TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Gusht 2024, 22:52

Skenarët, si do ta ndëshkojë Irani Izraelin?

Shkruar nga Jay Mens

Skenarët, si do ta ndëshkojë Irani Izraelin?

Sot regjimi në Teherani flet për mojazat (ndëshkim) ose khun-khahi (dëshirë për gjak).

Nuk ka qenë asnjëherë një luftë vetëm për Gazën. Që nga tetori i vitit të kaluar, Lindja e Mesme ka qenë  e përfshirë në një luftë rajonale. e cila gjatë javëve të ardhshme, ka të ngjarë të shpërthejë në një luftë të hapur dhe në shkallë të gjerë.

Pas sulmit ajror të Izraelit në Bejrut, dhe vrasjes javën e kaluar të kreut të Hamasit Ismail Haniyeh në Teheran, Irani po premton të këtë një qasje të ndryshme nga herët e tjera. Pas vrasjes së kreut të njësisë elitare Quds të Gardës Revolucionare, Qassem Soleimani, në vitin 2020 dhe sulmit izraelit ndaj konsullatës së Iranit në Damask, iranianët premtuan enteqam, hakmarrje.

Sot regjimi në Teherani flet për mojazat (ndëshkim) ose khun-khahi (dëshirë për gjak).

Izraeli ka tre borxhe gjaku të papaguara, të akumuluara gjatë javëve të fundit, nga i gjithë i ashtuquajturi “Boshti i Rezistencës”. Ai bombardoi në mes të ditës Hodeidah, portin e kontrolluar nga milicët Huthi në Jemen. Vrau një komandant të lartë të Hezbollahut - që kërkohej edhe nga Shtetet e Bashkuara për sulmet me bombë ndaj marinsave amerikanë në e Bejrut në vitin 1983 - në mesin e bastionit të Hezbollahut në kryeqytetin e Libanit.

E poshtëroi regjimin iranian, duke vrarë brenda këtij vendi kreun politik të Hamasit, vetëm disa orë pasi takoi Udhëheqësin Suprem. Përgjigja do të jetë e koordinuar, në mënyrë që të tre palët e goditura të marrin shpagimin, ose së bashku ose njëra pas tjetrës.

Ndoshta boshti mund ta vonojë një sulm serioz deri më 13 gusht, që përkon me datën e nëntë të Avit: një datë në kalendarin hebre, që për mijëvjeçarë ka qenë sinonim i tragjedisë. Është data në të cilën romakët i dëbuan hebrenjtë nga Izraeli në vitin 70 të Erës Sonë; data kur hebrenjtë u dëbuan nga Anglia në vitin 1290, dhe kur u asgjësua getoja e Varshavës në vitin 1942.

Armiqtë e Izraelit dinë gjithçka për këtë ditë. Madje vitin e kaluar, forcat iraniane realizuan një dokumentar të shkurtër për këtë ditë. Ndërsa në vitin 1994, Hezbollahu zgjodhi pikërisht këtë datë për të hedhur në erë një qendër të komunitetit hebre në kryeqytetin e Argjentinës, Buenos Aires, duke vrarë 85 njerëz.

Por më shumë sesa koha, rëndësi se çfarë do të ndodhë. Mënyra se si boshti zgjedh të hakmerret do t’i japë përgjigje edhe pyetjes më të rëndësishme nga të gjitha:A ka luajtur bllofin Izraeli, kur fliste për përballimin e pasojave të sulmeve të saj ndaj objektivave të boshtit?

Boshti mund të supozojë se Izraeli ka kafshuar më shumë sesa mund të përtypë. Ai mund ta tërheqë Izraelin në një luftë të dytë rrënuese në Liban, e cila do të ishte shumë më ndëshkuese për frontin e brendshëm izraelit sesa Gaza. Fraksione të tjera të boshtit, mund të dëmtojnë jo pak mbrojtjen ajrore të Izraelit.

Nuk do të kalonte shumë kohë dhe morali brenda Izraelit do të dobësohej. Ndërsa Shtëpia e Bardhë do të vendosej shumë shpejt nën një presion të madh për të nxitur arritjen e një armëpushimi. Madje Irani mund të shfrytëzojë kaosin për të ndërtuar më në fund bombat e saj bërthamore.

Opsioni tjetër për boshtin, është të shpresojë se Amerika do të ndërhyjë për të mbështetur Izraelin. Që nga tetori i vitit të kaluar, dislokimet e aseteve ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, kanë bërë më pak për të penguar Iranin sesa për të frenuar Izraelin.

Presioni i SHBA-së, ka të ngjarë ta ketë penguar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu të niste luftën me Libanin në tetor, duke dhe parandaluar edhe një përgjigje të rëndësishme izraelite ndaj sulmit të fundit raketor të Iranit në prill të këtij viti.

Boshti mund të zgjedhë të ndërmarrë një sulm, ku rreziqet janë ose shumë të larta ose shumë të ulëta për të justifikuar një luftë rajonale në shkallë të plotë, duke vënë bast se Uashingtoni do të mbajë sërish nën kontroll reagimin e Izraelit. Por sikur shfaqja e forcës ushtarake nga Izraeli të mos jetë aspak një bllof?

Për muaj të tërë, analistët mbi Lindjen e Mesme, janë mësuar me një luftë brenda parametrave të kufizuar. Një armëpushim është parë të jetë i paarritshëm që nga nëntori 2023. Ai u duk i afërt kur Izraeli u lodh, nën përshkallëzimin e trazirave të brendshme dhe presionit amerikan.

Shumë njerëz supozuan se Izraeli nuk ishte gati për luftë. Rezervistët e saj ishin të lodhur, përballej me një mungesë serioze municionesh, dhe u duk sikur e kishte humbur mbështetjen amerikane. Por tani këto supozime duhet të vihen tani në pikëpyetje. Izraeli mund të ketë vendosur të luajë gjithçka për gjithçka.

Në kundërshtim me besimin popullor, Netanyahu nuk është në këtë moment në dorë të ekstremistëve. Ai ka më shumë liri politike sesa një vit më parë. Knesset është me pushime verore, dhe kjo do të thotë se një mocion mosbesimi ndaj tij, nuk mund të ngrihet deri në fund të tetorit.

Deri atëherë, ai është në kontroll të plotë të gjithçkaje. Afati i tij i vërtetë është 5 nëntori, kur Amerika të shkojë në zgjedhje. Pra, gushti është koha ideale që Netanyahu të tentojë gjithçka. Një rrugëdalje nga konflikti mund të shfaqet në shtator.

Në mënyrë ideale, tetori do të jetë mjaft i qetë, pikërisht në kohën e festave të larta hebreje, kthimit në punë të Knesset dhe zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Tani pyetja është nëse Izraeli do të hyjë një luftë të dytë - kundër Libanit - apo në një luftë të tretë me Iranin.

Izraeli i kaloi të gjitha vijat e kuqe të Hezbollahut kur goditi Bejrutin dhe vrau një komandant të lartë të kësaj milicie. Tani Hezbollahu s’ka zgjidhje tjetër veçse të sulmojë të paktën një qytet të madh izraelit. Izraeli do të hakmerret përsëri, e kështu me radhë. Është e vështirë të shihet se si gjërat mund të përfundojnë ndryshe.

Në fjalimin e tij të enjten e javës së kaluar, kreu i Hezbollahut, Hassan Nasrallah tha se vrasja e Haniyeh ishte një “sulm ndaj sovranitetit, sigurisë kombëtare, prestigjit dhe nderit të Iranit”.

Megjithatë, opsionet e Iranit janë akoma më të ndërlikuara. Republika Islamike përballet me shumë probleme:inflacion të lartë, papunësi të madhe, minoritete të pakënaqura, një korrupsion shumë të përhapur, dhe siç është tashmë e qartë për të gjithë, një rreth i brendshëm i kompromentuar. Fusha e vetme në të cilën ai shkëlqen është projekti i tij perandorak.

Nëse dështon me të, regjimi mund të jetë vërtet në rrezik. Irani ka një plan afatgjatë për të dëbuar Shtetet e Bashkuara nga Lindja e Mesme, dhe për ta bërë Izraelin një vend të pajetueshëm. Deri më tani, plani ka funksionuar. Teherani ka qenë përfituesi më i madh nga kaosi në rajon.

Tani duhet të bëjë një zgjedhje:nëse nuk shkon aq larg sa duhet, rrezikon të dëmtohet nga grindjet e brendshme. Nëse shkon shumë larg, mund ta kthejë Joe Biden në Jimmy Carter, duke e rikthyer Donald Trumpin në detyrë, apo duke e nxitur Netanyahun të realizojë atë që ai duket se e konsideron fatin e tij:shkatërrimin e plotë të programit bërthamor iranian.

Javën e kaluar, pikërisht në këtë sfond të paqëndrueshëm, zyrtarë të lartë britanikë u takuan me homologët e tyre izraelitë. Ironia është se takimi erdhi vetëm një javë, pasi qeveria britanike u tërhoq nga kundërshtimi i saj ndaj një urdhër-arresti të mundshëm të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për udhëheqjen izraelite me akuzat për krime lufte.

Ndërsa po shtohen rreziqet në krizën e Lindjes së Mesme, Britania e Madhe duhet t’i bëjë vetes disa pyetje serioze në lidhje me interesat e saj në rajon, dhe si t’i pasqyrojë më mirë këto interesa në aspektin e politikës. 7 tetori 2023, shkatërroi balancat e pushtetit në rajon. Për muaj të tërë, ajo ka anuar në favor të Iranit, por tani është sërish në diskutim. Irani dhe Hezbollahu do të lëshojnë breshëri masive raketash në javët e ardhshme drejt Izraelit. Megjithatë, momenti i të vërtetës për rajonin, do të shihet vetëm pas pasojave të këtij sulmi./Përshtati "Pamfleti" nga “The Spectator”

*Shënim:Jay Mens, lektor i historisë dhe politikës në Universitetin e Harvardit, SHBA.

Lini një Përgjigje