
Të paktën 12 vende kanë rivendosur muajt e fundit masa, që nga Marrëveshjet të Shengenit cilësohen si “mjeti i fundit” për të shmangur kërcënimet serioze mbi sigurinë e brendshme apo rendin publik.
Na ishte njëherë e një kohë zona Shengen, një territor i lëvizjes së lirë të njerëzve me një sipërfaqe mbi 4 milionë kilometra katrorë. Produkti kryesor i ëndrrës së një Bashkimi Evropian pa kufij të brendshëm midis shteteve. Ndërkohë tani po shohim një rikthim masiv të kontrolleve “të përkohshme” në kufijtë kombëtare.
Të paktën 12 vende kanë rivendosur muajt e fundit masa, që nga Marrëveshjet të Shengenit cilësohen si “mjeti i fundit” për të shmangur kërcënimet serioze mbi sigurinë e brendshme apo rendin publik. Dhe me këtë hendek në rritje midis rregullave evropiane dhe politikave të zbatuara nga shtete individuale po manifestohet - ndoshta më dukshëm - “agonia e ngadaltë” e Bashkimit Evropian, e denoncuar edhe nga Mario Draghi në raportin e tij të fundit.
Sipas tij, nëse vetë Bashkimi rrezikon të shkatërrohet në mungesë të ndryshimeve rrënjësore, Zona Shengen duket si një organ tashmë i pajetë. Vendimi i Gjermanisë për të pasur për të paktën 6 muaj kontrolle më të rrepta në të gjithë kufijtë e saj tokësorë duke nisur nga data 16 shtatori, e çon në ekstrem një tendencë që është forcuar ndjeshëm vitin e fundit.
Ndër vendet e unionit që kohët e fundit kanë vendosur kontrolle “të përkohshme” kufitare - me justifikime të ndryshme, si kërcënimi terrorist apo rreziku i spiunazhit rus - janë Austria, Danimarka, Franca, Italia, Norvegjia, Sllovenia, Suedia dhe Finlanda.
“Përkohshmëria e këtyre masave, është një çështje shumë serioze, për të cilën Gjykata e Drejtësisë e BE-së ndërhyri me një vendim në vitin 2022, duke thënë qartë se periudha maksimale për rivendosjen e kontrolleve është 6 muaj”-thotë për HuffPost, Christopher Hein profesor i Drejtësisë dhe Politikave të Emigracionit dhe Azilit në Universitetin Luiss Guido Carli.
“Nëse një shtet anëtar dëshiron që ta zgjasë më tej zbatimin e kësaj mase, duhet të paraqesë një arsye të re, të ndryshme nga ajo e mëparshme. Vetë shtetet anëtare, japin interpretime shumë të ndryshme. Për shembull, arsyet e dhëna nga Gjermania janë migrimi i parregullt, trafiku i emigrantëve, ndryshimi i kushteve të jetesës në vendet e origjinës, pasojat e agresionit rus në Ukrainë etj.
Pra siç shihet, nuk bëhet fjalë për ngjarje të veçanta, të cilat do të përbënin arsye të vlefshme, por për situata të përhershme. Është më se e qartë se prapa këtyre masave ka një arsye politike. Pasoja është se në këtë periudhë, shtetet anëtare përpiqen që të gjejnë frazat e duhura me të cilat të justifikojnë mohimin e Marrëveshjeve të Shengenit dhe anashkalimin e vendimit të Gjykatës të Drejtësisë”, shton ai.
Rasti i Berlinit është veçanërisht domethënës, pasi qeveria e Olaf Scholz vendosi që të zgjasë në kohë kontrollet kufitare - të zbatuara pjesërisht kohë më parë - në të gjithë kufijtë e vendit dhe në të gjitha pikat e kalimit kufitar, me synim ndalimin e hyrjes së emigrantëve të paligjshëm, si dhe për t’u mbrojtur nga “rreziqet serioze që vijnë nga terrorizmi islamik”.
Një zgjedhje e bërë pas sulmit në Solingen (nga një sirian dhe i marrë përsipër nga ISIS), por qartësisht e diktuar edhe nga motive politike. Në fillim të muaji, AfD (Alternativa për Gjermaninë) u bë partia e parë e ekstremit të djathtë që nga Lufta e Dytë Botërore që fiton zgjedhjet rajonale, konkretisht në Turingi, pasi bëri një fushatë agresive kundër migracionit.
Ai është edhe shqetësimi kryesor i votuesve në Brandenburgut, ku do të votohet pas 2 javësh. Ministrja e Brendshme Nancy Faeser, ka nisur bisedimet me Unionin CDU-CSU, partia kryesore e opozitës, por nuk ka dhënë ende asnjë detaj mbi aspektet më të diskutueshme të këtij plani.
Qeveria ka hartuar një skemë, e cila i lejon autoritetet të sprapsin më shumë emigrantë direkt në kufij. Por është një veprim kompleks nga pikëpamja juridike. Këto kontrolle, mund testojnë fort unitetin evropian nëse autoritetet gjermane do t’u kërkojnë vendeve të tjera të pranojnë një numër të konsiderueshëm azilkërkuesish dhe emigrantësh.
Gjermania ndan një kufiri tokësor mbi 3700 kilometra të gjatë me Danimarkën, Holandën, Belgjikën, Luksemburgun, Francën, Zvicrën, Austrinë, Republikën Çeke dhe Poloninë. Kryeministri polak Donald Tusk, e ka konsideruar “të papranueshëm” ndryshimin e qasjes së Berlinit mbi këtë çështje:”Ne do t’i kontaktojmë vendet e tjera të prekura nga vendimet e Berlinit mbi forcimin e kontrolleve kufitare për ta diskutuar urgjentisht këtë çështje në Bruksel”, deklaroi ai.
Edhe Austria ka reaguar ashpër. Ministri i Brendshëm Gerhard Karner, deklaroi të hënën për gjermanen “Bild” se vendi i tij nuk do të mirëpresë asnjë emigrant të refuzuar nga Gjermania në kufi. “Për këtë lëvizje nuk ka vend për kompromis”- u shpreh ai shkurt.
Gjermania ka të drejtë që të kthejë emigrantët tek një vend tjetër të BE-së, nëse ky i fundit është përgjegjës për kërkesën e tyre për azil, shtoi ministri austriak, duke nënvizuar nevojën për një procedurë zyrtare dhe pëlqimin e shtetit anëtar të interesuar.
Nga ana e saj, Austria ka vendosur tashmë kontrolle në kufi me Sllovakinë dhe Republikën Çeke (që skadon më 15 tetor) dhe me Slloveninë dhe Hungarinë (deri më 11 nëntor), duke u justifikuar me presionin e madh mbi sistemin e pritjes për azilkërkuesit, si dhe shqetësimet e sigurisë, të shtuara nga grupet terroriste dhe rrjete kriminale të lidhura me luftën në Ukrainë.
Por kjo sjellje rrezikon të jetë vetëm fillimi. Në zgjedhjet e 29 shtatorit partia FPÖ është favorite për të fituar, dhe në programin e saj ka pika të tilla si “promovimi i ri-emigrimit”, por edhe uljen drastike të rasteve për të cilat jepet e drejta për azil (dhe ndoshta të kohëzgjatjes së saj) si dhe forcimin e kulturës austriake kundër “hegjemonisë së një kulture të huaj”.
Në Holandë, udhëheqësi i së djathtës ekstreme Geert Wilders premton të njëjta gjëra. “Nëse Gjermania mund ta bëjë këtë, pse jo edhe ne? Për mua, sa më shpejt aq më mirë”- tha Wilders për gazetën vendase De Telegraaf, duke kujtuar se marrëveshja për qeverinë e re parashikon shtimin e kontrolleve kufitare.
Ndër vendet e tjera që po ndihmojnë shkatërrimin e Shengenit është padyshim edhe Italia. Qeveria Meloni ka rinisur kontrollet kufitare të paktën deri më 18 dhjetor, duke e justifikuar me shqetësimet për aktivitetin terrorist, luftën në Ukrainë dhe rreziqet e dhunës të lidhura me presidencën italiane të G7.
Ministria e Brendshme italiane, tha se e konsideron “legjitim” veprimin e Gjermanisë. Në fakt Italia kishte rivendosur kontrollet kufitare me Slloveninë që në qershor, pra para samitit të G7, duke motivuar lëvizjen me rrezikun e infiltrimit të terroristëve gjatë të ashtuquajturës Rruga Ballkanike.
Ndërkohë vetë Sllovenia, ka vendosur kontrolle kufitare me Kroacinë dhe Hungarinë deri më 21 dhjetor, duke përmendur përkeqësimin e situatës së sigurisë në Lindjen e Mesme dhe Ukrainë, kërcënimin e madh nga terrorizmi dhe krimi i organizuar në Ballkanin Perëndimor.
Edhe Franca ka rivendosur kontrollet në kufijtë e saj me vendet e Shengenit. Tani për tani afati i mbarimi të kësaj mase është 31 tetor, më pas kush e di se çfarë do të ndodhë. “Shkatërrimi i ngadaltë i Shengenit, ka filluar nga dhjetori i vitit 2022, kur presidenti francez Emmanuel Macron kërkoi këtë masë pas disa sulmeve terroriste në Francë. Nuk ka dyshim se kërcënimi nga terrorizmi ekziston.
Por problemi - ose më saktë, tragjedia - është se përgjigja është kombëtare, pra e shteteve anëtare individuale, pasi ne nuk kemi një politikë të përbashkët të BE-së për çështjet penale. E di se është e vështirë të bëjmë paralele, por në SHBA, ku ekziston terrorizmi, Donald Trumpit as që i shkoi në mendje të vendosë kontrolle midis shteteve.
Terrorizmi është një krim federal, pra nën juridiksionin e FBI-së, dhe s’ka asnjë lidhje me lëvizjen e njerëzve nga Kalifornia në New Jersey. BE-ja nuk i ka mjetet për të mbrojtur veten nga terrorizmi. Ne kemi vërtet Europol dhe Eurojust, por ato janë vetëm institucione të koordinimit të forcave kombëtare.
Ne nuk kemi një FBI. Kemi Frontex si polici kufitare, por është i vetmi sektor ku ne kemi gjithnjë e më shumë një forcë policore unike të BE-së. Mungesa e një përgjigjeje të bashkuar,
së bashku me rikthimin tek nacionalizmi, bën që çdo vend të mbyllë kufijtë e tij kombëtare, pavarësisht se kemi një BE, e cila duhet të rritet si i tillë dhe të mos shkërmoqet si pasojë e situatave të veçanta.
Secili po ndjek rrugën e vet, duke mbyllur kufijtë kombëtarë, akt i kundërt më frymën që diktoi zhvillimi i Bashkimit Evropian që nga vitet 1980, kur nisi të fliste për lirinë e lëvizjes së njerëzve, kapitalit, mallrave dhe shërbimeve”, thotë Hein.
Shumë njerëz janë të shqetësuar që një vend si Gjermania, e cila ka qenë gjithmonë kampione e promovimit të Bashkimit Evropian, e gjen tani veten në krye të lëvizjes për shfuqizimin e Shengen./Përshtati “Pamfleti” nga “Huffington Post”
Lini një Përgjigje