
Nga larg dëgjohet zhurma e artilerisë ruse që gjuan drejt kufirit, përtej të cilit zhvillohet beteja e madhe.
Shebeikino - Çdo mëngjes, kur Roman hip në makinën e tij për të shkuar në punë, nuk e vendos asnjëherë rripin e sigurimit dhe e lë dritaren të hapur, gati për t’u hedhur me të dëgjuar zhurmën më të vogël, që sinjalizon mbërritjen e një droni kamikaz.
“Zogjtë e vegjël”, siç i quajnë banorët e Shebekinos dronët shpërthyes, pushtojnë vazhdimisht qiellin e këtij qyteti që ndodhet vetëm 7 kilometra larg kufirit me Ukrainën. “E çfarë jete është kjo e jona, kur kemi frikë të shkojmë në punë!”- ankohet elektricisti 49-vjeçar, duke parë nga dritarja e banesës së tij.
“Kjo nuk është jetesë, por mbijetesë!”- shton ai. Roman tregon shtëpinë e fqinjëve të tij të shndërruar në një guaskë të madhe të nxirë. Është pasojë e një bombardimi që ndodhi vetëm një ditë më parë. Dy pronarët e saj, enden midis rrënojave në heshtje, me fytyrat e mavijosura.
Nga larg dëgjohet zhurma e artilerisë ruse që gjuan drejt kufirit, përtej të cilit zhvillohet beteja e madhe. Në fillim të muajit majit, rusët nisën një ofensivë të re në rajonin verilindor ukrainas Kharkiv. Presidenti Vladimir Putin, tha se synimi ishte krijimi i një “kordoni sanitar” për të mbrojtur banorët e rajonit të Belgorodit, të torturuar nga më shumë se 2 vjet bombardime.
Por pas disa përparimeve fillestare , ofensiva e grupit “Veriu” ngeci në qytetin ukrainas Vovchansk, shumë pranë kufirit. “Në fillim të gjithë morëm, frymë të lehtësuar:Urra, njerëzit tanë po përparojnë, ja hodhëm më në fund! Por situata vetëm sa është përkeqësuar”, thotë më tej Roman.
Për të frenuar përparimin e trupave të Moskës, ukrainasit mobilizuan me shpejtësi rezervat nga pjesë të tjera të frontit, veçanërisht njësitë e tyre më të mira që operojnë me dronë. Dhe janë pikërisht këto të fundit, që po përhapin terror në pjesën e pasme të frontit rus në rajonin Belgorod.
Situata në Shebekino është “përherë e rëndë”, shprehet një vullnetar i mbrojtjes territoriale me nofkën “Reshala”, i cili është përgjegjës për luftën ndaj dronëve ukrainas dhe për shpëtimin e banorëve gjatë sulmeve. “Civilët do të vazhdojnë të vuajnë pasojat, derisa të çlirohen tokat tona historike”, thekson më tej vullnetari, duke iu referuar territoreve ukrainase të diskutueshme me Moskën.
Kievi merr rrallë përgjegjësinë për sulmet në rajonin rus Belgorod, të cilat shpesh nuk bëjnë dallim dhe godasin përveç infrastrukturës energjetike dhe objektivave ushtarake, edhe shtëpitë, automjetet dhe infrastrukturën civile.
“Unë mendoj se ukrainasit po hakmerren, pasi me sa duket edhe njerëzit tanë po bombardojnë civilët e tyre”, thotë Nadia, pronare e një dyqani ushqimor. Pjesa e pasme e dyqanit të saj, është kthyer në një grumbull rrënojash pas një bombardimi të një dite më parë.
Pavarësisht situatës, gruaja thekson se nuk ka ndërmend të braktisë biznesin e saj. “Autoritetet na thonë të largohemi, por ku të vemi?”- pyet Nadia, e pakënaqur me mbështetjen e ofruar nga qeveria, e cila ofron kompensim për pronat e dëmtuara apo të shkatërruara dhe strehim falas në qendrat e refugjatëve.
“Në rast se do të na ofronin një strehim të ngjashëm dhe një punë, atëherë po, do të largoheshim. Por qeveria pret që njerëzit të largohen spontanisht. Ajo nuk do që të zgjidhë problemet tona. Ne nuk kemi nevojë për para, por për mbrojtje”, thotë i revoltuar Roman.
Sulmet e Ukrainës kanë shpesh pasoja fatale. Disa ditë më parë 5 fëmijë u goditën nga një granatë e lëshuar nga një dron teksa po luanin futboll në një oborr. Njëri prej tyre vdiq disa ditë më vonë.
Sipas vlerësimeve zyrtare, më shumë se 200 njerëz kanë vdekur në bombardimet e rajonit të Belgorodit që nga fillimi i luftës, dhe mbi 1 mijë të tjerë janë plagosur. Sigurisht, këto shifra janë shumë të ulëta në krahasim me shkatërrimin e shkaktuar nga ushtria e Putinit në Ukrainë, ku kanë vdekur mbi 10 mijë civilë.
Por ato mbeten të jashtëzakonshme në një Rusi, e cila në pjesën më të madhe, ka mbetur e paprekur nga pasojat e drejtpërdrejta të konfliktit. Bombardimi pa dallim i Shebekinos, është një “operacion psikologjik” i forcave të armatosura të Ukrainës, thotë Vadim Radchenko, një aktivist pro-qeveritar.
“Krijimi i ndjenjës së braktisjes dhe i një shteti neglizhent, është qëllimi kryesor i armikut tonë”- shpjegon Radchenko, që drejton një program javor propagandistik në televizionin lokal. “Burimet janë të kufizuara, dhe guvernatori po bën gjithçka që ka në dorë”, vazhdon ai.
Aktivisti thekson se pas fillimit të ofensivës së fundit të ushtrisë ruse në Kharkiv, u shtuan ndjeshëm sulmet ajrore ukrainase ndaj kryeqytetin rajonal të Belgorodit, rreth 40 kilometra larg kufirit midis të dyja vendeve. Megjithatë, edhe këtu nuk kalon ditë pa dëgjimin e sirenave të sulmit ajror, të cilat i detyrojnë banorët të vrapojnë të strehohen nëpër bodrume.
“Ne me siguri që do të vdesim këtu!”, thotë Lidia, një pensioniste e evakuuar nga një fshat kufitar, e cila jeton falas prej më shumë se dy vjetësh në një hotel në Belgorod. Së bashku me refugjatët e tjerë, ajo pret të marrë një shtëpi të re nga shteti, ndërsa shpresat për t’u rikthyer në shtëpi, ku gjendet edhe vija e frontit, po shuhen gjithnjë e më shumë.
“Edhe nëse lufta do të përfundonte tani, do të duheshin vite të tëra për ta çminuar zonën”, thotë Valentina, një tjetër refugjate ruse, me një ton ku shprehet qartë dorëzimi përballë realitetit të ri./Përshtati "Pamfleti" nga “La Stampa”
Lini një Përgjigje