TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Nëntor 2024, 11:11

Si u manipuluan zgjedhjet parlamentare në Gjeorgji?!

Shkruar nga Christian Endt & Simone Brunner

Si u manipuluan zgjedhjet parlamentare në Gjeorgji?!

Është gjithashtu e habitshme, që Ëndrra Gjeorgjiane kishte vendosur kamera në rreth 2500 qendra votimi. Kjo nuk është në përgjithësi e ndaluar, por megjithatë ndikon në krijimin e një atmosfere kontrolli, një lloj ndjesie e tipit “Big Brother po ju vëzhgon!”.

Duke pretenduar një shumicë komode prej 54 për qind të votave, partia në pushtet Ëndrra Gjeorgjiane, gjithnjë e më shumë autoritare dhe pro-ruse, e shpalli veten fituese të zgjedhjeve parlamentare të së shtunës së kaluar.

Por rezultati ka ngjallur një kundërshtim të gjerë, jo vetëm nga presidentja e vendit dhe partitë opozitare, por edhe nga vëzhguesit e pavarur të zgjedhjeve, Shtetet e Bashkuara dhe disa vende të Bashkimit Evropian, që e kanë kritikuar ashpër procesin zgjedhor.

Një analizë e rezultateve nga gazeta gjermane Die Zeit, ka zbuluar shumë shenja që tregojnë se partia në pushtet, mund ta ketë deformuar rëndë procesin. Ditën e zgjedhjeve, kompania e njohur e sondazheve dhe analizës me bazë në SHBA, Edison Research, kreu një sondazh pas-zgjedhor me thuajse 15.000 votues në 115 qendra votimi.

Sipas të dhënave të tyre, Ëndrra Gjeorgjiane u mbështet ditën e votimeve nga vetëm 41 për qind e elektoratit. Sondazhe të tjera të mëhershme, ofruan një panoramë edhe më të zymtë për partinë në pushtet, me rezultate që ishin edhe më të këqija se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020.

Të dhënat e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, të përgatitura nga portali Elektoral Graphics, tregojnë se makineritë e votimit janë përdorur në 2255 nga gjithsej 3101 qendra votimi. Këto makineri, i numërojnë votat dhe e dërgojnë drejtpërdrejt rezultatin në kryeqytet.

Edhe sipas vëzhguesve perëndimorë të këtyre zgjedhjeve, ato janë pothuajse të pamundura për t'u manipuluar. Llogaritjet e Die Zeit, tregojnë se Ëndrra Gjeorgjiane, doli më keq në zonat ku u përdorën makineritë e votimit, në krahasim me ato ku votat numëroheshin me dorë.

Faktori pjesëmarrje

Ekipi i Die Zeit, vizatoi dy kurba që përshkruajnë sjelljen e votuesve në zgjedhjet gjeorgjiane:njëra përfaqëson zonat urbane dhe tjetra ato rurale të votimit. Në qytetet e mëdha, shpërndarja e votave nuk bie dhe aq në sy. Ndërkohë në zonat rurale, ka një numër jashtëzakonisht të lartë qarqesh, ku numri i votave për partinë në pushtet e tejkalon ndjeshëm mesataren kombëtare.

Analiza bazohet tek një ide e zhvilluesit të softuerëve Levan Kvirkvelia. Është një shenjë shumë treguese e manipulimit të votuesve. Roman Udot, një analist rus i zgjedhjeve, që drejton në mërgim portalin Elektoral Graphics, shqyrtoi në detaje rezultatet e zgjedhjeve gjeorgjiane.

“Teorikisht, pjesa e votave të një partie, nuk duhet të varet nga pjesëmarrja në zgjedhje. Por unë vura re se partia në pushtet, arrinte shpesh rezultate jashtëzakonisht të larta në zona me pjesëmarrje shumë të lartë të votuesve”-thekson ai.

Ky model, i parë tashmë në zgjedhjet në Rusi, është zakonisht një shenjë treguese e manipulimit të votave. Të mërkurën, portali investigativ gjeorgjian iFact, publikoi një raport që dokumenton rritjen e pabesueshme të votave për partinë Ëndrra Gjeorgjiane në disa qarqe.

Ndërsa analizat statistikore, ofrojnë rrallë prova konkrete të manipulimit të zgjedhjeve, raportet e shumta mbi incidentet në qendrat e votimit, i shtojnë më tej dyshimet. “Këto janë modele votimi, të cilat duken shumë të pamundura të ndodhin natyrshëm”- shkruajnë politologët Allen Hicken dhe Walter R.Mebane nga Universiteti i Miçiganit në një artikull analitik mbi këto zgjedhje.

Presione mbi votuesit

Le të jemi të qartë mbi një gjë:në përgjithësi akuzat s’kanë të bëjnë me ndërhyrje të drejtpërdrejtë në regjistrimin e votave, por më tepër me presionet para votimit. Por nëse flitet për kërcënimin e punonjësve të administratës shtetërore (mësuesit, oficerët e policisë, nëpunësit civilë, mund të jenë nxitur të votojnë për partinë e “djathtë”), autobusët që lëviznin nëpër qendrat e votimit, apo bandat kriminale që silleshin rrotull qendrave të votimit për të frikësuar politikanët e opozitës, këto taktika manipulimi duken të shumë-përdorura.

Ëndrra Gjeorgjiane kishte instaluar kamera në qendrat e votimit

Është gjithashtu e habitshme, që Ëndrra Gjeorgjiane kishte vendosur kamera në rreth 2500 qendra votimi. Kjo nuk është në përgjithësi e ndaluar, por megjithatë ndikon në krijimin e një atmosfere kontrolli, një lloj ndjesie e tipit “Big Brother po ju vëzhgon!”.

Shumë nga incidentet, janë të dokumentuara në raportet e organizatave të pavarura. Vëzhguesit e zgjedhjeve, flasin për një sistem dinak por inteligjent të ndikimit në zgjedhje. Frikësimi i votuesve dhe blerja e votave, janë shumë më të vështira për t’u provuar sesa parregullsitë në vetë qendrën e votimit, apo edhe manipulimi zgjedhor.

Këto janë “kushte të padrejta”, të cilat mund t’i identifikojnë vëzhguesit e zgjedhjeve, por nga të cilat nuk mund të nxirren përfundime të drejtpërdrejta se sa mund të kenë ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve në përqindje të sakta, thotë Frank Schwabe. Politikani i Partisë Socialdemokrate gjermane shkoi në Gjeorgji si vëzhgues i zgjedhjeve.

Komisioni Zgjedhor, i cili thuhet se është afër partisë Ëndrra Gjeorgjiane, njoftoi së fundmi se do të rinumërojë votat në 14 për qind të qendrave të votimit. Numërimi i votave ka pasur kritika nga vëzhguesit kombëtare dhe ndërkombëtare. “Kjo nuk ka të bëjë me rezultatin e zgjedhjeve, por më tepër me proceset që çuan në ato rezultate të papritura”- thotë Nino Dolidze, kreu i Shoqatës Ndërkombëtare për Zgjedhje të Drejta dhe Demokraci në Tbilisi.

Ndikimi i huaj

Kryetari i parlamentit dhe politikani i partisë Ëndrra Gjeorgjiane, Shalva Papuashvili, i hedh poshtë kritikat e vëzhguesve të zgjedhjeve, duke i quajtur ato “pseudo-prova”, dhe flet për një “krijim artificial të një vale protestash dhe trazirash në Gjeorgji”, duke aluduar mbi teorinë ruse të komplotit, sipas së cilës të gjitha protestat antiqeveritare në hapësirën post-sovjetike janë përpjekje për një grusht shteti të kontrolluar nga Perëndimi.

Roli i saktë i Rusisë në këtë aspekt mbetet i paqartë. Ëndrra Gjeorgjiane, shihet gjerësisht si një parti pro-ruse, dhe së fundmi ka miratuar ligje sipas modelit rus, përfshirë ligjin kundër “ndikimit të huaj”, dhe një ligj kufizues që synon goditjen e komunitetit LGBTQ +.

Ndërkohë, opozita synon ta anëtarësojë Gjeorgjinë në Bashkimin Evropian. Çështja e besnikërisë gjeopolitike ishte tema qendrore e këtyre zgjedhjeve. Presidentja pro-evropiane Salome Zurabishvili, e quajti manipulimin zgjedhor një “operacion special rus”, me një “teknologji moderne”, që dyshohet se përdoret për të “mbuluar” manipulimin.

Megjithatë, ajo nuk ka ofruar prova konkrete për t’i mbështetur këto pretendime. Me kërkesë të Komisionit Qëndror Zgjedhor, prokuroria ka kërkuar që ta marrë në pyetje të enjten. Gjithsesi Zurabishvili u tha gazetarëve mbrëmjen e të mërkurën se nuk kishte  ndërmend të shkonte, duke argumentuar se “në vend se të më kërkojë mua prova”, zyra e prokurorit duhet të hetojë të shenjat e manipulimeve zgjedhore./Përshtati "Pamfleti", nga “Worldcrunch”

gjeorgji zgjedhje parlamentare manipulim

Lini një Përgjigje