TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Nëntor 2025, 18:37

SHBA dhe NATO duhet të mbrojnë atë që ka mbetur nga demokracia e Turqisë

Shkruar nga Sinan Ciddi & William Doran
SHBA dhe NATO duhet të mbrojnë atë që ka mbetur nga
Recep Tayyip Erdogan

Erdogan po rrënon demokracinë gur më gur dhe Perëndimi po e sheh pa reaguar

Lëvizjet e fundit të Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, në ofensivën e tij me “ligj kundër opozitës”, tregojnë një kombinim të rrezikshëm mes dëshpërimit dhe llogaritjes politike, ndërsa ai përpiqet të zgjerojë kontrollin autokratik mbi shtetin. Prej vitesh, Erdogan ka punuar për të goditur Partinë Popullore Republikane (CHP), e vetmja forcë politike me kapacitet real për t’i bërë ballë regjimit. Arrestimet e figurave kyçe, përfshirë kryebashkiakun e Stambollit Ekrem Imamoglu, si dhe vendimet gjyqësore për të shpërbërë drejtimin e partisë, përbëjnë një autogoditje të heshtur dhe të zgjatur ndaj rendit demokratik.

Ndërsa vendi pret rezultatet e radhës nga ky ofensivë juridike, Erdogan ka zhvendosur fokusin drejt Ankarasë, me synimin për të penguar CHP-në të prodhojë një kandidat të fortë presidencial për vitin 2028. Sa më shumë afron fundi teorik i mandatit të tij, aq më agresive bëhen lëvizjet për të paralizuar opozitën.

Metoda pas strategjisë së Erdogan-it

Objektivi kryesor është konsolidimi i një shteti partiak. Që nga vjeshta e vitit 2024, institucionet nën kontrollin e AKP-së kanë autorizuar arrestimin e qindra zyrtarëve të CHP-së, përfshirë kryebashkiakë të rëndësishëm. Imamoglu, tetë muaj pas arrestimit, vazhdon të mbahet në paraburgim pa akuza formale, ndërsa gjykatat e kontrolluara nga qeveria kanë prodhuar vendime të shpejta për të justifikuar dënime të tjera të mëparshme.

Përveç goditjes politike, qeveria ka intensifikuar presionin ndaj medias. Verës 2025 gjykatat nisën procese të reja kundër gazetarëve të pavarur, ndërsa figura të njohura televizive, si Fatih Altayli, u arrestuan nën akuza absurde “kërcënimi” ndaj presidentit, vetëm pse shfaqën kritika publike. Qëllimi është i qartë: askush me ndikim mediatik nuk duhet të sfidojë rrëfimin e qeverisë.

Edhe sektori privat është vënë nën shënjestër. Raportime ndërkombëtare kanë dokumentuar se si AKP ka përdorur ligjet anti-korrupsion për të konfiskuar qindra kompani private, duke i kaluar në fondin shtetëror të garantimit të depozitave, një mekanizëm që po kthehet në skemë pasurimi për zyrtarët e partisë.

Qëllimi i dytë strategjik është ta reduktojë opozitën në një simbol bosh. Rasti i Imamoglu-t e ilustron qartë: një ditë para arrestimit, Universiteti i Stambollit i hoqi vlefshmërinë diplomës së tij, një kriter i domosdoshëm për kandidimin presidencial. Arrestimi pastaj shërbeu si garanci shtesë, duke i futur zgjedhjet e CHP-së në krizë të thellë.

Sulmet janë zgjeruar ndaj drejtuesve të tjerë të partisë, përfshirë kreun kombëtar Ozgur Ozel dhe udhëheqjen lokale në Stamboll. Vendimi i një gjykate për të shpallur të pavlefshëm kongresin e CHP-së në Stamboll, duke shtyrë drejt instalimit të një drejtuesi të preferuar nga AKP, përfaqëson një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në strukturën e opozitës, një praktikë tipike e regjimeve autokratike.

Kryebashkiaku i Ankarasë, objektivi i radhës

Në vijim, në shënjestër duket të jetë Mansur Yavas, kryebashkiaku popullor i Ankarasë dhe një nga figurat më të respektuara të CHP-së. Prokuroria e Ankarasë ka hapur një hetim për “korrupsion” të lidhur me financimin e një koncerti, akuza që Yavas i ka cilësuar gënjeshtra të motivuara politikisht, megjithëse ka pranuar të bashkëpunojë me autoritetet.

Yavas shihet si një rival i rrezikshëm: në zgjedhjet e 2024 fitoi me 60% të votave në një qytet me 6 milionë banorë, dhe sondazhet kombëtare e tregonin si kandidatin e vetëm që mund të mposhtte Erdogan-in me një diferencë të ndjeshme. Me Imamoglu-n të bllokuar, CHP ka gjasa të mbështetet te Yavas dhe kjo është arsyeja pse Erdogan synon ta neutralizojë para se ai të hyjë zyrtarisht në garë.

SHBA dhe NATO duhet të japin sinjal të qartë

Protestat brenda Turqisë ndaj autoritarizmit në rritje nuk janë shoqëruar me qëndrim të fortë nga aleatët perëndimorë. Uashingtoni vijon të shohë tek Erdogan një partner të dobishëm për çështje rajonale – nga Ukraina te Siria e Gaza. Ndërkohë, BE ka preferuar heshtjen, duke e vënë stabilitetin gjeopolitik mbi mbrojtjen e vlerave demokratike.

Por situata kërkon një reflektim të ri. SHBA dhe NATO nuk kanë nevojë të ndërhyjnë në politikën e brendshme të Turqisë për të mbrojtur demokracinë, mjafton të sinjalizojnë se sulmet ndaj opozitës dhe abuzimet me pushtetin kanë kosto. Masat ligjore kundër zyrtarëve që përvetësojnë kompani private, kufizimet në shitjen e pajisjeve të sigurisë që mund të përdoren kundër protestuesve pro-demokracisë dhe presioni diplomatik ndaj Ankarasë do të jepnin një mesazh të qartë.

Mundësia për të frenuar rrëshqitjen e Turqisë drejt një shteti të centralizuar autoritar po shkon drejt fundit, nëse nuk ka reagim të koordinuar nga Perëndimi, procesi mund të jetë tashmë i pakthyeshëm. /Përshtati “Pamfleti” nga The National Interest”

Lini një Përgjigje