Komisioni Evropian e ka zgjeruar fushëveprimin e tij në disa fusha politikash, të cilat tradicionalisht kanë qenë një përgjegjësi e qeverive kombëtare, si politika e jashtme dhe çështjet e mbrojtjes dhe të sigurisë.
Bashkimi Evropian njoftoi të mërkurën planin e tij për të “krijuar një shërbim spiunazhi evropian të ngjashëm me CIA-n”. Në rrjetet sociale, shumë njerëz kanë reaguar përmes komenteve satirike dhe tallëse. “Por tashmë ekziston një agjenci spiune e ngjashme me CIA-n që vepron në të gjithë Evropën. Ajo quhet CIA”- shkroi një përdorues në platformën X.
“Unë propozoj që agjencinë e re ta quajnë Gestapo!”- u shpreh një tjetër. Komente të tilla, janë tregues i gjendjes shpirtërore në Evropën e sotme, ku çdo propozim politikash që del nga Brukseli priret të përballet me një dozë të madhe skepticizmi dhe mosbesimi.
Dhe kjo është më se e kuptueshme, duke pasur parasysh natyrën gjithnjë e më të papërgjegjshme, shtrirjen gjithnjë e më të gjerë, dhe listën në rritje të dështimeve politike të institucioneve të BE-së, dhe në radhë të parë të Komisionit Evropian.
Pra nuk është për t’u habitur, pse shumica e njerëzve e shohin në mënyrë instinktive si tejet shqetësuese idenë për t’i dhënë “perandoreshës” Ursula von der Leyen një trupë agjentësh mbi-kombëtare që do të spiunojnë qytetarët dhe kryejnë aktivitete të tjera të mbrapshta “si CIA”.
Titulli bombastik i Politico, i referohet njërit prej propozimeve të shumta, të përfshira në një raport të ri të autorizuar nga ish-presidenti finlandez Sauli Niinistö mbi “Forcimin e Gatishmërisë Civile dhe Ushtarake të Evropës”.
Duke e vënë theksin tek krizat e fundit - dhe sidomos tek lufta në Ukrainë- Niinistö mbron një qasje të “gatishmërisë gjithëpërfshirëse”, e cila do të siguronte që BE-ja të “funksionojë në të gjitha rrethanat”, përmes një përgjigjeje të integruar ndaj krizave ndërkufitare.
Sipas raportit, kjo qasje duhet të përfshijë një kornizë “gjithëpërfshirëse të qeverive dhe shoqërive”, duke mundësuar një pjesëmarrje aktive nga qytetarët, sektorët privatë dhe autoritetet publike.
Raporti parashtron disa propozime të mjegullta, si për shembull kultivimi i një “kulture gatishmërie” brenda institucioneve të BE-së dhe midis qytetarëve, investime afatgjata në infrastrukturën jetike të mbrojtjes, zyrtarizim të reagimit ndër-sektorial ndaj krizave dhe “rritje e shkëmbimit të inteligjencës së BE-së”.
Vëmendje ka marrë edhe rritja e mbledhjes dhe shkëmbimit të të dhënave të inteligjencës në nivelin e BE-së, kryesisht sa i përket përmirësimeve të Kapacitetit të Përbashkët të Analizës së Inteligjencës (SIAC), që aktualisht varet nga kontributet vullnetare nga shtetet anëtare.
Kështu, raporti thekson nevojën për një ndarje më të strukturuar dhe më të besueshme të inteligjencës nga shtetet anëtare. Aspekti më i diskutueshëm, është fakti se përveç rolit të SIAC, raporti propozon zhvillimin e shërbimi të ri inteligjencës të BE-së, i cili do të përbënte një organ mbi-kombëtar, që do të ishte plotësues i aktiviteteve kombëtare të mbledhjes së të dhënave të klasifikuara.
Dhe ky do të ishte një zhvillim tepër shqetësues. Pajisja me një organ të tillë e një organizmi jo demokratik siç është BE-ja, do të ishte një hap tjetër në transformimin e bllokut në një super-shtet autoritar. Ashtu si në rastin e CIA-s, kompetenca të tilla ka shumë të ngjarë të ushtrohen kryesisht ndaj qytetarëve dhe madje shteteve anëtare, dhe jo ndaj “armiqve të huaj”.
Për më tepër, cilido që mendon se ky do të ishte një hap në drejtim të një “autonomie strategjike” më të madhe për BE-në do të zhgënjehet. Raporti bën thirrje për “forcimin e bashkëpunimit BE-NATO”, gjë që do të thotë se çdo “agjenci e inteligjencës e BE-së” nuk do të jetë thjesht një agjenci e ngjashme me CIA-n.
Do të ishte thjesht një degë e CIA-s. Në shumë aspekte, kjo po ndodh tashmë: qeveritë e BE-së po ndajnë të dhënat e shërbimeve të tyre të inteligjencës, teksa rrjeti “Five Eyes” (Pesë Sytë) i udhëhequr nga SHBA ka bërë bashkë agjencitë në Shtetet e Bashkuara, Australi, Kanada, Zelandën e Re dhe Britaninë e Madhe.
E njëjta gjë nuk është e vërtetë edhe në kahun e kundërt, pasi Shtetet e Bashkuara nuk e ndajnë të gjithë informacionin që kanë me fuqitë e tjera. Në fakt, është një dukuri e njohur që agjencitë amerikane të inteligjencës i spiunojnë rregullisht “aleatët” e tyre evropianë.
Gjithsesi, është pozitiv fakti që kjo agjenci e re nuk ka gjasa të ngrihet së shpejti. Gjatë prezantimit të raportit, vetë Von der Leyen e pranoi se në kancelaritë evropiane ka ende shumë rezistencë ndaj një propozimi të tillë, duke theksuar se për momentin fokusi do të jetë vetëm në “forcimin e shkëmbimit të informacionit”.
Po ashtu, është e paqartë se si do të paguajë BE-ja për ndërtimin e kësaj agjencie të re, duke pasur parasysh se buxhetet e vendeve anëtare janë shumë të ngarkuara, dhe kanë pak oreks për emetimin e më shumë borxheve të përbashkëta.
Vetë Niinistö e pranoi se në bisedimet e tij për hartimin e dokumentit themeltar, ai kishte hasur në “shumë zëra kritikë” për mundësinë e marrjes së kredive të reja të përbashkëta, pasi disa vende refuzojnë të angazhohen në mekanizma të rinj, me anë të të cilave ata “marrin nga ne, dhe ua japin të tjerëve”.
Megjithatë, nuk duhet të harrojmë se vitet e fundit, Komisioni Evropian e ka zgjeruar fushëveprimin e tij në disa fusha politikash, të cilat tradicionalisht kanë qenë një përgjegjësi e qeverive kombëtare, si politika e jashtme dhe çështjet e mbrojtjes dhe të sigurisë./Përshtati "Pamfleti", nga “Unherd”
Lini një Përgjigje