
Nëse bie Hamasi dhe nuk ka asnjë autoritet legjitim politik palestinez të aftë për të mbushur boshllëkun që lë pas, Izraeli mund do ta gjejë veten në një lloj të ri Ferri.
Një vit pas fillimit të Luftës së Dytë Botërore, Kabineti i Luftës i Mbretërisë së Bashkuar krijoi një komitet që do të ishte përgjegjës për sqarimin e objektivave të Britanisë së Madhe në atë konflikt. Një vit më pas, kryeministri Winston Churchill dhe presidenti i SHBA-së Franklin D.Roosevelt miratuan Kartën e Atlantikut, e cila shpalli qëllimet e tyre në luftë dhe një vizion të përbashkët për të ardhmen.
Ndërsa Izraeli po e vazhdon fushatën e tij të pamëshirshme ushtarake ajrore dhe tokësore kundër Hamasit - dhe teksa po thellohet kriza humanitare në Gaza - presidenti i SHBA Joe Biden shpreson i dëshpëruar që aleatët e tij rebelë izraelitë të ndërmarrin një përpjekje të ngjashme.
Por deri më sot, kryeministri izraelit Binyamin Netanyahu ka refuzuar të diskutojë ndonjë vizion mbi një marrëveshje politike që do t’i jepte fund luftimeve në Gaza, e lëre më pastaj për një paqe më të gjerë izraelito-palestineze. Në fakt, shkatërrimi aktual në Gaza duket se nuk i shërben aspak qëllimit strategjik.
Objektivi i vetëm real i Netanyahut duket të jetë politik: të ruajë kohezionin e koalicionit të tij të ekstremit të djathtë, në mënyrë që të mund të qëndrojë në pushtet. Dhe para së gjithash kjo nënkupton vazhdimin e luftës. Ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, i Fuqisë Hebraike të së djathtës ekstreme, kërcënoi se do të prishte koalicionin nëse Izraeli i ndalon operacionet e tij ushtarake në Gaza.
Sipas Netanyahut, vetëm kur të lirohen të gjithë pengjet izraelitë të mbajtur në Gaza dhe të arrihet “zhdukja” totale dhe e pakushtëzuar e Hamasit, mund të ndalet lufta dhe të zbatohet një marrëveshje (mundësisht duke përfshirë një pushtim të ri izraelit të Gazës).
Por ky synim është sa jorealist aq edhe i rrezikshëm. Hamasi është një organizatë nacionaliste islamike me rrënjë të thella dhe me një mbështetje të konsiderueshme. Që nga themelimi i tij në vitin 1987, Hamasi e ka kërcënuar sundimin ekskluziv të Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP) në Bregun Perëndimor.
Në fakt, “bashkëpunimi për sigurinë” midis Autoritetit Palestinez dhe Izraelit, nuk ka qenë asgjë më shumë se sa një eufemizëm për një betejë të përbashkët kundër Hamasit në Bregun Perëndimor. Por Hamasi ka vazhduar të lulëzojë.
Dhe tani, për shkak të qëndrimit të tij sfidues kundër ushtrisë izraelite në Gaza, ai po fiton popullaritet në mesin e palestinezëve, sidomos në Bregun Perëndimor, ku nuk ndjehen ende efektet shkatërruese të luftës të shkaktuar nga masakra e 7 tetorit që shkaktoi ky grupim ndaj civilëve izraelitë.
Nëse Hamasi arrin lirimin e të burgosurve palestinezë në këmbim të pengjeve të mbetura, siç edhe po negociohet aktualisht, popullariteti i tij do të arrijë kulmin. Sigurisht, ekziston një shans që Izraeli të ketë sukses në eliminimin e udhëheqjes ushtarake dhe politike të Hamasit, të dëmtojë zinxhirin e tij komandues, dhe të shkatërrojë aftësinë e tij për të funksionuar si një organizatë formale.
Por popullariteti i Hamasit sugjeron që kauza e tij do të mbetet në qendër të lëvizjes kombëtare palestineze. Në fakt, nëse do të ishte i mundur, shkatërrimi i Hamasit mund ta dëmtonte sigurinë e Izraelit. Sepse në mesin e kaosit që do të ekzistonte pas konfliktit, mijëra luftëtarë të Hamasit do t’i bashkoheshin bandave kriminale, si ato që tashmë me sa duket po mbajnë peng disa nga izraelitët.
Ndërsa të tjerët do t’i bashkoheshin grupeve salafiste që janë edhe më radikale. Në Lindjen e Mesme të kohëve moderne, boshllëqet politike nxisin gjithmonë dhunën dhe trazirat xhihadiste. Afganistani u bë një qendër e terrorizmit ndërkufitar gjatë pushtimit sovjetik në fund të viteve 1980.
“Kalifati” tashmë i zhdukur i Shtetit Islamik (ISIS) u shfaq në zonat e Sirisë dhe Irakut ku autoriteti qeveritar ishte rrëzuar gjatë viteve të kaosit dhe luftës civile. Ish-oficerët e ushtrisë irakiane të shpërbërë të Sadam Huseinit, formuan shtyllën kurrizore të këtij grupi radikal. Ish-oficerët ushtarakë irakianë forcuan edhe radhët e Al-Kaedës.
Pasoja është mëse e qartë. Nëse bie Hamasi dhe nuk ka asnjë autoritet legjitim politik palestinez të aftë për të mbushur boshllëkun që lë pas, Izraeli mund do ta gjejë veten në një lloj të ri Ferri. Krijimi i një zone të përhershme tampon midis Izraelit dhe Gazës, siç duket se ka ndërmend ta bëjë qeveria izraelite, do të ndikojë shumë pak për të parandaluar këtë rezultat. Përkundrazi, ajo vetëm sa do të pakësojë burimet izraelite, ashtu siç bëri “zona e sigurisë” në Libanin jugor derisa Izraeli u tërhoq në vitin 2000. Ndarjet dhe trazirat e qëndrueshme në anën palestineze i minojnë më tej perspektivat për një paqe të qëndrueshme pas konfliktit.
Partia politike Organizata për Çlirimin e Palestinës, Fatah, është e angazhuar për një zgjidhje të negociuar të konfliktit izraelito-palestinez. Por, siç e di mirë presidenti i OÇP Mahmoud Abbas, një Hamas gjithnjë e më popullor duhet të përfaqësohet në institucionet palestineze.
Një OÇP e “rigjallëruar” nuk mund të qeveriste në mënyrë legjitime Gazën pas luftës - siç kanë pretenduar Shtetet e Bashkuara - pa miratimin e Hamasit. Një miratim i tillë do të kërkonte pajtimin e përpjekjes së OÇP për një kompromis “politik” me luftën e Hamasit për të drejtat “historike” të Palestinës.
Por për Hamasin, miratimi i Marrëveshjeve të Oslos që OÇP negocioi me Izraelin është një gjë jo fillestare, sepse njohja e Izraelit dhe braktisja e luftës së tij të armatosur kundër “pushtuesit” - dy kushtet e Marrëveshjes - do të shkatërronte legjitimitetin e tij.
Hamasi publikoi së fundmi një deklaratë prej 18 faqesh, e cila e vë theksin tek nevoja për të ndëshkuar “pushtuesin sionist”, por nuk identifikon qëllime të arsyeshme të luftës dhe nuk përmend mundësinë e një partneriteti me OÇP apo të një zgjidhje politike. Me sa duket, as agonia biblike e Gazës dhe as shkatërrimi brutal i trupave të Hamasit dhe shkatërrimi i aseteve të tij strategjike, nuk mund të imponojnë një transformim ideologjik të kësaj lëvizjeje.
Për sa kohë që OÇP-ja nuk arrin të bashkojë Hamasin në procesin politik, do të jetë e pamundur të krijohet një qeveri legjitime palestineze në Gazën e pas konfliktit, për të mos folur pastaj për përmbushjen e ëndrrës së palestinezëve për një shtet të tyrin. Ky është një lajm i keq si për izraelitët, po ashtu edhe për palestinezët. Por kjo i shërben Netanyahut dhe koalicionit të tij të ekstremistëve. /Përshtati “Pamfleti” nga “Project Syndicate”
Shënim: Shlomo Ben-Ami, ish-Ministër i Jashtëm i Izraelit, aktualisht zv/president i Qendrës Ndërkombëtare të Toledos për Paqe dhe autor i librit “Profetë pa Nder: Samiti i Camp David 2000 dhe fundi i zgjidhjes me dy shtete”.
Lini një Përgjigje