jenë gati”.

3. Biseda (së shpejti) midis Xi dhe Zelensky

Për të luajtur rolin e tij paqebërës, Xi tani është i detyruar të zhvillojë bisedime me Volodymyr Zelensky. Ai nuk ka folur me të që kur rusët nisën agresionin, të cilin kinezët refuzojnë ta quajnë pushtim. Kanë qarkulluar thashetheme për një takim virtual të afërt, një video-konferencë mes Pekinit dhe Kievit. Ukrainasit e kanë komentuar me frazën se Zelensky dëshiron të dijë çfarë nënkupton thirrja për sovranitet dhe integritet territorial që bie në sy në pikën 1 nga 12 idetë kineze për një zgjidhje paqësore.

Në dokumentin kinez të 24 shkurtit nuk ka asnjë referencë për pushtimin rus të provincave lindore të Ukrainës. Pika 3 thërret "ndërprerjen e armiqësive". Pika 4 "rifillimi i bisedimeve të paqes". Ukrainasit nuk i besojnë atij dhe Shtëpia e Bardhë mendon se duke kërkuar një armëpushim në këtë situatë në terren "tregon se Pekini mbështet Moskën dhe dëshiron ratifikimin e pushtimeve territoriale ruse".

Dokumenti kinez në fakt nuk përmend tërheqjen e ushtrisë ruse nga pushtimi i Ukrainës. Pas tre ditësh në Kremlin, "neutrali" Xi Jinping duhet të pranojë të paktën një video-telefonatë me Kievin.

4. Por çfarë kupton Xi me "integritetin territorial" të Ukrainës?

4) Xi do të marrë (pranojë) një rrezik kur të flasë me Zelensky. Edhe lideri ukrainas do të duhet të jetë i kujdesshëm: ai nuk mund të irritojë Kinën për të mos rrezikuar ta shtyjë atë në rritjen e mbështetjes për rusët; dhe duhet ta mbajë të lidhur në frontin e rindërtimit të pasluftës, i cili do të kushtojë jashtëzakonisht shumë. Shtetet e Bashkuara paralajmërojnë kundër "bllofit" të Xi që mbështet shokun Putin. Megjithatë, në përgjithësi, 12 pikat kineze janë deri tani e vetmja përpjekje pak a shumë e artikuluar për të ndalur luftën.

Perëndimorët dhe ukrainasit duhet të bëjnë presion ndaj Xi për të dalë nga paqartësia, për të sqaruar se çfarë është integriteti territorial. Të zgjedhësh mes mantelit të paqebërësit dhe maskës së krahut.

5. Kontrata vendimtare që Xi nuk e nënshkroi…

Në frontin e marrëdhënieve ekonomike, Putin vlerësoi paktin tregtar të çelikut, gati 200 miliardë shkëmbim tregtar që pritet në 2023 (por ende vetëm një e shtata e tregtisë së Kinës me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Evropian).

Putin ftoi industritë kineze të zënë vendin e kompanive perëndimore në Rusi. Duke pasur parasysh sanksionet, Putini nuk ka zgjidhje tjetër. Ai gjithashtu njoftoi se "Fuqia e Siberisë 2" do të sjellë 50 miliardë metra kub gaz në Kinë në vit: "Ne kemi rënë dakord për parametrat," tha Cari. Ende nuk ka nënshkrim të kontratës për gazsjellësin, i cili pritet të hyjë në punë në vitin 2030, e Xi nuk e ka përmendur akoma këtë.

Mega-projekti është diskutuar prej vitesh, me "Fuqia e Siberisë 2", totali i gazit siberian i pompuar në Kinë në vitin 2030 do të rritet në 98 miliardë metra kub në vit, plus 100 milionë gaz të lëngshëm që do të eksportohen. Por kjo deri tani është vetëm fjalë, madje as në letra, pasi Xi po e mban kontratën si një nxitje për Putinin nëse dhe kur duhet të fillojnë negociatat reale me Ukrainën dhe Perëndimin.

6. Tavolina më e shkurtër, tapeti më i gjatë, flamujt më të mëdhenj

Tre ditët e samitit mund të mos i kenë ndryshuar gjërat për njëqind vjet, siç do të dëshironte Xi. Tryeza më e shkurtër në diplomaci mbetet në Kremlin: 50 centimetra në secilën anë për të paraqitur dy liderët që janë miqtë më të mirë krah për krah; qindra metra tapet i kuq për të nderuar perandorin kinez; dy flamuj shumë të mëdhenj të Federatës Ruse dhe Republikës Popullore të Kinës të ekspozuar në sallën e Shën Gjergjit. Por shpresa është se të gjitha materialet që punonjësit e Pallatit do të duhet të heqin tani, do të ketë një rast tjetër për t’i rivënë. Pra që Kinë-Rusi të kthehet në një pol politik antiperëndim jo vetëm me raste, por ‘full time’./ Përshtati në shqip: Pamfleti

 

xi jinping vladimir putin samiti rusia kina

Lini një Përgjigje