Shkaku i këtij izolimi është lidhja e tij e ngushtë me Vladimir Putinin. Pas largimit nga kancelaria, Schröder u bë lobisti më i rëndësishëm europian i Kremlinit. Putin e vendosi në krye të asamblesë së aksionarëve të Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2, dy gazsjellësit që lidhin Rusinë me Gjermaninë përmes Detit Baltik.
Një mbrëmje në vitin 1982, në Bon, një anëtar i ri i parlamentit i SPD-së, i zgjedhur në Bundestag dy vjet më parë, doli nga një restorant italian ku kishte darkuar me disa kolegë. Ata kishin ngrënë dhe pirë shumë, kështu që vendosën të bënin një shëtitje. Ndoshta ishte alkooli, por kur arritën te portat e kancelarisë, parlamentari nuk mundi të përmbahej.
Ai u hodh pas hekurave, duke bërtitur: " Ich will hier rein!" (Dua të hyj brenda)
Ishte një ambicie e shpallur hapur nga deputeti socialdemokrat, i cili 16 vjet më vonë, në tetor 1998, do të hynte aty nga dera kryesore si kancelar i Gjermanisë, pasi mposhti Helmut Kohl, arkitektin e ribashkimit gjerman.
Në krye të një koalicioni me të Gjelbrit e Joschka Fischer-it, avokati nga Hanoveri drejtoi Gjermaninë për shtatë vite dhe lidhi emrin e tij me reforma që modernizuan vendin. Gjatë qeverisjes së tij u miratua ligji i ri për shtetësinë me elemente të jus soli-t, nisi dalja graduale nga energjia bërthamore dhe u ndërmor reforma më e thellë e shtetit social që nga koha e Otto von Bismarck-ut.
Schröder mori gjithashtu vendime historike në politikën e jashtme. Në vitin 1999 mbështeti ndërhyrjen humanitare të NATO-s në Kosovë dhe, në vitin 2001, dërgimin e forcave gjermane në Afganistan, angazhimet e para ushtarake të Gjermanisë pas Luftës së Dytë Botërore. Por ai refuzoi të mbështeste ndërhyrjen amerikane në Irak, duke i thënë “jo” presidentit George W. Bush.
Për shumë analistë, Schröder mbetet një kancelar i rëndësishëm për Gjermaninë moderne. Por nëse ai mund të jetë ndërmjetësi i duhur mes Rusisë dhe Ukrainës, siç ka sugjeruar Vladimir Putin, kjo është një çështje tjetër.
Sot, ish-kancelari konsiderohet pothuajse një i përjashtuar në vendin e tij. Atij iu hoq stafi dhe zyra që u takon zakonisht ish-kryeministrave gjermanë, ndërsa Partia Socialdemokrate nuk arriti ta përjashtojë formalisht, por e ka lënë në margjina. Schröder hoqi dorë edhe nga titulli “qytetar nderi” i Hanoverit përpara se t’i hiqej zyrtarisht dhe u detyrua të kthente kartën e anëtarit të nderit të Borussia Dortmundit, skuadrës që kishte mbështetur që fëmijë.
Shkaku i këtij izolimi është lidhja e tij e ngushtë me Vladimir Putinin. Pas largimit nga kancelaria, Schröder u bë lobisti më i rëndësishëm europian i Kremlinit. Putin e vendosi në krye të asamblesë së aksionarëve të Nord Stream 1 dhe Nord Stream 2, dy gazsjellësit që lidhin Rusinë me Gjermaninë përmes Detit Baltik.
“Ke frikë të punosh për ne?”, thuhet se e pyeti Putin në një telefonatë më 9 dhjetor 2005, vetëm pak javë pasi Angela Merkel kishte marrë detyrën e kancelarit. Schröder pranoi ofertën.
Një episod i vitit 2004 ndihmon për të kuptuar zgjedhjen e tij. Në ditëlindjen e 60-të, biografi Reinhard Urschel e pyeti çfarë planifikonte të bënte pas politikës. “Dua të fitoj para”, u përgjigj Schröder. Dhe kështu ndodhi: ai hyri në shërbim të interesave ruse.
Megjithatë, ndryshe nga personazhi i Faustit të Goethe-s, Schröder nuk tregoi kurrë pendesë. Në një intervistë për The New York Times në vitin 2022, ai deklaroi: “Të bëj mea culpa? Nuk është për mua”. Edhe pse e quajti luftën në Ukrainë një “gabim”, ai kërkoi hetime për masakrat e Bucha-s përpara se të caktohej përgjegjësia.
Ish-kancelari u largua me vonesë nga bordet drejtuese të Nord Stream dhe kompanisë shtetërore ruse Rosneft, e cila i siguronte rreth 600 mijë euro në vit. Megjithatë, ai nuk e dënoi kurrë hapur Putinin dhe vazhdon ta përshkruajë si “njeriun e vetëm që mund t’i japë fund luftës”.
Për të kuptuar marrëdhënien mes Schröder dhe Putinit, duhet parë edhe historia personale e tyre. Të dy vinin nga familje shumë të varfra dhe u ngritën vetë në pushtet. Schröder nuk e njohu kurrë të atin, ushtar i Wehrmacht-it që u vra në frontin lindor në vitin 1944, kur ai ishte vetëm gjashtë muajsh. Nëna e tij punonte si pastruese dhe rriti e vetme pesë fëmijë.
Ai studioi në shkollë nate ndërsa punonte gjatë ditës, më pas përfundoi studimet për drejtësi me rezultate maksimale. Në moshën 19-vjeçare iu bashkua SPD-së dhe në vitin 1978 u bë drejtues i organizatës rinore të partisë, Jusos.
Ndjenja e krenarisë dhe e ngjitjes sociale e shoqëroi gjatë gjithë jetës. Kur u zgjodh kryeministër i landit të Saksonisë së Ulët në vitin 1986, nëna e tij ende punonte si shtëpiake për një familje të pasur në Hanover. Kur ajo ua tregoi lajmin punëdhënësve, ata nuk e besuan. Të nesërmen, Schröder e shoqëroi të ëmën me makinën zyrtare, trokiti në derë dhe u prezantua: “Jam Gerhard Schröder, kryeministri i ri i landit. Dhe kjo zonjë është nëna ime”.
Në Saksoninë e Ulët, ku ndodhen gjigantët industrialë Volkswagen dhe MAN, Schröder fitoi reputacionin e “socialdemokratit të biznesit”, gjë që e bëri shpesh të dyshimtë në sytë e së majtës tradicionale. Ai nuk e fshehu kurrë afinitetin për luksin: puro kubane, kostume Brioni, kuzhinë italiane dhe art bashkëkohor.
Në vitin 1998, gjatë fushatës për kancelar, Schröder vizitoi Milanon dhe kërkoi të takonte Cesare Romiti-n, ish-drejtuesin e Fiat-it. Gjatë një dreke në “Savini”, ai kaloi pjesën më të madhe të kohës duke diskutuar me të për industrinë automobilistike, një sektor me të cilin ndiente lidhje të fortë për shkak të rolit të tij në bordin e Volkswagen-it.
Ashtu si Putin, Schröder njihet edhe për jetën e tij sentimentale. Ai është martuar pesë herë, por e përshkruan veten si “monogam serial”. “Kam njohur katër gra në jetën time dhe i kam martuar të gjitha”, kishte deklaruar ai pas martesës së katërt me gazetaren Doris Köpf, me të cilën adoptoi dy fëmijë rusë. Në vitin 2018 u martua me gruan e pestë, So-Yeon Schröder-Kim, një interpretuese koreano-jugore 26 vite më e re se ai./ Corriere della Sera
Lini një Përgjigje