TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota19 Gusht 2025, 09:31

Takimi i Zelenskyt me Trump, katër pikat kryesore të diskutimeve në Shtëpinë e Bardhë

Shkruar nga Pamfleti

Takimi i Zelenskyt me Trump, katër pikat kryesore të diskutimeve

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u rikthye të hënën në Shtëpinë e Bardhë për t’u takuar me Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, në kuadër të përpjekjeve të reja për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Disa liderë evropianë udhëtuan gjithashtu drejt Uashingtonit për të marrë pjesë në takim, pak ditë pasi Trump zhvilloi një samit në Alaskë me Presidentin rus Vladimir Putin, i cili nuk arriti të prodhojë një armëpushim.

Megjithë tonet optimiste nga Trump dhe vlerësimet më të rezervuara të partnerëve evropianë, deri në mbrëmjen e së hënës nuk pati angazhime konkrete mbi garancitë e sigurisë apo hapa drejt një marrëveshjeje paqeje.

Ja disa nga pikat kryesore nga bisedimet në Shtëpinë e Bardhë:

1. Një takim Putin–Zelensky në horizont?

Pas samitit, Trump publikoi në rrjetin Truth Social se kishte telefonuar Putinin për të nisur përgatitjet për një takim mes tij dhe Zelenskyt.

Ai tha se pas një takimi dypalësh, në një vend që ende nuk është përcaktuar, do të zhvillohej edhe një trilateral ku do të merrte pjesë edhe vetë Presidenti amerikan.

Një këshilltar i Putinit njoftoi se të hënën Trump dhe Putin folën për 40 minuta në telefon.

Pak para se liderët evropianë të uleshin me Trump në East Room të Shtëpisë së Bardhë, një mikrofon i hapur regjistroi një bisedë mes Presidentit amerikan dhe homologut francez Emmanuel Macron.

“Mendoj se ai do të bëjë një marrëveshje. Mendoj se do ta bëjë për mua. E kupton? Sado e çuditshme të tingëllojë,” i tha Trump Macronit, duke iu referuar Putinit.

Ende mbetet për t’u parë sa e lehtë do të jetë të ulen në një tryezë negociatash dy armiq të përbetuar për herë të parë që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt 2022.

Prej muajsh Zelensky ka kërkuar të takojë Putinin, ndonëse kjo është parë edhe si një mënyrë për të treguar se Rusia nuk ka qenë serioze në drejtim të paqes. Deri tani, Moska e ka refuzuar vazhdimisht idenë e një takimi Putin–Zelensky.

Një deklaratë jo-angazhuese e këshilltarit të Kremlinit, Yuri Ushakov, të hënën mbrëma, e quajti “të vlefshme” që të shqyrtohet mundësia e ngritjes në nivel më të lartë të delegacioneve ruse dhe ukrainase në negociata.

2. Evropianët kundërshtojnë Trumpin ndërsa ai tërhiqet nga armëpushimi

Trump dha përshtypjen se nuk e sheh të domosdoshëm një armëpushim para se të nisin negociatat për t’i dhënë fund luftës.

Historikisht, ky ka qenë një nga kushtet kryesore të Ukrainës, e cila e sheh ndalimin e luftimeve si parakusht për çdo bisedim të mëtejshëm me Rusinë. Një armëpushim shihet gjithashtu më i arritshëm sesa një marrëveshje e plotë paqeje që do të kërkonte muaj të tërë negociatash.

“Nuk e di nëse është i nevojshëm,” tha Trump për armëpushimin.

Por liderët evropianë kundërshtuan hapur, me reagimin më të fortë nga kancelari gjerman Friedrich Merz.

“Nuk mund ta imagjinoj që takimi i ardhshëm të zhvillohet pa një armëpushim,” tha Merz. “Prandaj le të punojmë për këtë dhe të përpiqemi të ushtrojmë presion ndaj Rusisë”, shtoi ai.

Kur mori fjalën, Zelensky nuk përsëriti thirrjet e mëparshme për një armëpushim.

3. Trump sinjalizon garanci sigurie

Trump i tha Zelenskyt se SHBA do të ndihmojnë në garantimin e sigurisë së Ukrainës në çdo marrëveshje për t’i dhënë fund luftës, por pa specifikuar detaje.

Presidenti amerikan nuk premtoi trupa amerikane në terren, por nuk e përjashtoi as këtë mundësi kur u pyet nga gazetarët. Ai tha se Evropa është “linja e parë e mbrojtjes”, por shtoi: “Edhe ne do të jemi të përfshirë. Do t’u japim mbrojtje të mirë.”

Trump gjithashtu deklaroi se gjatë samitit të Alaskës, Putin kishte pranuar idenë që garancitë e sigurisë për Ukrainën të jenë pjesë e çdo marrëveshjeje paqeje.

Në një konferencë për shtyp pas takimeve të së hënës, Zelensky tha se pjesë e garancive të sigurisë do të përfshinte një marrëveshje armësh me SHBA në vlerën e 90 miliardë dollarëve. Sipas tij, kjo do të përfshinte sisteme ajrore, sisteme kundërraketore dhe armë të tjera që nuk i ka Ukraina.

Zelensky shtoi gjithashtu se SHBA do të blinte dronë ukrainas, gjë që do të ndihmonte prodhimin vendas të tyre. Ai deklaroi se garancitë e sigurisë për Kievin mund të finalizohen brenda 10 ditësh.

4. Zelensky në ofensivë diplomatike

Pas vizitës së fundit në Shkurt, kur pati tensione në Zyrën Ovale, Zelensky këtë herë përdori një qasje më miqësore ndaj pritësve amerikanë. Ai nisi takimin me gjashtë “faleminderit” radhazi brenda minutave të para.

Vizita e kaluar ishte e tensionuar pasi zv. Presidenti JD Vance e kishte kritikuar për mungesë mirënjohjeje ndaj ndihmës amerikane.

Këtë herë, Zelensky zgjodhi të shfaqej me një kostum të errët, ndryshe nga veshja e tij ushtarake tradicionale, që herën e kaluar u komentua me ironi nga Trump si “i veshur me kostum sot”.

Presidenti ukrainas gjithashtu kërkoi të forcojë lidhjet personale, duke i dorëzuar Trump një letër nga Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska, për Zonjën e Parë të SHBA-ve, Melania Trump. “Nuk është për ju, është për gruan tuaj,” i tha ai Trumpit.

Edhe liderët evropianë shtuan notat e mirënjohjes ndaj Trump para takimit multilateral, duke e falënderuar për rolin e tij në mbledhjen e tyre në tryezë.

“Dua t’ju falënderoj vërtet për udhëheqjen tuaj”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se, ndonëse më parë nuk kishte shenja që Rusia donte të afrohej me paqen, “diçka kishte ndryshuar” falë Trump.

Megjithë tonet e ngrohta, evropianët u përpoqën të nënvizojnë se edhe ata ndihen të ekspozuar ndaj çdo agresioni të ardhshëm rus.

“Kur flasim për garanci sigurie, flasim edhe për sigurinë e kontinentit evropian”, tha Macron me tone serioze.

Lini një Përgjigje