
Sanksionet perëndimore ndaj naftës ruse duket se nuk po japin efektin e duhur, pasi Moska vazhdon ta shesë “arin e zi”. Ajo thjesht ka ndërruar treg, nga ai evropian është kthyer në furnizuesin kryesor për Amerikën Latine, Azinë, Afrikën dhe Lindjen e Mesme.
Sipas tregtarëve dhe të dhënave nga “Refinitiv Eikon”, Rusia ka rritur eksportet e saj të naftës në Brazil dhe pjesë të tjera të Amerikës Latine pas një embargoje për dërgesat në Evropë.
Reuters raporton se Rusia ka qenë prej kohësh furnizuesi kryesor me naftë për Evropën, ku rafineritë nuk prodhojnë karburant të mjaftueshëm për të përmbushur kërkesën e brendshme për makina me naftë.
Por një embargo e plotë e BE-së ndaj produkteve të naftës ruse që nga 5 shkurti, ka devijuar eksportet ruse në Azi, Afrikë dhe Lindjen e Mesme.
Sipas të dhënave vetëm muajin e kaluar, Rusia dërgoi më shumë se 580,000 ton naftë në Amerikën Latine, me pothuajse 440,000 ton nga këto vëllime drejt Brazilit, 140,000 ton të tjerë janë të destinuar për në Panama, Uruguai dhe Kubë.
Në total, furnizimet me naftë nga portet e kontrolluara nga Rusia në Brazil arritën në 663,000 ton në periudhën janar-mars 2023, duke pësuar një rritje të madhe krahasuar me 74,000 tonë që transportoi gjatë gjithë vitit 2022.
Plani i Perëndimit për të bllokuar burimin kryesor të financimit rus duket se ka dështuar, kjo për disa arsye, por më kryesorja është se shumë shtete ende nuk i janë bashkuar sanksioneve dhe refuzojnë ta dënojnë agresionin rus në Ukrainë.
Lini një Përgjigje