
Sulmet ruse gjatë natës në Ukrainë kanë goditur sërish infrastrukturën energjetike, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike (blackout) në disa zona të vendit.
Sipas autoriteteve, sulmet kanë prekur edhe zona të banuara. Administrata Ushtarake Rajonale e Kievit njoftoi në Telegram, se forcat ruse kanë sulmuar disa distrikte të rajonit të Kievit duke dëmtuar ndërtesa banimi, kantierë ndërtimi dhe biznese, si dhe duke shkaktuar të plagosur.
“Vendi terrorist vazhdon të bëjë luftë kundër popullsisë civile. Armiku po sulmon qëllimisht infrastrukturën kritike dhe banesat”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Raportohet se një person ka mbetur i plagosur. Një banor i rajonit Ivano-Frankivsk, i cili po drejtonte një kamion në momentin e sulmit, ka pësuar plagë nga copëzat e shpërthimit në shpinë dhe është shtruar në spitalin lokal.
Në Vyshhorod janë dëmtuar dritaret e një pallati shumëkatësh. Në distriktin e Boryspilit janë dëmtuar objekte prodhimi dhe dy automjete. Në distriktin e Buchas ka shpërthyer zjarr në një kantier ndërtimi, ndërsa në distriktin e Obukhivit janë dëmtuar ambientet e një ndërmarrjeje komunale në një nga komunitetet e zonës.
Autoritetet ushtarake theksojnë se alarmi ajror mbetet i lartë ndërsa Administrata Ushtarake Rajonale e Kievit u bën thirrje qytetarëve të qëndrojnë në vende të sigurta.

Lini një Përgjigje