
Teksa Amerika po lindte si komb, historiani anglez Eduard Gibbon rrëfeu në vitin 1776 rënien e Perandorisë Romake si një alegori.
Një kandidat, tashmë i dënuar në gjykatë, rrezikoi të vritej në një episod i karakterizuar nga dalja tërësisht jashtë loje e Shërbimit Sekret. Kandidati tjetër u tërhoq nga gara pas një presioni të gjatë, për shkak të paaftësisë së dyshuar psiko-fizike për të vazhduar edhe për një mandat tjetër.
Një parti u detyrua të ri-shpikë fushatën e saj elektorale 3 muaj përpara ditës së zgjedhjeve. Kandidatja e re, del nga një periudhë e gjatë në hije, e rrethuar nga dyshimet mbi kompetencën
e saj. Nivelet e popullaritetit të të gjithë zyrtarëve publikë, janë në nivelin më të ulët të të gjitha kohërave. Vlerësimi për qeverinë dhe parlamentin është i dobët. Po kush është përgjegjës për këtë situatë? Kush do të marrë drejtimin e vendit më të fuqishëm në planet, ndërsa vazhdojnë dy luftëra, të cilat rrezikojnë të shkaktojnë një luftë të re botërore?
Gjykime të gabuara
Fushata elektorale e 2024-ës, po shfaq të gjitha defektet e Shteteve të Bashkuara, duke filluar nga e keqja e errët që po godet demokracinë liberale më të vjetër:dëmtimin e besimit tek institucionet dhe mungesa e një fryme të unitetit kombëtar. Si në të majtë ashtu edhe në të djathtë, mbizotëron mendimi se “Amerika është në rrugën e gabuar”.
Megjithatë, ajo është republika më e vjetër federaliste në histori, një sistem presidencial shpeshherë i keqkuptuar, me ekuilibra dhe kundër-fuqi, që në të kaluarën e kanë shpëtuar këtë demokraci nga kërcënimet e jashtëzakonshme. Përfshirë ngjarjet e 6 janarit 2021.
Sulmi traumatik i një turme të madhe ndaj Capitol Hill, pati një “fund të lumtur”, që u nënvlerësua në domethënien që pati. Sociologu Robert Putnam na propozon një lojë surprizë. Ai e nis me një panoramë të tmerrshme të gjithë patologjive të Amerikës:pabarazitë, polarizimi politik, racizmi, tensionet mbi emigracionin, dobësimi i demokracisë.
Kur lexuesit binden se janë përballë një përshkrimi të Amerikës së sotme, vjen edhe befasia:lista është një sintezë e analizave të përhapura që nga fundi i shekullit XIX deri në fillim të shekullit XX. Pra, një epokë që u pasua nga përparimi më i madh i SHBA-së në të gjitha fushat:nga ekonomia te drejtësia sociale, nga të drejtat e njeriut te arsimi, deri tek ndërtimi i lidershipit në përmasa planetare.
Një ushtrim i ngjashëm, mund të bëhet duke rishikuar vitet 1960. Në kujtimet tona, ato vite shoqërohen me lëvizje të mëdha progresiste:të drejtat civile të zezakëve, pacifizmin, feminizmin, të drejtat e homoseksualëve, lëvizjen ambientaliste, protestat studentore dhe një shpërthim i krijimtarisë artistike.
Në realitet, vitet 1960 u karakterizuan nga dhuna, politike dhe jo politike; nga një luftë e humbur; nga besimi tek rënia kombëtare, të cilën shumë amerikanë e konsideruan si të merituar. Sërish, pas asaj periudhe të vështirë, Amerika e befasoi botën me një rilindje dhe një zinxhir të gjatë suksesesh:vitet 1980 ishin plot me triumfe ekonomike, teknologjike dhe kulturore. Deri në fitoren e Luftës së Ftohtë kundër Bashkimit Sovjetik.
Amerika në rënie si Perandoria Romake?
Historia nuk është e destinuar që të përsëritet. Gjithsesi, këta precedentë duhet të na këshillojnë të jemi të kujdesshëm, përpara se të japin vendime përfundimtare mbi rënien e Amerikës dhe dekompozimin e demokracisë së saj. Për shembull çfarë na tregon migrimi mbi arsyet e thella të hegjemonisë amerikane?
Amerika e parë nga Jugu global, është shumë më mirë sesa mendojnë kritikët e saj. Është një vend që garanton jo vetëm mirëqenie materiale, por edhe liri dhe të drejta (përfshirë të drejtën për ta akuzuar për atë çdo të keqe).
Aspirantët e shumtë të Ëndrrës Amerikane - përfshirë italianët e rinj të arsimuar që ikin nga vendi i tyre - gjejnë ende mundësi më të mira këtu, falë besimit tek bizneset dhe tregu, i cili në vendet e tyre të origjinës është i shtypur nga burokracitë apo despotizmat.
Pavarësisht nga shenjat e besueshme se shekulli XXI është i destinuar të bëhet “shekulli aziatik”, janë njerëzit nga Kina dhe India, ata që po vazhdojnë të emigrojnë drejt Shteteve të Bashkuara dhe jo anasjelltas. Shenjat e degradimit të SHBA-së janë reale, konkrete dhe shqetësuese:në plan të parë është shëndeti dhe jetëgjatësia; përkeqësimi i sistemit arsimor.
Megjithatë, disa janë të lidhura pikërisht me emigracionin. Këto të meta kompensohen nga po aq shenja vitaliteti:risi të vazhdueshme; dinamizëm ekonomik; aftësi për të kooptuar elitat e vendeve të tjera, përfshirë “armiqtë”. Simptoma më shqetësuese, është rënia e vetëvlerësimit, që në nivelin më të lartë vihet re tek brezat e rinj.
Megjithatë diçka e ngjashme ndodhi edhe në fillim të shekullit XX, më pas gjatë Depresionit të Madh; dhe sërish në vitet 1960-1970. Ashpërsia me të cilën populli amerikan dhe pjesa tjetër e botës e gjykojnë Amerikën çdo ditë, e ka origjinën nga një tërheqje e fshehtë:ne do të donim që ajo të ishte një model i patëmetë, një vitrinë e vlerave tona, gjithmonë në përputhje me idealet që shpall.
Prandaj, ajo është e destinuar të na zhgënjejë. Në këtë fushatë, është gati e pamundur të gjesh një pikë përbashkuese “vlerore” midis të djathtës dhe të majtës, përveç një përputhshmërie pragmatike në lidhje me mbrojtjen ndaj Kinës dhe nevojës për ta ri-industrializuar vendin.
E megjithatë, ekziston një parim që bashkon vërtet republikanët dhe demokratët:besimi se roli i Amerikës në botë, varet nga forca e saj e brendshme, dhe nga aftësia e saj për të shëruar veten. Teksa Amerika po lindte si komb, historiani anglez Eduard Gibbon rrëfeu në vitin 1776 rënien e Perandorisë Romake si një alegori.
Ashtu si Roma, Londra e tij e perceptonte veten si qendra e një qytetërimi mbi-kombëtar, globalist dhe të ndritur, si bartëse e një universi vlerash dhe me mision kryesor eksportimin e tyre. Pas saj, çdo fuqi, edhe nëse është post-moderne si Amerika, e cila ka hequr dorë nga zotërimi i kolonive, nis në një pikë të caktuar të frikësohet nga shëmbëlltyra e saj historike, se do të përfundojë si Roma.
Migrimet dhe pushtimet, rënia e shpirtit qytetar dhe e vullnetit për të luftuar, ndikimi i një feje “pacifiste”, korrupsioni i elitës, kriza fiskale dhe buxhetore, janë disa nga faktorët kryesore që përmenden në librin e Gibbon, dhe të cilat duket sikur po rishfaqen në Amerikën e sotme.
Është e mundur, dhe ndoshta e besueshme, që pesha e Amerikës në botë është e destinuar të bjerë në mënyrë të pashmangshme. Tek e fundit, kjo që po shohim është e jashtëzakonshme:ky komb prej 350 milionë banorësh, ushtron një ndikim jo-proporcional në shumë fusha në një planet të banuar nga 8 miliardë banorë.
Ne amerikanët përbëjmë vetëm 3.5 për qind e banorëve të botës. As në kohën e Perandorisë Romake nuk kishte një çekuilibër kaq të dukshëm, një ndikim i pak njerëzve tek një numër shumë i madh njerëzish të tjerë. Përballë këtij fakti - që po zgjat prej një shekulli - mund të ndjesh admirim, acarim, habi apo edhe indinjatë. Por nuk mund të jesh asnjëherë indiferent./Përshtati "Pamfleti" nga “Corriere della Sera”
Lini një Përgjigje