
Edhe pse problemi i shqetëson të gjithë, ai konsiderohet shpesh shumë delikat për t’u diskutuar në nivel kombëtar, dhe aq më pak në nivel global.
Krimi i organizuar transnacional është një paradoks:është i kudondodhur, por i padukshëm. Ndërsa taktikat kriminale po evoluojnë me shpejtësi, reagimi që vjen nga qeveritë është shpeshherë statik. Kur rrjetet kriminale ndihen ngushtë në një juridiksion, ato zhvendosen me shpejtësi në një tjetër.
Edhe pse problemi i shqetëson të gjithë, ai konsiderohet shpesh shumë delikat për t’u diskutuar në nivel kombëtar, dhe aq më pak në nivel global. Për pasojë, komunitetit ndërkombëtar - përfshirë Kombet e Bashkuara dhe shtetet e tyre anëtare - i mungon një strategji koherente dhe e koordinuar për ta trajtuar atë.
Kjo qasje duhet të ndryshojë. Krimi i organizuar ndërkufitar, përbën një kërcënim të madh për paqen, sigurinë, të drejtat e njeriut, qeverisjen, mjedisin dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Sipas Nismës Globale kundër Krimit të Organizuar Transnacional, mbi 80 për qind e popullsisë së botës banon në vende me nivele kriminaliteti shumë të larta e të rrezikshme. Por teksa duket se ka një ndërgjegjësim në rritje për problemin, përgjigjet janë ende reaktive, të fragmentuara dhe të jo të financuara si duhet. Krimi i organizuar transnacional - nga trafiku i drogës dhe ai i qenieve njerëzore, tek shitja e mallrave të falsifikuara dhe krimi kibernetik - depërton në shumicën e qyteteve, lagjeve dhe shtëpive.
Në Shtetet e Bashkuara, mbi 90 për qind e kartëmonedhave 1-dollarëshe në qarkullim janë të ndotura nga gjurmët e mbetura të kokainës dhe drogave të tjera. Në Indi, 66 për qind e njerëzve pretendojnë se kanë rënë viktimë e mashtrimeve në internet. Por me gjithë përhapjen e tij, krimi i organizuar është jashtëzakonisht i vështirë për t’u matur.
Sepse nuk ka ende një përkufizim global mbi këtë term, dhe as ka stimuj të fortë për të inkurajuar bashkëpunimin ndërkombëtar kundër kriminalitetit ndërkufitar. Ndërkohë, aktorët dhe sjelljet kriminale përhapen nga bota e krimit, duke depërtuar në institucionet qeveritare, bizneset private dhe ndërveprimet e përditshme.
Ndërsa origjinën e krimit të organizuar transnacional mund ta gjejmë tek piratët dhe mercenarët gjatë shekujve të kaluar, ky fenomen ka lulëzuar shumë që nga fundi i Luftës së Ftohtë, për shkak të 3 tendencave të gjera. E para është globalizimi, pra ndërvarësia në rritje e krijuar nga flukset ndërkufitare të mallrave dhe shërbimeve, investimeve, njerëzve dhe informacionit.
Zgjerimi i tregtisë dhe përhapja e parajsave tatimore dhe zonave të veçanta ekonomike, nënkuptonte që grupet kriminale mund të arrinin tek klientë të rinj në mbarë globin, të përdornin zinxhirët globalë të furnizimit dhe të shfrytëzonin rregulloret e dobëta bankare të disa vendeve.
Edhe kur janë shtrënguar kontrollet kufitare, siç ka ndodhur vitet e fundit, rrjetet kriminale transnacionale kanë pasur fitime edhe më të mëdha, sepse paguhen ekstra për të transportuar mallra të paligjshme për të plotësuar kërkesën. Ndërkaq, dixhitalizimi po e përshpejton përhapjen dhe ndikimin e krimit të organizuar, duke i ndihmuar aktorët e këqij të gjejnë klientë dhe viktima të reja.
Përhapja e internetit, kriptimit dhe Inteligjencës Artficiale ia ka ulur shumë kostot krimit, duke ia bërë më të lehtë shmangien e zbatimit të ligjit dhe kalimin nga një juridiksion në tjetrin. Ndërkohë, teknologjitë e reja po krijojnë gjithashtu risi, duke filluar nga armët e zjarrit të printuara në 3D, drogat sintetike, deri tek mashtrimet e llojeve të reja në internet.
Së fundmi, shtimi i tensioneve gjeopolitike e ka përforcuar më tej kërcënimin dhe kompleksitetin e kriminalitetit ndërkufitar. Konfliktet e dhunshme , mosmarrëveshjet ekonomike dhe thellimi i polarizimit të brendshëm, po i shpërqendron qeveritë nga një qasje gjithëpërfshirëse për të luftuar krimin e organizuar transnacional.
Njëherazi, rritja e konkurrencës globale i ka dobësuar stimujt e qeverive për të bashkëpunuar, madje edhe për kërcënimet e përbashkëta, si ndryshimet klimatike, pandemitë dhe krimi. Nga ana tjetër qeveritë nën sanksione të ashpra -Irani, Mianmari, Koreja e Veriut, Rusia, Venezuela - po bashkëpunojnë drejtpërdrejt dhe tërthorazi me organizatat kriminale dhe rrjetet ndërmjetësuese, teksa kërkojnë tregjet e zeza për të blerë gjithçka, nga mineralet tek mikroçipet.
Sigurisht, përtej këtyre 3 tendencave të mëdha, ka edhe nxitës të tjerë të krimit të organizuar transnacional. Për shembull, rritja e pabarazisë është një faktor kryesor për shkak të mënyrës se si mund të dëmtojë sundimin e ligjit dhe të nxisë korrupsionin. Krizat ekonomike, pandemitë dhe ndryshimet klimatike, mund të ndikojnë gjithashtu tek tregjet kriminale.
Ndërsa ndryshon në intensitet nga vendi në vend, trafiku i drogës, armëve të zjarrit dhe i njerëzve (përfshirë atë të emigrantëve), si dhe krimet mjedisore, tregtia e kafshëve të egra dhe produkteve të falsifikuara dhe krimi kibernetik, duket se janë në rritje.
Në vitin 2023, Interpoli e përshkroi zgjerimin e krimit të organizuar transnacional si një “epidemi” që kërkon zbatimin e koordinuar të ligjit “në çdo rajon”. Ndërsa në prill të këtij viti, Bashkimi Evropian e cilësoi këtë problem si “një kërcënim të madh për sigurinë e brendshme të unionit”
Edhe pse është i vështirë për t’u matur, zgjerim ka pësuar edhe ekosistemi i korrupsionit, pastrimit të parave dhe ekonomive në hije që mundëson krimin e organizuar. Brukseli ja vlerëson se të paktën 2/3 e të gjithë kriminelëve përfshihen rregullisht në korrupsion, dhe mbi 80 për qind e rrjeteve kriminale përdorin struktura të ligjshme biznesi.
Krimi i organizuar ka një ndikim negativ shumë të madh, jo vetëm sepse është ndër bizneset më të mëdha në botë, duke fituar deri në 4 trilion dollarë në vit. Nëse shtohen kostot ekonomike të krimit kibernetik (në vitin 2022), atëherë shifër arrin në 12 trilion dollarë.
Për më tepër, Zyra e OKB-së për Drogën dhe Krimin vlerëson se 2-5 për qind e PBB-së globale pastrohet çdo vit, duke reflektuar shkallën në të cilën ekonomitë e ligjshme dhe të paligjshme janë të ndërthurura përmes transfertave financiare klandestine, mjeteve të dyshimta të investimeve dhe bizneseve legjitime.
Europol beson se të paktën 820 rrjete kriminale, me më shumë se 25.000 njerëz, operojnë në të gjithë BE-në. Shumë organizata kriminale, po i nënkontraktojnë aktivitetet e tyre si për shembull atentatet, operacionet e krimit kibernetik apo transportimin e kokainës dhe drogave sintetike.
Ndërkohë, kundërpërgjigjet agresive të organeve zbatimit të ligjit, kanë sjellë shpesh pasoja të padëshiruara, shpesh duke i ndarë grupet në fraksione më të vogla shumë më të dhunshme. Në vend të pak organizatave të konsoliduara të krimit global - mafia italiane, triadat kineze, kartelet kolumbiane, Yakuza japoneze apo organizatat kriminale ballkanike -sot kemi dhjetëra “super kartele” dhe mijëra lojtarë më të vegjël.
Ç’është më e keqja, grupet e krimit të organizuar po depërtojnë dhe po shkatërrojnë qeveritë kombëtare dhe ato lokale, si dhe bizneset legjitime. Një kombinim i karteleve, mafias, bandave, milicisë dhe grupimeve të tjera, po konkurrojnë në mënyrë alternative duke bashkëpunuar dhe në disa raste duke i kapur institucionet shtetërore.
Në shënjestër nuk janë vetëm agjencitë e sigurisë, drejtësisë dhe ato doganore, por edhe infrastruktura kritike , prokurimet publike ofruesit e shërbimeve, madje edhe agjencitë e inteligjencës. Bota e krimit po del nga hija për të përzgjedhur kandidatët, për të goditur kundërshtarët, financuar fushatat dhe për të ndikuar tek rezultatet e zgjedhjeve.
Ironikisht, kur kriminalizohet vetë politika, mbështetja për liderët populistë dhe autoritarë që premtojnë se do të “përballen me krimin”, mund të ushqejë një rreth vicioz që e çimenton më tej fuqinë e krimit të organizuar. Kështu, disa qeveri në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, po sigurojnë produkte dhe shërbime nga tregu global kriminal.
Të tjerat i kanë mjegulluar plotësisht vijat ndarëse midis politikës, biznesit dhe krimit. Udhëheqësit autoritarë që mbikëqyrin “krimin e organizuar shtetëror” punësojnë vrasës, rekrutojnë pastrues profesionistë të parave, punësojnë mercenarë dhe mbajnë hakera për të sulmuar disidentët dhe për të vjedhur gjithçka, nga Bitcoin tek ari.
Dhe pikërisht kur nevojitet urgjentisht një koordinim global për të luftuar krimin e organizuar transnacional, multilateralizmi është bërë gjithnjë e më problematik. Përgjigjet globale që duhet të jenë gjithëpërfshirëse, vendimtare dhe të shpejta, sabotohen nga mosmarrëveshjet dhe mosbesimi.
Pavarësisht nga shkatërrimet spektakolare të disa rrjeteve kriminale nga Interpol dhe Europol, qasja aktuale ndërkombëtare është mjerisht e pamjaftueshme. Ripërtëritja e bashkëpunimit shumëpalësh nuk do të ndodhë në mënyrë spontane. Ajo do të kërkojë përpjekje të përbashkëta, bazuar në peizazhin në zhvillim të krimit të organizuar transnacional, për të identifikuar interesat e përbashkëta dhe për të rivendosur besimin dhe reciprocitetin.
Veprimi kolektiv, kërkon një kuptim të përbashkët të kërcënimeve në zhvillim, të cilat nga ana e tyre kërkojnë strategji të diferencuara të zbatimit të ligjit, drejtësisë dhe parandalimit në nivel global, rajonal, kombëtar dhe lokal. Një sfidë tjetër është ndërtimi dhe ruajtja e besimit ndërmjet policisë, zyrtarëve të drejtësisë, grupeve të të drejtave të njeriut dhe institucioneve të zhvillimit, në mënyrë që të gjithë të mund të ndjejnë përfitimet e bashkëpunimit.
Vetëm atëherë do të jetë e mundur të mbështeten përpjekjet e të gjithë shoqërisë dhe të gjithë qeverisë për të çmontuar rrjetet kriminale transnacionale. Jetik është adresimi i drejtpërdrejtë i sfidave strukturore themelore që mundësojnë krimin e organizuar, nga varfëria dhe pabarazia, deri tek rregulloret e dobëta financiare dhe parajsat tatimore.
Ashtu siç janë investimet në ndërtimin e institucioneve dhe komuniteteve elastike. OKB-ja duhet të luajë një rol kyç për të ndihmuar në rindërtimin e regjimit global të kontrollit të krimit. Ajo mund ta përdorë fuqinë e saj për të punuar drejt një konsensusi global, për të forcuar qeverisjen, partneritetet ndërmjetësuese dhe për të nxjerrë në pah dividentët e bashkëpunimit shumëpalësh.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së ndërmori një hap të rëndësishëm, kur e bëri këtë çështje një prioritet në vitin 2023. Por ajo mund të shkojë më tej duke krijuar një qasje të përbashkët strategjike midis shteteve anëtare, agjencive dhe partnerëve të shoqërisë civile.
Subjektet ndërkombëtare dhe rajonale si G20, duhet gjithashtu të pranojnë kërcënimet e ndryshme dhe në rritje të paraqitura nga krimi i organizuar transnacional dhe të mbrojnë strategjitë gjithëpërfshirëse dhe përdorimin e teknologjive të reja.
Bankat dhe sektori privat, kanë një rol me rëndësi, nga forcimi i masave kundër korrupsionit deri tek raportimi kur industritë janë viktima të krimit. Po ashtu, qeveritë duhet të përmirësojnë ndarjen e të dhënave të inteligjencës. Një strategji që nuk është gjithëpërfshirëse, nuk mund të cilësohet aspak e tillë./Përshtati "Pamfleti" nga “Project Syndicate”
*Shënim:Robert Muggah, bashkëthemelues i Institutit Igarape, dhe këshilltar i Raportit të Rreziqeve Globale.
Lini një Përgjigje