
Gjatë natës janë raportuar shpërthime në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev, si edhe në Odessa pranë kufirit me Rumaninë. Shpërthimet ndodhën në portin e Renit, në qytetin e Kilia dhe në rrethin e Izmail. Nga bastisja me dronë, raportohet se në rajonin e Odessa, ka humbur jetën një person. Kështu shkruan në Telegram kreu i administratës shtetërore rajonale Oleg Kiper.
"Për gati tre orë, terroristët rusë sulmuan Izmail me drone në rajonin e Odessa. Fatkeqësisht, një person ka humbur jetën. Një punonjës i një ferme. Janë shënuar shkatërrime dhe zjarre në vendbanime të ndryshme. U dëmtuan infrastruktura portuale dhe bujqësore: ashensorë, ndërtesa administrative, ferma”, shkroi ai.
Dy ditë më parë, Kievi tha se dronët rusë do të kishin rënë dhe do të kishin shpërthyer në territorin rumun gjatë një sulmi masiv të nisur nga Moska në zonën e portit lumor të Izmail. Megjithatë, Bukureshti e mohoi kategorikisht, duke njoftuar se po “monitoronte” situatën.
Ndërkohë, presidenti i Rumanisë, Klaus Iohannis, ka thënë se sulmet e reja në shtetin fqinj, Ukrainë, ndodhën “shumë, shumë pranë” kufirit rumun, pasi Rusia kreu sulme të vazhdueshme në infrastrukturën e Danubit në jug të Ukrainës.
“Sulme pati sot, më tregoi ministri i Mbrojtjes, të cilat u verifikuan 800 metra larg kufirit tonë. Shumë, shumë afër”, tha Iohannis gjatë një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Luksemburgut, Xavier Bettel, më 5 shtator.
Gjithashtu, grupi Wagner do të shpallet një grup terrorist nga qeveria britanike. Një projekt-ligj i paraqitur në Parlamentin britanik do të bëjë të mundur klasifikimin e pasurive të Wagner si pronë terroriste dhe sekuestrimin e tyre. Ministrja e Brendshme Suella Braverman tha se Wagner ishte "i dhunshëm dhe shkatërrues" dhe "veproi si një mjet ushtarak i Rusisë së Vladimir Putin jashtë vendit".
Lini një Përgjigje