SHBA i dërgoi një mesazh Putinit, Dodikut dhe Vuçiçit se nuk mund të shkaktojnë trazira në rajon...
Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dërguar një mesazh për Rusinë dhe gjithë ata që duan të nxisin përçarje në Ballkan. Nesër Milorad Dodik dhe ata që i shkojnë pas kremtojnë “Ditën e Republikës Srpska”, festë e cila është në kundërshtim me vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnje dhe Hercegovinës.
Po ashtu, Dodik me mbështetjen e Rusisë dhe Serbisë ka theksuar disa herë se po tenton shkëputjen e kësaj pjese të Bosnjes. Mirëpo SHBA për të dhënë një mesazh se kjo nuk ka për të ndodhur, ngriti sot dy avionë F-16 në fluturim në territorin e Bosnjes.
Avionët F-16 fluturuan si pjesë e stërvitjes së përbashkët me forcat boshnjake. Fluturimet u kryen në rajonet e qytetit lindor të Tuzlës dhe në veri të Bërçkos, sipas një deklarate nga ambasada e Shteteve të Bashkuara në Sarajevë.
“Kjo stërvitje dypalëshe është një shembull i bashkëpunimit të përparuar ushtarak që i kontribuon paqes dhe sigurisë në Ballkanin Perëndimor, si dhe demonstron përkushtimin e Shteteve të Bashkuara për të garantuar tërësinë tokësore të Bosnjës e Hercegovinës përballë veprimtarive kundër (marrëveshjes) së Daytonit. Shtetet e Bashkuara kanë nënvizuar se Kushtetuta e Bosnjës dhe Hercegovinës nuk përmban të drejtën e shkëputjes dhe do të veprojë nëse dikush përpiqet të ndryshojë këtë element themelor të marrëveshjeve të paqes së Dejtonit që i dha fund luftës së viteve 1992-95 në vend”, theksohet në deklaratë.
Konflikti etnik në vitet 1990 shpërtheu pasi serbët e Bosnjës donin të krijonin shtetin e tyre dhe t’i bashkoheshin Serbisë fqinje. Më shumë se 100,000 njerëz u vranë përpara se lufta të përfundonte me një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, e cila krijoi entitetet serbe dhe boshnjako-kroate që mbahen të lidhura nga institucionet e përbashkëta.
Milorad Dodik, i cili është president i entitetit serb të quajtur Republika Serbe, ka sfiduar sanksionet amerikane dhe britanike mbi politikat e tij. I mbështetur nga Rusia, ai ka kërcënuar vazhdimisht se do të shkëpus gjysmën e drejtuar nga serbët nga pjesa tjetër e Bosnjës.
Qeveria e Dodikut filloi të hënën kremtimin e një feste të diskutueshme kombëtare që gjykata e lartë e Bosnjës e ka shpallur të paligjshme. Më 9 janar të vitit 1992, serbët e Bosnjës shpallën krijimin e një shteti të pavarur në Bosnje, gjë që çoi në gjakderdhje.
Mediat boshnjake raportuan se zhurma e avionëve mund të dëgjohej në qytetin veriperëndimor të Banja Llukës, kryeqyteti i entitetit serb, gjatë një tubimi ceremonial atje. Në një fjalim Milorad Dodiku përsëriti se “qëllimi i popullit serb është një shtet serb në këto zona”.
Milorad Dodiku ironizoi me fluturimet duke thënë ato do të kontribuojnë në festimet e së martës, të cilat zakonisht përfshijnë një parakalim të policisë së armatosur dhe shfaqjen e pajisjeve të tyre.
Por avionët amerikanë duket se e trembën Dodik, i cili e zbuti retorikën e shkëputjes.
Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës i tha të hënën agjencisë së lajmeve Reuters se nuk kishte plane për të kërkuar shkëputjen, duke u tërhequr nga thirrjet e mëparshme për një republikë të ndarë, mes shtimit të trysnisë nga Shtetet e Bashkuara.
“Ne nuk bëjmë thirrje për revolucion. Ne nuk po përgatitemi për luftë, ne po përgatitemi për vendime politike në nivel të parlamentit shtetëror dhe në nivel të parlamentit të Republikës Serbe”, tha Milorad Dodik.
Ngritja e avionëve ishte mesazh i qartë për Rusinë, ku SHBA po i tregon se ajo është aty dhe nuk do të lejojë një luftë të re në Ballkan. /Pamfleti
Lini një Përgjigje