
Plasin protestat në Milano pas skandalit ku doli i përfshirë dhe miku i Edi Ramës...
Skandali i ndërtimeve, ku është i përfshirë dhe arkitekti Stefano Boeri që betonizoi Tiranën, ka futur në kaos Milanon.
Në qendër të debatit ndodhet kryebashkiaku Giuseppe Sala, i cili ka deklaruar me forcë se nuk do të japë dorëheqjen dhe do ta çojë deri në fund mandatin e tij.
“Kam marrë më shumë telefonata dhe mesazhe në këtë periudhë se sa kur u zgjodha kryetar bashkie”, u shpreh Sala para këshillit bashkiak, duke nënvizuar se mbështetja e qytetarëve, kolegëve dhe edhe kritikëve të tij politikë ka qenë e jashtëzakonshme.
Ai theksoi se mbetet “i përkushtuar me pasion, përgjegjësi dhe dashuri për qytetin”, dhe bëri thirrje që politika të mos ndërthuret me hetimet, duke e cilësuar publikimin e informacioneve të rezervuara në media si një shkelje serioze e etikës institucionale.

Në të njëjtin seancë, ka ardhur dhe një zhvillim dramatik: Giancarlo Tancredi, këshilltar për Rigjenerimin Urban dhe një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Salës, ka dhënë dorëheqjen. Me zërin që i dridhej, Tancredi tha: “Ndërgjegjja ime është e pastër. Dorëheqja ime është një akt për të kthyer qetësinë dhe për të ndihmuar zbardhjen e situatës. Jam i zhgënjyer nga qëndrimi i disa forcave të shumicës që nuk mbështetën garantizmin”.
Dorëheqja e Tancredit pritet të ketë pasoja serioze në ekuilibrat politikë brenda bashkisë dhe ka hapur një plagë të re brenda shumicës. Ai ishte figura kyçe në projektet strategjike të transformimit urban të qytetit.
Përtej krizës politike, kryebashkiaku Sala ka ripohuar përkushtimin e tij për të vijuar punën, duke theksuar se nga shtatori do të rikthehet në tryezë çështja e stadiumit “San Siro”, një nga projektet më të debatueshme urbanistike në Milano. Ai premtoi se do të përmbushë angazhimet deri në fund të mandatit, pavarësisht stuhisë që e ka përfshirë.
Fjalimi i tij u mbyll mes një ovacioni të gjatë në këmbë nga shumica e këshilltarëve, duke dhënë sinjalin e një mbështetjeje të fortë politike ndaj tij. Por pyetja që mbetet pezull është: a do të mjaftojë kjo për të ruajtur stabilitetin politik të qytetit?
Ndërkohë që brenda Palazzo Marino (selia e bashkisë) Sala mbronte integritetin e tij institucional dhe përkushtimin ndaj qytetit, jashtë, tensionet me qytetarët protestues shpërthyen në përplasje me policinë.
Disa dhjetëra aktivistë nga lëvizjet Cambiare Rotta, Potere al Popolo, Cub dhe Rifondazione Comunista tentuan të futeshin me forcë në ambientet e Këshillit Bashkiak, por u ndaluan nga policia me uniforma anti-revoltë. Gjatë dhe pas fjalimit të Salës, protestuesit përplasën me kordonin policor dhe u shtynë mbrapa me mburoja. Më pas, ata vijuan protestën në Piazza della Scala, duke kërkuar dorëheqjen e kryetarit dhe të gjithë administratës së tij. /Përshtatur nga "Corriere Della Sera"
Lini një Përgjigje