
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka akuzuar Shtete e Bashkuara të Amerikës se kanë një plan lidhur me Rusinë dhe një luftë të mundshme me të.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur në Antalia, Lavrov tha se kjo është kuptuar qartë nga deklaratat e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes, Lloyd Austin.
“Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, duke thënë se NATO dhe Rusia mund të përfundojnë duke luftuar njëra-tjetrën nëse Ukraina mposhtet, dëshmoi se SHBA ka një plan për të. Kuptimi i kësaj deklarate është se nëse Ukraina humbet, NATO-ja do të duhet të shkojë kundër Rusisë. Në një lapsus frojdian ai tregoi atë që kishin në mendje. Para kësaj, të gjithë thoshin: Ne nuk mund ta lëmë Ukrainën të humbasë, sepse presidenti rus, Vladimir Putin nuk do të ndalet dhe do të marrë nën kontroll Balltikun, Poloninë, Finlandën. Por rezulton, sipas deklaratës së hapur dhe të qartë të zotit Austin, është e kundërta. Ne nuk kemi plane të tilla, por amerikanët i kanë”, tha Lavrov.
Sipas tij, Europa është aktualisht viktima kryesore e politikës së SHBA-së për të “tërhequr Ukrainën në NATO”.
“Të gjitha shpenzimet kryesore janë zhvendosur në Evropë. Njerëzit po jetojnë gjithnjë e më keq, burimet e energjisë janë rritur shumë herë në çmim, krahasuar me atë që mund të ishte nëse amerikanët nuk do të kishin hedhur në erë tubacionet e gazit Nord Stream,” deklaroi Lavrov.
Ai tha se situata rreth Ukrainës u krijua nga Uashingtoni për të siguruar që Bashkimi Evropian të mos bëhet shumë i fortë si një rival i ekonomisë amerikane.
“Dhe ky synim është arritur. Evropa tani nuk është më një konkurrent i SHBA-së. Të gjitha bizneset kryesore dhe industria prodhuese po zhvendosen në SHBA, ku kushtet janë krejtësisht të ndryshme dhe energjia është shumë më e lirë,” theksoi ai.
Lini një Përgjigje