Ka të tjerë që mendojnë se kjo sjellje, është një marifet shumë finok i tij për të shpëtuar nga imazhi i një kryeministri që po rrëshqet drejt një fundi të palavdishëm.
E gjithë Spanja është duke diskutuar këto ditë, mbi kuptimin e “letrës drejtuar qytetarëve”, të cilën kryeministri socialist Pedro Sánchez e publikoi të mërkurën në mbrëmje përmes një postimi në llogarinë e tij platformën X.
Kjo në pritje të 29 prillit, ditën kur kreu i qeverisë do ta deklarojë nëse beson ia vlen ende të vazhdojë drejtojë vendin, në kushtet kur një gjykatës ka nisur një hetim kryesisht ndaj bashkëshortes së tij, Begoña Gómez, për trafik influence dhe korrupsion.
Hipotezat që janë hedhur janë të shumta dhe ndonjëherë ato i mbivendosen njëra-tjetrës. Më pak e pranuar, është ajo sipas së cilës kryeministri e di se nga hetimi mund të dalë diçka e madhe. Ato qarkullojnë midis mediave serioze por edhe ato më armiqësore ndaj Sanchez, të cilët e cilësojnë si të papërgjegjshme zgjedhjen e tij për ta lënë kombin nën tension për 4 ditë me radhë.
Ndërkohë këto media shfaqen të kujdesshme në trajtimin e këtij rasti. Akuzat bazohen tek lajmet e publikuara në disa gazeta online El Confidencial, Vozpópuli, Libertad digital, Es.Diario dhe The Objective, të njohura për sjelljen e tyre abuzive.
Dhe krahu që e zyrtarizoi pretendimin është ai i Manos Limpias, një pseudo-sindikatë, arsyeja e vetme ekzistencës e të cilës është raportimi i zhvillimeve të bujshme nga gjykata, duke kopjuar dhe tjetërsuar lajme nga gazetat e tjera. Këtë e pranon e vetë drejtues i saj, avokati Miguel Bernad, i cili tha se është kufizuar vetëm në “ndërgjegjësimin e gjyqësorit” mbi një “seri lajmesh” të përhapura nga “gazeta të ndryshme dixhitale”.
Sipas tij, tani i takon hetuesve të verifikojnë nëse këto raporte gazetareske janë apo jo të bazuara në fakte. Disa njerëz mendojnë se letra e Sánchez që ndër të tjera shkroi: ”Nuk kam turp të them se jam një burrë shumë i dashuruar me gruan time, e cila po jeton aktualisht me një ndjenjë pafuqie ndaj faktit që mbi të derdhet çdo ditë baltë”, duket si shenjë e një ezaurimi nervor të kryeministrit spanjoll.
Por është e vështirë të besohet se nervat e një politikani të ‘pandryshkshëm’ si Sánchez, që e ka titulluar një nga librat e tij “Manual de resistencia” (Manual mbi qëndrueshmërinë), mund të prishen ashtu krejt papritur. Ka të tjerë që mendojnë se kjo sjellje, është një marifet shumë finok i tij për të shpëtuar nga imazhi i një kryeministri që po rrëshqet drejt një fundi të palavdishëm.
Në fakt nëse do të ishte e vërtetë kjo, do të qe shumë e çuditshme. Sepse kur e gjen veten në vështirësi, Sánchez nuk kërkon kurrë një dalje nga prapa skenës. Përkundrazi është akoma më shumë protagonist.
Pastaj është edhe hipoteza më pak e çuditshme dhe më logjike:jemi përballë një tjetër grushti shteti ‘sanchezian’, me synim grumbullimin e solidaritetit nga ana e aleatëve të tij potencialisht jo-besnikë, dhe nga të cilët ka pasur një trajtim të ngjashëm si nga mediat e krahut të djathtë, dhe për të ndërtuar një qeveri të re mbi një bazë më të qëndrueshme.
Kjo lëvizje synon të zbutë në mënyrë parandaluese çdo lloj trazire, që mund të shkaktohet nga rezultatet e zgjedhjeve në Katalonjë të 12 maj dhe ato europiane në qershor. Një objektiv tjetër i letrës, mund të jetë ngritja e një muri më të fortë kundër të ashtuquajturës ‘fasciosferë’.
Ky term, i importuar nga gazetarja Idafe Martín Pérez nga termi francez “fachosphère” dhe i adoptuar menjëherë nga Sánchez, tregon morinë e mediave dixhitale, kanaleve YouTube, analistëve televizivë dhe aktivistëve socialë që spekulojnë shumë (disa ditë më parë themeluesi i Vozpópuli-t, Jesús Cacho, e krahasoi në një editorial me titull “Los Caausescu”, kryeministrin spanjoll dhe gruan e tij me çiftin e famshëm të komunizmit rumun por edhe me Adolf Hitlerin).
Dhe këto portale përhapin ndonjëherë teza shumë të ngjashme me ato të QAnon (kështu pretendohet se gruaja e Sanchez, Begoña, është në të vërtetë një burrë, Begoñok, i përfshirë veç të tjerash edhe trafikun e drogës me Marokun).
Me letrën e tij, kryeministri spanjoll shigjeton edhe udhëheqësin e Vox, Santiago Abascal dhe liderin e Partisë Popullore, Alberto Núñez Feijóo, si bashkëpunëtorë të këtyre trillimeve. Me këtë qasje dinake Sanchez, mund të synojë të ringjallë retorikën e “Dy Spanjave”, duke shtërnguar radhët e mbështetësve pak a shumë ngurrues të qeverisë së tij dhe duke i bërë jehonë të vetmes kauzë që bashkon të majtën: gogolin e një qeverie të mundshme popullore të drejtuar nga populistët e djathtë të Vox./ Përshtati: "Pamfleti", Nga: "Il Foglio"
Lini një Përgjigje