Shtëpia e Bardhë njoftoi se tankerët e naftës kanë nisur të kalojnë sërish, ndonëse me ritëm të kufizuar, përmes Ngushticës së Hormuzit, një nga rrugët më të rëndësishme të transportit energjetik në botë.
Këshilltari ekonomik i presidentit amerikan, Kevin Hassett, deklaroi për CNBC se përpjekjet e Iranit për të kufizuar qarkullimin në këtë korridor detar nuk kanë shkaktuar dëme të ndjeshme në ekonominë e Shteteve të Bashkuara.
“Po shohim tashmë tankerë që nisin të kalojnë në numër të vogël, dhe kjo tregon sa të kufizuara janë mundësitë e Iranit në këtë fazë”, tha ai.
Hassett theksoi se administrata amerikane mbetet optimiste që konflikti do të përfundojë brenda disa javësh, dhe jo muajsh, duke shtuar se stabilizimi i situatës mund të ndikojë në çmimet e energjisë sapo furnizimi të normalizohet.
Ai paralajmëroi gjithashtu për rreziqe të mundshme në tregjet globale, duke përmendur shqetësimin se vendet aziatike mund të reduktojnë eksportet e produkteve të rafinuara drejt SHBA-së për të garantuar furnizimin e brendshëm.
“Ka sinjale që disa vende mund të mbajnë rezervat për nevojat e tyre. Ne kemi një plan për këtë situatë”, shtoi ai.
Ngushtica e Hormuzit mbetet një pikë kyçe për tregtinë globale të naftës, dhe çdo ndërprerje e saj ka potencial të ndikojë drejtpërdrejt në çmimet dhe stabilitetin energjetik ndërkombëtar.
Lini një Përgjigje