Agjencitë izraelite të inteligjencës paralajmërojnë se Irani është gati që të sulmojë ushtarakisht Izraelin, duke përdorur territorin irakian dhe kjo gjë mund të ndodhë shumë shpejt, madje përpara mbajtjes së zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
Lajmi u dha nga agjencia e lajmeve Axios, e cila citon dy burimeve që tregojnë se sulmi pritet të kryhet nga Iraku duke përdorur një numër të madh dronësh dhe raketash balistike.
Ndërkohë, New York Times raporton se në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Sigurisë, lideri shpirtëror Ali Khamenei, e ka dhënë urdhrin që trupat të jenë gati për të sulmuar Izraelin.
Gjatë ditëve të fundit, autoritetet në Iran kanë bërë një bilanc të dëmeve që lanë pas sulmet e fundit izraelite ndaj bazave të prodhimit të raketave dhe infrastrukturës energjetike.
Sipas Khamenei, pasojat e këtyre sulmeve janë shumë të mëdha dhe nuk mund të injorohen pa një kundërpërgjigje adekuate.
Ndërkohë disa civilë izraelitë humbën jetën gjatë 24 orëve të fundit në zonën veriore të Izraelit si pasojë e dy sulmeve të ndara me raketa nga militantët e Hezbollahut.
Hezbollahu pranoi se kishte gjuajtur breshëri raketash drejt zonës Krayot në veri të Haifës dhe ndaj forcave izraelite në jug të qytetit libanez Khiam, i cili është përtej kufirit nga Metula.
Ushtria izraelite identifikoi dy predha që kalonin nga Libani dhe binin në një zonë të hapur pranë Metula të enjten në mëngjes.
Sulmet vdekjeprurëse me raketa në veri të Izraelit erdhën pasi dy të dërguar të posaçëm të SHBA-së u takuan me kryeministrin Benjamin Netanyahu në Jerusalem për të diskutuar një marrëveshje të mundshme armëpushimi për t'i dhënë fund luftës me Hezbollahun.
Netanyahu i tha Amos Hochstein dhe Brett McGurk se çështja kryesore ishte ajo që ai e quajti aftësia e Izraelit për të "prishur çdo kërcënim ndaj sigurisë së tij nga Libani në një mënyrë që do t'i kthejë banorët të sigurt në shtëpitë e tyre".
Lini një Përgjigje