TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Gusht 2024, 20:43

Ja si kinezët po i mësojnë shumë lehtë sekretet e armëve amerikane!

Shkruar nga Luca Bianco

Ja si kinezët po i mësojnë shumë lehtë sekretet e

Rusët kanë mësuar të ndërhyjnë në sistemin GPS që drejton raketat amerikane dhe evropiane, duke i detyruar ato të humbin objektivin e tyre, ose duke e shpërthyer ngarkesën eksplozive ndërsa janë ende në fluturim.

Në këtë periudhë të trazuar që po jetojmë, nuk ka vend që ta “vlerësojë” më shumë luftën sesa Kina. Për vite me radhë, Ushtria Çlirimtare Popullore ka përjetuar një rritje të ndjeshme të financimeve nga udhëheqësi Xi Jinping. Por nëse ka diçka që i ka munguar gjithmonë, ajo është përvoja në fushën e betejës.

Sepse lufta e fundit e zhvilluar nga ish-perandoria qiellore, ishte konflikti i vogël në lumin Mekong, kundër “kushërinjve” vietnamezë në vitin 1979. Që atëherë, ka pasur shumë stërvitje, shfaqje simbolike të forcës, sidomos në Detin e Kinës, por asgjë më shumë.

Ndërsa amerikanët kanë një përvojë shumë më të madhe:dy luftëra në Gjirin Persik, luftërat në ish-Jugosllavi dhe në Afganistan, vetëm sa për të përmendur më të rëndësishmet. Prandaj konflikti në Ukrainë, ku po përdoren pajisje dhe armatime të prodhimit perëndimor, i jep mundësinë gjeneralëve kinezë - falë informacionit që u kanë transmetuar nga miqtë e tyre rusë - që të krijojnë një ide, të studiojnë në detaje mjetet e kundërshtarëve.

Pra të vjedhin teknologjinë e luftës së atyre që në të ardhmen, duke u nisur nga një përplasje hipotetike mbi Tajvanin, mund të bëhen armiq të tyre. Avantazhi i dyfishtë, është se e gjithë kjo grabitje është praktikisht pa kosto. Asnjë ushtar i vetëm kinez, nuk ka vdekur deri më sot për të marrë këto informacione të çmuara.

Një ide të qartë mbi këtë problem, na e jep një investigim i kohëve të fundit i amerikanes “Wall Street Journal”, që duket se dëshiron t’i paralajmërojë autoritetet atje, por edhe presidentin e ardhshëm, kushdo qoftë ai:në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara dhe NATO, janë duke rrezikuar epërsinë e tyre teknologjike - dhe rrjedhimisht mekanizmin e tyre parandalues - përballë të ashtuquajturit “Boshti i Rezistencës”, i drejtuar nga Moska dhe Pekini.

Ky investigim gjen jehonë edhe tek deklarata e fundit e Ministri italian të Mbrojtjes, Guido Crosetto, gjatë një raportimi në parlament. Burimet ushtarake ukrainase dhe perëndimore të konsultuara nga gazeta ekonomike “Stars and Stripes” pajtohen me këtë shqetësim:në Ukrainë, avantazhi që u ofrohet forcave të armatosura të Kievit duke u dërguar armë dhe teknologji nga Perëndimi, po ngushtohet gradualisht nga forcat e Vladimir Putinit, teksa këto të fundit po përshtaten me sistemet e armikut, falë aftësive të tyre të frikshme të luftës elektronike.

Rusët kanë mësuar të ndërhyjnë sistemin GPS që drejton raketat amerikane dhe evropiane, duke i detyruar ato të humbin objektivin e tyre, ose duke e shpërthyer ngarkesën eksplozive ndërsa janë ende në fluturim.

Kështu ndodhi për shembull në mesin e vitit 2023, kur gjeneralët ukrainas nisën të heqin dorë nga M982 Excaliburs të dërguara nga Kanadaja, Gjermania, Holanda, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar dhe ndoshta edhe nga Italia.

Fjala është për predha artilerie të prodhuara nga kompania americane Raytheon dhe ajo britanike Bae Systems, të specializuara për t’i shkaktuar dëme maksimale objektivit me koston më të ulët të mundshëm sa i përket efekteve anësore.

Janë predha të kalibrit 155 milimetra, të afta për të goditur objektiva deri në 40 kilometra largësi me një saktësi shumë të madhe, e cila është përmirësuar gjatë viteve të përdorimit në rrugët e Bagdadit, Kirkukut, Falluxhës, Mosulit nga ushtria amerikane.

Një njëjtin fat kanë pësuar edhe armë të tjera perëndimore. Kundërmasat elektronike ruse e kanë ulur në mënyrë dramatike saktësinë e raketave të drejtuara të lëshuara nga sistemin raketor amerikan Himars.

Pra të njëjtat sisteme armësh - raketahedhës të projektuar në mesin e viteve 1990 nga Lockheed Martin, dhe të përdorura gjerësisht nga forcat amerikane në Afganistan, Siri dhe Irak - e kishin humbur befas avantazhin strategjik që u krijua në konfliktin ruso-ukrainas gjatë verës së vitit 2022, kur edhe ndodhi kundërsulmi i parë i ushtrisë së Ukrainës.

Këto sisteme përdoren nga amerikanët por edhe nga Australia, Emiratet e Bashkuara Arabe, Jordania, Polonia, Rumania, Singapori, dhe së shpejti do të jenë të disponueshme në arsenalet e Suedisë, Filipineve, Tajvanit dhe madje edhe të Italisë (duke filluar nga viti 2027).

Dhe nuk është aspak inkurajuese për krerët ushtarakë të këtyre vendeve, që të zbulojnë se armiku i mundshëm i së ardhmes, i di tashmë të gjitha truket sesi mund të prodhohen këto njësi që kushtojnë 20 milionë dollarë secila. Tani frika e përhapur midis udhëheqësve ushtarakë ukrainas, është se rusët do të jenë në gjendje t’i përshtaten edhe sulmeve nga armët  ushtarake perëndimore akoma më vdekjeprurëse.

Nga raketat balistike amerikane ATACAMS tek raketat rrëshqitëse Storm Shadow të prodhuara nga MBDA, konsorciumi i krijuar nga Franca, Italia dhe Britania e Madhe. Ky i fundit, shkatërroi brenda pak muajsh aeroportet e armikut, qendrat komanduese dhe infrastrukturën në Krimenë e pushtuar.

Për të mos përmendur bateritë e frikshme S-400, simbolin e krenarisë së ushtrisë ruse në këtë konflikt. Aftësitë e Rusisë për të zhvilluar kundërmasa të suksesshme elektronike, dhe siç raportohet nga disa hetime të mediave të pavarura perëndimore dhe joperëndimore për t'i ndarë ato me shërbimin sekret dhe ushtrinë e Republikës Popullore të Kinës, përbëjnë një problem të madh strategjik për Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.

Në fakt, nuk është ndonjë sekret që shtylla kurrizore e doktrinave ushtarake të zhvilluara nga vendet e NATO-s që nga fundi i Luftës së Ftohtë, është bazuar tek një supozim kryesor:ulja e kostove, kursimi i numrit të trupave, tankeve dhe artilerisë, dhe përqendrimi kryesisht tek cilësia.

Pra më shumë saktësi sesa sasi. Tek bombardimet strategjike, në vend të vendosjes së trupave në terren. Tani problemi është se armiku që duhet luftuar, nuk është më ushtria e Sadam Huseinit apo milicitë talebane në Afganistan. Tani në anën tjetër, gjenden forca të fuqishme të mëdha ushtarake si Rusia dhe Kina. Sa më shumë që kalon koha, aq më shumë Moska dhe Pekini e dinë se si funksionojnë armët tona perëndimore./Përshtati "Pamfleti" nga  “Huffington Post Italia”

 

Lini një Përgjigje