Një deklaratë e kryeministrit australian Anthony Albanese gjatë një interviste në një podcast ka shkaktuar polemika në Australi, duke e detyruar atë të kërkojë falje publike.
Albanese ishte i ftuar në podcastin Bush Deep të komedianes Nikki Osborne, ku gjatë bisedës iu drejtua një pyetje me karakter argëtues. Atij iu kërkua të zgjidhte me cilën nga Kylie Minogue, Nicole Kidman dhe Rhonda Burchmore do të preferonte të dilte në takim, të martohej ose të bënte seks.
Në fillim, kryeministri u përpoq ta shmangte përgjigjen, duke kujtuar se ishte martuar vetëm gjashtë muaj më parë. Megjithatë, më pas ai u përgjigj duke zgjedhur Kylie Minogue.
Deklarata u prit me kritika nga përfaqësues të politikës australiane. Një deputet e cilësoi komentin të papërshtatshëm, ndërsa një tjetër tha se ai ishte fyes ndaj grave dhe cenonte dinjitetin e postit të kryeministrit.
Pas reagimeve, Albanese publikoi të hënën një deklaratë të shkurtër, ku kërkoi falje pa rezerva për komentet e bëra gjatë intervistës.
Lini një Përgjigje