FBI dhe agjencia e inteligjencës së Venezuelës arrestuan gjithashtu miliarderin manjat të medias Raúl Gorrín në të njëjtën adresë.
Aleati i ngushtë i ish-presidentit Nicolás Maduro, Alex Saab është arrestuar sërish gjatë një operacioni të përbashkët mes SHBA-ve dhe Venezuelës.
Lajmi u bë i ditur nga një zyrtar i lartë amerikan, i cili konfirmoi se 54-vjeçari pritet të ekstradohet drejt Shteteve të Bashkuara në ditët në vijim.
Bashkë me të, në këtë aksion u prangos edhe Raul Gorrin, pronari i rrjetit televiziv “Globovision”, raporton The Gaurdian.
Arrestimi është shoqëruar me paqartësi dhe reagime kontradiktore teksa avokati i Saab, Luigi Giuliano, i quajti raportimet “lajme të rreme”, ndërsa gazetarë pranë qeverisë në Venezuelë gjithashtu e mohuan ngjarjen.
Nga ana tjetër, kryeparlamentari Jorge Rodríguez tha në një konferencë për shtyp se nuk kishte informacion zyrtar mbi këtë ndalim.
Ky zhvillim shënon një nivel të ri bashkëpunimi mes autoriteteve amerikane dhe qeverisë së përkohshme të Venezuelës, e drejtuar nga Delcy Rodríguez. Kjo e fundit, dikur zëvendëse e Maduros, tani kontrollon agjencitë e zbatimit të ligjit në vend dhe ka bashkëpunuar me SHBA-të për realizimin e këtij operacioni.
Alex Saab nuk është një emër i panjohur për drejtësinë amerikane. Ai u arrestua në vitin 2020 në Kepin e Gjelbër dhe u mbajt në SHBA për tre vite nën akuzat për korrupsion dhe pastrim parash, ku dyshohet se përfitoi rreth 350 milionë dollarë përmes skemave me kursin e këmbimit valutor.
Ai u lirua në fund të vitit 2023 në kuadër të një shkëmbimi të burgosurish, ku Maduro e priti si hero kombëtar dhe e emëroi ministër të Industrisë, post të cilin e mbajti deri muajin e kaluar.
Lini një Përgjigje