TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 5 Shkurt 2026, 13:14

Rrjeti i heshtur pro Putinit në Evropë/ Orban, Dodik dhe një aleancë që shqetëson Ballkanin

Shkruar nga Florian Naumann
Rrjeti i heshtur pro Putinit në Evropë/ Orban, Dodik dhe një
Orban, Vucic dhe Dodik

Hapja e një zyre policore hungareze në Bosnje-Hercegovinë shihet nga ekspertët si pjesë e një rrjeti autoritar me lidhje të ngushta me Moskën...

Që nga agresioni rus kundër Ukrainës, një vizitë zyrtare në Moskë është më shumë se diplomaci, është një deklaratë politike. Që nga viti 2022, vetëm 6 krerë shtetesh ose qeverish nga BE-ja dhe vendet kandidate kanë takuar presidentin rus Vladimir Putin. Mes tyre ishte ish-kancelari austriak Karl Nehammer, i cili në prill 2022 u përpoq pa sukses ta bindte Putinin të ndryshonte kurs. Edhe presidenti turk Recep Tayyip Erdogan udhëtoi për bisedime në Moskë. Por 4 vizitat e tjera u kryen nga politikanë të njohur për qëndrime miqësore ndaj Rusisë: Viktor Orban nga Hungaria, Robert Fico nga Sllovakia, Aleksandar Vuçiç nga Serbia dhe lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik.

Tani po formësohet një bashkëpunim më i strukturuar. Në fund të janarit, njësia elitare hungareze e policisë, Qendra Kundër Terrorizmit (TEK), hapi për herë të parë një zyrë të përhershme jashtë vendit – në Bosnje-Hercegovinë, konkretisht në entitetin Republika Srpska me shumicë serbe. Pikërisht aty ku Dodik ka ushtruar ndikim për vite me radhë dhe ku Vuçiç flet për shtrirjen e asaj që ai e quan “bota serbe”, një term që shumë analistë e krahasojnë me konceptin e Putinit për “botën ruse”.

Belma Zulçiç, drejtoreshë e seksionit të Bosnje-Hercegovinës të shoqatës për “Popujt e Kërcënuar”, e sheh këtë zhvillim si alarmues. Ajo kujton se prania e TEK-ut nuk është e re. Në shkurt 2025, kur Dodik u dënua me 1 vit burg për mosrespektim të vendimeve të Përfaqësuesit të Lartë të OKB-së, rreth 40 pjesëtarë të kësaj njësie hungareze hynë në vend me rroba civile dhe më pas morën pjesë të armatosur në një stërvitje. Sipas Zulçiç, atëherë ekzistonte frika reale për një përplasje të armatosur mes institucioneve shtetërore të Bosnjës dhe policisë së Republikës Srpska, me mbështetje të mundshme nga Hungaria.

Përplasja nuk ndodhi. Dodik pranoi të shmangte burgun duke paguar gjobë dhe duke dhënë dorëheqjen nga posti i presidentit të Republikës Srpska. Megjithatë, ai nuk u tërhoq nga politika. Kohët e fundit ai vizitoi Izraelin dhe më pas, në paraqitje televizive, përsëriti thirrjet për pavarësinë e Republikës Srpska, një kërkesë që mbetet thellësisht destabilizuese për Bosnjë-Hercegovinën. Lufta e viteve ’90 mori rreth 100 mijë jetë, ndërsa Marrëveshja e Dejtonit krijoi një shtet me dy entitete, por me stabilitet ende të brishtë.

Në këtë kontekst, Zulçiç e interpreton bashkëpunimin me Hungarinë si përpjekje për të dobësuar institucionet shtetërore dhe për të forcuar strukturat e entitetit serb, me synim afatgjatë shkëputjen nga Bosnjë-Hercegovina. Zyrtarisht, autoritetet e Republikës Srpska e paraqesin hapjen e zyrës së TEK-ut si masë “teknike” për bashkëpunim në luftën kundër terrorizmit, migracionit dhe rreziqeve të sigurisë.

Sipas Zulçiç, Bosnja aktualisht nuk përballet me krizë migracioni dhe institucionet shtetërore nuk shohin kërcënim real terrorist; retorika e tillë përdoret më shumë për qëllime politike të brendshme.

Një tjetër faktor është situata zgjedhore. Më 8 shkurt do të përsëritet një pjesë e zgjedhjeve për president të Republikës Srpska, pasi procesi i nëntorit u shoqërua me parregullsi. Ekziston mundësia që kandidati i opozitës, Branko Blanusa, të ketë shanse reale. Sipas Zulçiç, pushteti aktual kërkon të demonstrojë forcë dhe të krijojë ndjesinë e kërcënimit nga jashtë, ndërsa bashkëpunimi me njësinë hungareze e bën shtetin qendror të duket i dobët.

Analisti Adnan Çerimagiç, ish-zyrtar i Ministrisë së Jashtme të Bosnjës, ka folur më herët për një “vëllazëri” politike mes Budapestit, Beogradit dhe Banja Lukës. Sipas tij, Dodik fiton mbështetje ndërkombëtare dhe argumente kundër BE-së, ndërsa Orbán projekton veten si lider që eksporton modelin e tij të qeverisjes.

Deutsche Welle ka vërejtur gjithashtu se kryeministri hungarez shfaq simpati për konceptet etno-nacionaliste, veçanërisht në kontekstin e pakicës hungareze në Ukrainë.

Për Zulçiç, tabloja është më e gjerë: bashkëpunimi në Republikën Srpska është pjesë e një modeli problematik të rrjeteve autoritare dhe ndikimit hibrid në Evropën Juglindore. Ajo e cilëson lidhjen Orban–Dodik si veçanërisht shqetësuese, për shkak të sfidimit të hapur të parimeve evropiane të sundimit të ligjit dhe mekanizmave të kontrollit.

Një element i përbashkët, sipas saj, janë edhe marrëdhëniet e ngushta të të dyve me udhëheqjen ruse nën Vladimir Putin. /Përshtatur nga Fr.de/

Lini një Përgjigje