TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 6 Shkurt 2026, 14:29

Rreziqet, por edhe shanset që ka bota nga fundi i “Pax Americana”

Shkruar nga Peter Harris

 Rreziqet, por edhe shanset që ka bota nga fundi i “Pax

Epoka pas “Pax Americana” sjell pasiguri, por edhe mundësi për një rend më kolektiv global. Dobësimi i lidershipit amerikan mund t’i shtyjë vendet e tjera të marrin më shumë përgjegjësi dhe të formësojnë vetë të ardhmen e tyre…

Roli i Amerikës në botë po ndryshon. Nëse kjo nuk ishte e qartë më parë, tani duhet të jetë pas përpjekjeve të presidentit Donald Trump për të blerë Grenlandën dhe marrëdhënieve të tij dukshëm të tendosura me aleatët tradicionalë në Evropë dhe gjetkë.

Por sa do të ndryshojë bota nëse ndryshon qëndrimi i Amerikës? Disa studiues të marrëdhënieve ndërkombëtare argumentojnë se, meqë Uashingtoni ka qenë për kaq gjatë

në qendër të qeverisjes globale, kthesa e Trump-it drejt parullës “Amerika e Para” - që nënkupton izolacionizëm në disa çështje dhe veprim të njëanshëm në të tjera - shënon fundin e rendit ndërkombëtar siç e kemi njohur deri më sot.

Analistët më pesimistë paralajmërojnë se epoka e “Pax Americana”, pra periudha e gjatë e qetësisë relative botërore që nga Lufta e Dytë Botërore falë lidershipit të SHBA-së, po i afrohet fundit. Ata parashikojnë një tranzicion të trazuar drejt një bote më kaotike.

Ky këndvështrim mund të dalë i saktë në planin afatgjatë, por është ende herët për ta thënë me siguri. Si studiues i politikës së jashtme amerikane, unë shoh disa arsye për të qenë optimistë. Bota mund të bëhet një vend më i drejtë, më i qëndrueshëm dhe më i sigurt, pavarësisht dobësimit të rolit udhëheqës të SHBA-së.

Për tri vitet e mbetura të presidencës së Trump-it, gjithçka mbetet e pasigurt. Trump-i është i njohur për vështirësinë e parashikimit të lëvizjeve të tij. Fakti që udhëheqësit botërorë besuan vërtet se Shtetet e Bashkuara mund të blinin Grenlandën - dhe ende e konsiderojnë të mundshme - tregon se është e kotë të parashikosh pjesën e mbetur të mandatit të tij.

Presioni i paprecedent ndaj Venezuelës dhe luhatjet e Trump-it mes kërcënimeve ndaj Iranit dhe thirrjeve për negociata me Teheranin janë shembuj të tjerë të paqëndrueshmërisë së politikës së tij të jashtme.

Megjithatë, janë të qarta tendencat afatgjata: Shtetet e Bashkuara po humbasin entuziazmin, por edhe kapacitetin për të udhëhequr botën. Pjesa tjetër e globit mund të supozojë se edhe pas Trump-it do të vazhdojë rënia e angazhimit amerikan në çështjet ndërkombëtare.

Veprimet e tij të fundit sugjerojnë se do të bëhen më të pasigurta garancitë e sigurisë së SHBA-së ndaj të tjerëve, tregjet e saj më pak të hapura për të huajt dhe më e dobët mbështetja për institucionet ndërkombëtare. A nënkupton kjo një mori çrregullimesh për kombet më të vogla? Ndoshta, por jo domosdoshmërisht.  

A janë më të brishtë aleatët e SHBA-së?

Sigurisht, politika e jashtme e SHBA-së dhe luftërat e saj kanë shkaktuar kritika gjatë dekadave të fundit. Megjithatë, perspektiva e tërheqjes së Amerikës nga çështjet globale shkakton ankth tek ata që prej kohësh janë strehuar nën ombrellën e saj të sigurisë.

Sipas këtij argumenti, sapo forcat amerikane të shpërndara nëpër botë të kthehen në vend, nuk do të ketë shumë mjete për të ndaluar fuqitë e mëdha si Rusia dhe Kina që të shtypin fqinjët e tyre të prekshëm në Evropë dhe Azinë Lindore.

Por ky është një vlerësim tepër pesimist. Duhet kujtuar se angazhimet e Amerikës në aleanca dhe vendosjet e gjera ushtarake datojnë që nga fillimi i Luftës së Ftohtë, një epokë që ka pak ngjashmëri me ditët e sotme.

Në atë kohë, forcat amerikane ishin të domosdoshme për të penguar Bashkimin Sovjetik dhe Kinën të sulmonin fqinjët e tyre, të cilët pas Luftës së Dytë Botërore ishin të dobët dhe të varfër. Sot, anëtarët evropianë të NATO-s dhe aleatët e SHBA-së në Azi janë ndër vendet më të pasura në botë.

Këto qeveri zotërojnë burime të mjaftueshme për të ndërtuar ushtri kombëtare të afta të pengojnë agresorët e mundshëm dhe të ruajnë stabilitetin rajonal. Madje, ka gjasa ta sigurojnë veten më mirë sesa arrijnë ta bëjnë Shtetet e Bashkuara në emër të tyre.  

Ruajtja e tregtisë së lirë

A do të bëhet bota më e varfër dhe më e rrezikshme nëse lihet pas dore integrimi ekonomik global? Ky është një shqetësim i arsyeshëm, duke pasur parasysh bindjen e zakonshme se tregtia e lirë nxit rritjen ekonomike dhe rrjedhimisht paqen botërore.

Por sërish, është gabim të supozohet se më e keqja është e pashmangshme. Në vend se ta pranojmë që globalizimi është në tërheqje të pakthyeshme, ekziston mundësia që qeveritë të mësojnë sërish përfitimet e integrimit ekonomik dhe të mbrojnë një ekonomi botërore të hapur, edhe pa udhëheqjen amerikane.

Luftërat tregtare të Trump-it kanë dëmtuar dukshëm kompanitë dhe konsumatorët amerikanë, si dhe kanë krijuar tensione me aleatët e SHBA-së. Udhëheqësit e ardhshëm,

në Uashington dhe gjetkë, ka gjasa të nxjerrin mësime nga këto pasoja.

Po ashtu, s’ka arsye të mendohet se qeverisja globale duhet të shembet në mungesë të një lidershipi të fortë amerikan. Siç propozoi Mark Carney në Forumin e Davosit, të ashtuquajturat fuqi të mesme - si Australia, Brazili dhe Kanadaja - kanë aftësinë të mbrojnë organizatat ndërkombëtare më jetësore dhe të krijojnë institucione të reja kur është e nevojshme.

Kombe si Kanadaja, Japonia, Australia dhe anëtarët e Bashkimit Evropian nuk kanë fuqinë e madhe ushtarake dhe ekonomike të SHBA-së, por mund të zgjedhin një qasje më kolektive ndaj lidershipit global.  

Asnjë bast i sigurt

Natyrisht, nuk ka garanci që epoka pas “Pax Americana” do të jetë një sukses i pakufizuar. Luftëra dhe vuajtje do të ketë, ashtu siç ka pasur edhe gjatë udhëheqjes së SHBA-së. Ideja e “Pax Americana” ka qenë gjithmonë e diskutueshme, sidomos për qytetarët e vendeve që janë sulmuar nga vetë Amerika.

Pyetja është nëse sistemi ndërkombëtar do të bëhet më i dhunshëm dhe i paqëndrueshëm pa lidershipin dhe dominimin ushtarak të SHBA-së sesa ka qenë gjatë periudhës së gjatë të dominimit të saj global. Mund të ndodhë, por bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të dorëzohet para fatalizmit.

Shtetet e Bashkuara e kanë humbur ndikimin. Ana pozitive është se më shumë vende - përfshirë miqtë dhe aleatët e Amerikës - mund të rizbulojnë aftësinë e tyre për të formësuar çështjet botërore. Prandaj, epoka post-amerikane mund të jetë në prag të suksesit.

Shënim: Peter Harris është profesor i asociuar i shkencave politike në Universitetin Shtetëror të Kolorados, SHBA.

pax america

Lini një Përgjigje