Zyrtarët të lartë të Shteteve të Bashkuara dhe të Rusisë u takuan dje në Arabinë Saudite për të diskutuar mbi përmirësimin e marrëdhënieve dhe negociatat për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Bisedimet pasqyruan një ndryshim të madh dhe të shpejtë të politikës së jashtme amerikane nën drejtimin e Presidentit Donald Trump.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka deklaruar se në takimin e parë me Shtetet e Bashkuara për çështjen e luftës në Ukrainë janë dakordësuar “që sa më shpejt që të jetë e mundur” palët t’i kthejnë ambasadorët në dy vende dhe t’i heqin barrierat.
“Kam çdo arsye të besoj se pala amerikane e kupton pozicionin tonë”, ka thënë Lavrov.
Sipas ministrit të Jashtëm, Rusia do ta presë konfirmimin e përfaqësuesit të saj për bisedime.
Ai e konsideron “plotësisht të papranueshëm” vendosjen e trupave të NATO-s në Ukrainë.
“Ne vumë re se presidenti Trump ishte i pari nga udhëheqësit perëndimorë që tha se tërheqja e Ukrainës në NATO ishte një nga arsyet kryesore pas asaj që po ndodh, një nga gabimet më të mëdha të Bidenit.
Nëse Trump do të ishte president, kjo nuk do të kishte ndodhur kurrë. Ne shpjeguam sot se çdo paraqitje e forcave të armatosura nga vendet e NATO-s nën ndonjë flamur, nën flamurin evropian ose nën flamuj të tjerë, sigurisht që është krejtësisht e papranueshme”, ka deklaruar Lavrov.
Kur u pyet për qëndrimet e fundit të presidentit të Ukrainës, Lavrov tha: “Zelensky dhe gjithë stafi që e rrethon atë, nevojitet ta fshikullosh me një thupër nga duart për t’i bërë të arsyetojnë si duhet.”
Lavrov tha në një konferencë pas bisedimeve, se në takim ishte rënë dakord për një proces për zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë.
Ai tha se bisedimet ishin të dobishme, por anëtarësimi i Ukrainës në NATO ishte i papranueshëm, sikurse ishte e papranueshme dhe prania e trupave të NATO-s në Ukrainë.
“I shpjeguam kolegëve tanë atë që Presidenti Putin ka nënvizuar vazhdimisht, se zgjerimi i NATO-s, përfshirja e Ukrainës në NATO është një kërcënim direkt për interesat e Federatës Ruse dhe sovranitetit tonë”, tha Lavrov.
Ndërkohë Sekrerati i Amerikan, Marco Rubio, së bashku me shefin e sigurimit të Shtëpisë së Bardhë dhe negociatorin kryesor të Trump, thuhet se i kërkuan Rusisë që të dërgojë kushtet e saj për një armëpushim të menjëhershëm në frontet ukrainase që janë duke u ndezur aktualisht në Ukrainën Lindore dhe në provincën ruse të Kursk.
SHBA dhe Trump dëshirojnë që zhvillimet të shkojnë drejt një armëpushimi menjëherë dhe e kanë ngritur këtë çështje specifike me Rusinë si një kusht kyç, pasi Donald Trump synon të ndërtojë hapat e tij të ardhshëm mbi këtë, në të cilët do të përfshijë Kievin dhe Evropën nga njëra anë, ndërsa në të njëjtën kohë u kërkon atyre të angazhohen për të marrë pjesë në fazën tjetër të planit të tij të paqes dhe për të ofruar garanci sigurie me mjetet e tyre për Kievin.
Nga ana e saj, Rusia duket se i ka dhënë Uashingtonit, edhe pse jo zyrtarisht, mesazhin për t'i përcjellë palës ukrainase se sot Putin është në gjendje të ulet në të njëjtën tryezë me Zelensky-n "nëse plotësohen kushtet".
Lini një Përgjigje