
Rënia e çmimeve të naftës, forcimi i sanksioneve dhe mungesa e vazhdueshme e fuqisë punëtore, e kanë bërë të pasigurt vijimësinë e ekonomisë ruse të luftës. Ajo nuk do të shembet nesër, por s’mund të vazhdojë të lulëzojë për një kohë të gjatë...
Shpenzimet e Rusisë për luftën e saj ndaj Ukrainë vazhdojnë që të rriten. Pavarësisht zgjerimit të sanksioneve dhe forcimit të izolimit në skenën globale, 2 vjet e gjysmë pas fillimit të konfliktit në shkallë të gjerë, duket se Moska mund të vazhdojë të shpenzojë para për ushtrinë e saj.
Të paktën tani për tani. Madje sipas një drafti të buxhetit të shtetit, vitin e ardhshëm, shpenzimet për ushtrinë e presidentit Vladimir Putin do të rriten me më shumë se 25 për qind, ose 13.3 trilion rubla (107 miliardë paund). Kjo shumë e madhe, e cila është gati dyfishi i 6.4 trilion rublave (52 miliardë paund) të shpenzuara vitin e kaluar, është afro dyfishi i shumës së shpenzuar nga Britania për mbrojtjen e saj.
Qeveria ruse, kishte planifikuar një reduktim të qëndrueshëm të shpenzimeve në mbrojtje gjatë viteve 2025-2026. Por kjo gjë nuk ka ndodhur. Edhe pse plani për reduktimin e shpenzimeve për ushtrinë, pasqyronte maturinë fiskale të autoriteteve financiare, në vend të planeve të luftës apo pranimit të realitetit në fushën e betejës.
Me sa duket ky mendim i dëshiruar është anashkaluar. Dhe në vend të tij, Rusia po shpenzon më shumë rubla për tanke dhe raketa, dhe po i kushton një pjesë gjithnjë në rritje të PBB-së së saj për luftën ndaj Ukrainës, nga 3.7 për qind në vitin 2023 në 5.3 për qind këtë vit, dhe 6.1 për qind për vitin 2025.
Ndërkaq, 3.4 për qind e PBB-së së Rusisë shpenzohet çdo vit për sigurinë kombëtare, e cila mund t’i shtohet fare mirë shpenzimeve ushtarake të vendit. Ky nivel i lartë shpenzimesh, është një rekord për Rusinë post-sovjetike. Megjithatë është ende rreth gjysma e shpenzimeve mesatare vjetore të Bashkimit Sovjetik për mbrojtjen gjatë viteve 1970-1980.
Shifra e vitit të ardhshëm, është gati e përafërt me atë që shpenzoi SHBA-ja në vitet 1960-1970, dhe shumë më poshtë se ajo që ka shpenzuar Izraeli si përqindje e PBB-së për mbrojtjen gjatë pjesës më të madhe të historisë së tij.
Për momentin, Kremlini jo vetëm që mund ta përballojë këtë nivel shpenzimesh, por mund të mbështetet ende tek shpenzimet ushtarake për të nxitur prodhimin e tij industrial dhe rritjen ekonomike. Edhe me një rënie të vogël të të ardhurave nga eksporti i naftës dhe gazit, për shkak të çmimeve më të ulëta dhe vëllimeve më të vogla të shitjeve që priten vitin e ardhshëm, buxheti i vitit 2025 nuk duket i pasigurt.
Rritja e shpenzimeve ushtarake, do të përballohet nga të ardhurat shtesë nga taksat. Rritja e fundit e taksave mbi të ardhurat e korporatave, dhe një rritje e përgjithshme e aktivitetit ekonomik, po ndihmon në mbushjen e arkës së Putinit.
Një burim tjetër të ardhurash për qeverinë ruse, është një politikë fiskale më e plogësht në krahasim me atë të kohës së paqes. Përpara luftës, qeveria e balanconte buxhetin bazuar tek një çmim nafte referencë prej 40 dollarë për fuçi, me një rregullim të vogël vjetor.
Në vitet më të mira, kur çmimi i naftës ishte mbi këtë prag, paratë shtesë viheshin mënjanë, në atë që në thelb ishte një fond i “ditëve të vështira”, i cili mund të përdorej në vitet me të ardhura më të dobëta, kur çmimi i naftës binte në pragun e lartpërmendur.
Në vitin 2022, pas pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës dhe vendosjes së sanksioneve nga Perëndimi, qeveria e braktisi maturinë fiskale dhe nisi të shpenzonte të gjitha të ardhurat e saj nga nafta. Po ashtu, ajo vendosi të futë duart edhe tek rezervat e mbledhura për raste emergjente për të financuar investimet kapitale dhe deficitin buxhetor nëse do të ishte e nevojshme.
Falë këtij veprimi, Rusia mund të presë të ketë vitin e ardhshëm një deficit të vogël buxhetor prej vetëm 0.5 për qind të PBB-së. Rusia ka ruajtur prej vitesh një bilanc tregtar pozitiv, duke fituar më shumë nga eksportet sesa ka shpenzuar për importet.
Megjithatë, një pjesë e madhe e këtyre parave shtesë largoheshin ende nga Rusia, pasi njerëzit dhe kompanitë blinin aksione jashtë vendit, i ruanin paratë në banka të huaja apo në shtëpi, dhe shpenzonin për pushime dhe blerjen e pasurive të paluajtshme në vende të tjera.
Sanksionet perëndimore, mund të kenë dështuar të dëmtojnë eksportet ruse të energjisë, por ato e kanë ndalur largimin e kapitalit, pasi tani rusët e kanë më të vështirë të shpenzojnë para jashtë vendit, duke e lehtësuar pa dashje luftën e Moskës. Siç ka ndodhur shumë herë gjatë historisë, bumi ushtarak i Rusisë do të përfundojë pa asnjë dyshim me një kolaps.
Por tani për tani Kremlini po jeton momentin, duke u treguar në tërësi i pavëmendshëm mbi atë që mund të rezervojë e ardhmja. Edhe Ministria ruse e Financave, e ka pranuar përkeqësimin e kushteve të jashtme: çmimet më të ulëta të naftës, rënie të tregtisë me jashtë dhe sanksione më të ashpra.
Fakti që ekonomia ruse e luftës po zgjerohet ende përtej mundësive të saj, po krijon një mori problemesh për vendin:produktiviteti është në rënie, inflacioni mbetet i lartë, investimet po lulëzojnë vetëm në sektorët e lidhur me luftën, ndërsa tregu i punës ka vazhdimisht mungesë punëtorësh.
Nafta zë ende rreth 27 për qind të të ardhurave fiskale të ekonomisë, dhe qeveria ruse është bërë edhe më e varur nga tregu i naftës për shkak të harxhimit të fondit të saj të emergjencave. Pra nuk ka asnjë dyshim se ekonomia e Rusisë po “mbinxehet”.
Duke qenë se nuk ka thuajse asnjë kapacitet rezervë, një zhvlerësim i rublës nuk do ta mbronte buxhetin nga rënia e të ardhurave nga eksporti, pavarësisht nëse bien çmimet e naftës apo forcohen sanksionet ndaj Moskës. Dhe kjo situatë, do të nxiste rritjen e mëtejshme të inflacionit pa nxitur rritjen e prodhimit.
Varësia shumë e lartë e Rusisë nga Kina, embargot në sektorin teknologjik dhe sanksionet financiare, e bëjnë edhe më të cenueshme ekonominë ruse. Megjithatë, edhe rusët e zakonshëm kanë filluar që ta ndiejnë presionin, dhe kjo për shkak të vendimit të Kremlinit për ta kthyer ekonominë e vendit në një bazë mbështetëse të luftës.
Mbetet ende e paqartë, se edhe për sa kohë Putin do të arrijë të vazhdojë të financojë makinerinë e tij të luftës, pa shkaktuar ankesa të mëdha nga populli, apo edhe protesta të gjera publike, kur bumi aktual të pasohet nga rrënimi ekonomik. Deri më sot, perspektiva ekonomike ka qenë e mirë.
Por rënia e çmimeve të naftës, forcimi i sanksioneve dhe mungesa e vazhdueshme e fuqisë punëtore, e kanë bërë të pasigurt vijimësinë e ekonomisë ruse të luftës. Ajo nuk do të shembet nesër, por s’mund të vazhdojë të lulëzojë për një kohë të gjatë. Në këto kushte, pyetja kryesore për Ukrainën, është nëse ajo dhe aleatët e saj mund të vazhdojnë të luftojnë derisa ekonomia ruse të nisë të shkërmoqet./Përshtati Pamfleti nga “The Spectator”
Shënim: Alexander Kolyandr, studiues për Qendrën për Analizën e Politikave Evropiane, i specializuar mbi ekonominë dhe politikën ruse.
Lini një Përgjigje