TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota13 Shkurt 2024, 22:19

Sa emigrantë mund të pranojnë vendet demokratike, pa rrezikuar institucionet e tyre?

Shkruar nga Reuven Brenner

Sa emigrantë mund të pranojnë vendet demokratike, pa rrezikuar

Shtetet perëndimore të mirëqenies sociale, tashmë jo pak nën presion për shkak të popullsisë së tyre të plakur, e pranojnë emigrimin në masë dhe e justifikojnë atë me një sërë idesh akademike, idealiste që tani po njihen si të ligjshme...

Bota banohet sot nga 8 miliardë njerëz, nga 1 miliardë një shekull më parë, dhe 4 miliardë në vitin 1980. Ata janë më të lëvizshëm se kurrë më parë, me teknologjinë që e sjell në pëllëmbën e tyre brenda disa sekondave si informacionin po ashtu edhe faktet e trilluara. 

Por njerëzit janë bërë jo vetëm më të lëvizshëm, me rreth 114 milionë refugjatë aktualisht, por ka ndryshuar fuqia e tyre negociuese ndërsa fiset, kombet, grupet etnike dhe fetare të larmishme, janë rritur me ritme të ndryshme.

Edhe pse lindshmëria në vendet në zhvillim ka qenë në rënie, në shtetet më të varfra apo edhe të dështuara ato janë ende shumë mbi normën e zëvendësimit 2.1. Ndërkohë në shumicën e vendeve perëndimore, norma është nën 1.5, gjë që do të thotë se popullsia e tyre do të bjerë me rreth 50 për qind brenda disa dekadave. 

Emigrimi dhe normat diferenciale të lindshmërisë, e ndryshuan ekuilibrin e fuqisë brenda shoqërive perëndimore, pasi disa grupime nuk u asimiluan nga qytetërimi perëndimor. E drejta e votës së anëtarëve të tyre dhe importimi i konflikteve etnike, i dobësoi institucionet dhe thelloi ndarjet në Perëndim.

Shtetet perëndimore të mirëqenies sociale, tashmë jo pak nën presion për shkak të popullsisë së tyre të plakur, e pranojnë emigrimin në masë dhe e justifikojnë atë me një sërë idesh akademike, idealiste që tani po njihen si të ligjshme. Por debatet mbi këtë çështje, kanë shmangur diskutimin mbi faktin që politikat e mirëqenies kanë ndryshuar në mënyrë drastike modelet e emigrimit.

Përpara “epokës së mirëqenies”, emigrantët ose arrinin në vendet e tyre të reja dhe më pas paguanin për familjet e tyre për t’u bashkuar me ta, ose nëse nuk e bënin këtë, ktheheshin në vendet nga kishin ardhur. Historiani Thomas J.Archdeacon, thekson se 46 për qind e italianëve që hynë në SHBA midis viteve 1899-1924 u kthyen në Itali përgjithmonë.

Një ide themelore prapa emigrimit dhe disa politikave të brendshme, bazohet tek kjo tezë: meqë natyra njerëzore është e njëjtë, nga multikulturalizmi dhe kufijtë kombëtare më të lirshëm do të përfitonin të gjithë.

Sepse njerëzit do të jetojnë bashkë në mënyrë paqësore brenda një kohe të shkurtër. Megjithatë, dëshmitë historike i kundërshtojnë këto ide. Ato konfirmojnë thënien e dikurshme të filozofit të lashtë kinez Konfuci: “Qeniet njerëzore afrohen me njëri-tjetrin nga natyra e tyre e përbashkët, por zakonet vetjake i mbajnë larg”.

Për sa kohë që shumica e emigrantëve, ndanin shumë nga zakonet e popullsisë së vendeve perëndimore, emigrantët u integruan. Në këtë proces ndihmuan edhe kulturat dhe karakteret kombëtare “amerikane”, “franceze” etj. Tani ngrihet pyetja: Sa emigrantë mund të pranojnë vendet demokratike pa rrezikuar institucionet e tyre?

Është e vërtetë që problemi i emigrimit në shkallë të gjerë ka lindur që më parë, si në historinë e Evropës Perëndimore po ashtu edhe në atë amerikane. Por asokohe rreziku i perceptuar ishte i ndryshëm. Presidenti Franklin Roosevelt kundërshtoi hapur emigrimin si aziatik po ashtu edhe atë evropian me arsyetimin se “do të ndoste gjakun e brendshëm”, një pikëpamje të cilën ai nuk e ndante me asnjë tjetër veç Hitlerit.

Sot përplasja nuk ka të bëjë me “gjakun” por me “kulturë”. Qeveria e Danimarkës sapo ka njoftuar se 64 për qind e emigrantëve palestinezë të gjeneratës së dytë janë të dënuar për krime të ndryshme, ndaj tani po ndjek politika shumë më të rrepta për azilin dhe emigracionin.

Franca, Italia, Gjermania dhe Holanda, që po përballen me një realitet të ngjashëm, kanë ndryshuar drastikisht politikat e tyre të azilit dhe emigracionit. Çështja e mosbesimit - kryesisht kundër myslimanëve, pasi ata përfaqësonin fluksin më të madh të emigrantëve në vendet perëndimore dekadat e fundit, nga ku dhe rezultuan më të vështirët për t’u integruar - u etiketua si “islamofobi”.

Por e vërteta ka të bëjë më shumë me vëzhgimin e hollë të Konfucit. Zakonet dhe mentaliteti i një popullit formohet nga të jetuarit për shekuj në shoqëritë e ndërtuara ose rreth koncepteve të ndryshme ose diktaturave, ku që të dyja kanë krijuar sisteme juridike gjithëpërfshirëse, institucione dhe zakone që supozohet se do të zgjasin përgjithmonë.

Të braktisësh një model të tillë për modelin e sotëm perëndimor të shoqërisë, nënkupton pranimin e transferimit të autoritetit të institucioneve dhe sistemeve ligjore të krijuara nga hyjnitë tek njerëzit. Ky transformim kërcënon zakonet tradicionale dhe ato të të menduarit, ndërsa ato që po formohen janë ende në fillimet e tyre dhe nuk kanë autoritetin e duhur. Tranzicione të tilla kanë kërkuar shekuj dhe janë shoqëruar gjithmonë me dhunë ndërkombëtare dhe brenda vendeve, për të mos përmendur shumë korrupsion. Napoleoni foli për nevojën e kuptimit të një ndryshimi të tillë kur përhapi risitë e tij ligjore përmes tipareve demografike të ndryshuara drastikisht të Evropës si tek Metternich ashtu edhe te Konti Nicolai Rumyantsev, Ministri i jashtëm i Rusisë: “Sovranët tuaj, të lindur në fron, mund të pësojnë 20 disfata dhe të kthehen ende në kryeqytetet e tyre. Unë nuk mundem. Sundimi im nuk do t’i mbijetojë ditës kur unë kam pushuar së qeni i fortë”.

Sot, komente të tilla rezonojnë jo pak duke marrë parasysh ngjarjet aktuale në Lindjen e Mesme. Fqinjët e Izraelit me modelet e tyre deiste, monarkike dhe diktatoriale të shoqërisë kanë pësuar shumë disfata, por mbijetojnë, megjithëse shiitët dhe sunitët, të dyja grupet e bashkuar kundër Izraelit, luftojnë me egërsi edhe midis tyre.

Ndërkohë Izraeli, ashtu si Napoleoni, nuk ka luksin të pësojë as edhe një humbje. Konfliktet e mësipërme kanë vazhduar për mijëvjeçarë. Kur popullatat ishin më të vogla dhe më pak të lëvizshme, “ngjitësi” që i bashkonte ato ishin gjaku dhe marrëdhëniet fisnore. Ndërsa popullsia u rrit, besimet fetare u bënë “nyjat kyçe” shtesë për të “rilidhur” numrin në rritje të njerëzve (termi “fe” vjen nga “re-ligare” që do të thotë “ri-lidhje”). Ndërsa popullsia dhe lëvizshmëria vazhduan të rriteshin, dhe as feja dhe as forcat e perandorive nuk mund të mbanin së bashku fiset dhe grupet e ndryshme etnike, “nacionalizmi” u bë ideja e radhës për të bashkuar njerëzit.

Më vonë, Karl Marx prezantoi idenë se besnikëria ndaj një “klase punëtore” mund të ishte më e fortë se lidhjet kombëtare dhe fetare për të bashkuar një numër në rritje njerëzish, me dhunë nëse është e nevojshme, përmes diktaturës së “proletariatit”. Por kjo ide qëndronte në kontrast të thellë me një ide tjetër: bashkimi i njerëzve rreth një labirinti institucionesh që rrisin meritokracinë, duke i dhënë hapësirë ​​provave dhe gabimeve dhe shpresave për lëvizje lart e poshtë në shpërndarjen e pasurisë.

Kjo e fundit u bë simboli identifikues i qytetërimin perëndimor, themelet e të cilit tani përfshijnë sisteme të mëdha të mirëqenies sociale, që tashmë janë vënë pjesërisht në pikëpyetje për shkak të ndryshimeve të forta demografike.

Vëzhguesit perëndimorë gabuan kur supozuan se modelet e Gjermanisë dhe Japonisë së pas Luftës së Dytë Botërore, të kalimit nga mendësia diktatoriale dhe deiste në ato meritokratike, mund të përsëriten lehtësisht sot. Jo nuk është aq e lehtë. Është e vërtetë. Gjermania e braktisi nazizmin.

Por ajo ideologji nuk kishte rrënjë shekullore. Japonia braktisi një udhëheqje politike luftarake dhe konceptin e origjinës hyjnore të perandorit, kur në një dekret perandorak më 1 janar 1946, shpalli se perandori Hirohito nuk ishte një Zot. Por raste të tilla të “de-radikalizimit” në një kohë relativisht të shkurtër nuk janë të zbatueshme për shtetet myslimane, pavarësisht nga pritshmëritë e “Pranverës Arabe”.

Ato nuk ishin të zbatueshme as për Bashkimin Sovjetik kur u shemb komunizmi. Rusia, ashtu si shumë shoqëri të tjera të bazuara në koncepte deistiko-diktatoriale, nuk pati asnjëherë institucionet për të shpërndarë pushtetin, sidomos fuqinë financiare. Në rrethana të tilla, votimi nuk është zgjidhje.

Duke qenë se qeveria mbetet ndërmjetësi i vetëm financiar, pushteti mbetet i përqendruar. Ndryshimet sollën vetëm një diktaturë të re, të maskuar nga zhargoni demokratik. Vendet e Amerikës Latine, afrikane, aziatike dhe të Lindjes së Mesme, kanë përjetuar ndryshime të thella demografike, dhe po shfaqin modele të ngjashme të shoqëruara me korrupsion, përqendrim të pushtetit dhe dhunë.

Historia mund të mos përsëritet, por ajo shpesh rimon sa herë që ndodhin ndryshime drastike demografike brenda një kohe të shkurtër. Ndryshimet demografike nuk janë çështje fati. Gjatë momenteve të kthesës, ato mund të krijojnë individë që mund ta drejtojnë shoqërinë ose drejt përshtatjes paqësore ose drejt konfliktit dhe dhunës. Për të perifrazuar një thënie të njohur: “Domosdoshmëria është nëna e shpikjes, por edhe njerka e mashtrimeve”.  /Përshtati "Pamfleti" nga “Asia Times”

Shënim: Reuven Brenner, drejtues i Institutit Ekonomik të Montrealit, Kanada. Ky artikull bazohet në librat e Brenner-it, “Historia, basti njerëzor”, “Basti mbi idetë”, “Forca e financës” dhe “Rilidhja e 7 miliardë njerëzve”.

Lini një Përgjigje