Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, ka akuzuar presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, se qëndron pas atentatit ndaj gjeneralit të lartë rus Vladimir Alekseyev, i cili u plagos me armë zjarri në Moskë.
Duke folur gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm të Zvicrës, Lavrov deklaroi se sulmi përbën një veprim të qëllimshëm nga ana e Ukrainës për të penguar procesin e negociatave për paqe.
Sipas tij, ngjarja dëshmon, vendosmërinë e autoriteteve në Kiev për të provokuar dhe për të minuar çdo përpjekje diplomatike.
“Ky sulm terrorist konfirmoi edhe një herë vendosmërinë e regjimit të Zelenskyt për të provokuar vazhdimisht me qëllim prishjen e procesit të negociatave. Regjimi është i gatshëm të bëjë gjithçka për të bindur sponsorët e tij perëndimorë që të mos lëshojnë pe, në përpjekjen e Kievit për të penguar arritjen e një zgjidhjeje të drejtë”, deklaroi Lavrov.
Nga ana tjetër, autoritetet ruse kanë bërë të ditur se gjenerali Vladimir Alekseyev u plagos mëngjesin e sotëm brenda një apartamenti në veriperëndim të Moskës. Komiteti Hetues Rus njoftoi se një person ende i paidentifikuar e qëlloi disa herë dhe u largua nga vendngjarja.
Sipas autoriteteve, Alekseyev u transportua në spital dhe ndodhet nën kujdes mjekësor, në monitorim të vazhdueshëm. Hetuesit kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në zonë dhe kanë nisur procedurat për identifikimin dhe arrestimin e autorit.
Gjenerali Alekseyev mban detyrën e zëvendësshefit të Drejtorisë Kryesore të Shtabit të Përgjithshëm në Ministrinë e Mbrojtjes së Rusisë, një nga strukturat kyçe të hierarkisë ushtarake ruse. Deri tani, autoritetet nuk kanë dhënë informacion mbi motivet e sulmit.
Ngjarja vjen në një periudhë tensionesh të shtuara të sigurisë dhe akuzash të ndërsjella mes Moskës dhe Kievit, ndërsa pretendimet e Lavrovit nuk janë komentuar zyrtarisht nga pala ukrainase.
Lini një Përgjigje