Shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes së Izraelit, Eyal Zamir, deklaroi se ushtria izraelite do të vijojë operacionet ushtarake në jug të Libanit, duke theksuar se nuk ekziston armëpushim me Hezbollahun, por një situatë e vazhdueshme lufte.
Gjatë një vizite pranë zonës së Bint Jbeil, Zamir u shpreh se forcat izraelite janë ende në terren luftimi dhe se kjo zonë mbetet një nga pikat kryesore të përballjes.
Ai shtoi gjithashtu se, ndryshe nga situata me Hezbollahun, me Iranin aktualisht ka një armëpushim, por paralajmëroi se përplasjet mund të rifillojnë në çdo moment.
“IDF është në gjendje lufte, ne nuk jemi në armëpushim dhe vazhdojmë të luftojmë në këtë zonë, e cila është zona jonë kryesore e luftimeve”, tha ai.
Ndërkohë, në një deklaratë të veçantë, zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Avichay Adraee, njoftoi se IDF mund të nisë të shënjestrojë edhe ambulancat në Liban. Ky paralajmërim vjen pas akuzave ndaj Hezbollahut për përdorim të strukturave mjekësore për qëllime ushtarake.
Sipas Adraee, çdo veprim do të kryhet në përputhje me ligjin ndërkombëtar, duke theksuar se objektivat do të përfshijnë çdo aktivitet ushtarak të lidhur me Hezbollahun, përfshirë edhe ambulancat dhe objektet mjekësore.
“Ne do të veprojmë në përputhje me ligjin ndërkombëtar kundër çdo aktiviteti ushtarak të kryer nga Hezbollahu, përfshirë ambulancat dhe objektevat mjekësore,” deklaroi Adraee.
Lini një Përgjigje