Plane për sulme, kontroll të Ngushticës së Hormuzit dhe operacione speciale në fokusin e Uashingtonit...
Shtetet e Bashkuara kanë përgatitur skenarë të rinj ushtarakë ndaj Iranit, në përpjekje për të dalë nga ngërçi në negociata. Sipas tre burimeve që folën në kushte anonimiteti, të cituara nga media ndërkombëtare, Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM) ka hartuar një plan për një valë “të shkurtër dhe të fuqishme” sulmesh.
Plani parashikon goditje ndaj infrastrukturës kritike në Iran, me synimin për të rritur presionin mbi Teheranin dhe për ta detyruar të rikthehet në tryezën e bisedimeve me një qëndrim më fleksibël, veçanërisht në çështjen e programit bërthamor.
Një tjetër opsion që pritet t’i paraqitet presidentit Donald Trump përfshin marrjen e kontrollit mbi një pjesë të Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme për tregtinë globale të naftës. Sipas njërit prej burimeve, një operacion i tillë mund të përfshijë edhe dislokimin e forcave tokësore për të garantuar lirinë e lundrimit.
Në të njëjtën kohë, në diskutim mbetet edhe mundësia e një operacioni të forcave speciale për të siguruar rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit, një element kyç në programin bërthamor të vendit.
Sa i përket situatës aktuale, presidenti Trump deklaroi se e konsideron bllokadën detare ndaj Iranit “më efektive se bombardimet” në këtë fazë. Dy burime thanë se administrata amerikane e sheh aktualisht këtë masë si instrumentin kryesor të presionit, por nuk përjashton ndërhyrje ushtarake nëse Irani nuk ndryshon qëndrim.
Ndërkohë, strukturat ushtarake amerikane po vlerësojnë edhe rrezikun e kundërpërgjigjeve nga Irani ndaj forcave amerikane në rajon, si reagim ndaj bllokadës detare.
Sipas të njëjtave burime, në një informim të pritshëm do të marrë pjesë edhe kreu i Shefave të Përbashkët të Shtabit, gjenerali Dan Caine. Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar mbi këto zhvillime.
Kujtohet se një informim i ngjashëm ishte zhvilluar më 26 shkurt, pak ditë para nisjes së operacioneve ushtarake nga SHBA dhe Izraeli ndaj Iranit. Sipas burimeve pranë administratës, ai takim kishte ndikuar në vendimin për fillimin e ndërhyrjes ushtarake. /Përshtatur nga "Protothema"
Lini një Përgjigje