TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota23 Korrik 2024, 21:22

Putin shtrin “tentakulat” edhe në Mal të Zi, partitë pro-ruse futen në qeveri; alarmohen amerikanët

Shkruar nga Pamfleti
Putin shtrin “tentakulat” edhe në Mal të Zi, partitë
Qeveria e re malazeze

Partitë pro-ruse dhe pro-serbe do të kenë dy poste zëvendëskryeministrash dhe tri ministri, ndërsa boshnjakët një post zëvendëskryeministri dhe pesë ministri...

Teksa e gjithë vëmendja është zhvendosur në SHBA, Vladimir Putin duket se po hedh grepat në Ballkan. Pas Serbisë dhe Bosnjes, Vladimir Putin ka shtrirë tentakulat në Malin e Zi.

Sipas mediave malazese, partitë e ish Frontit Demokratik pro-rus dhe Partia Boshnjake, u bënë pjesë e qeverisë së re, mes shqetësimeve të Shteteve të Bashkuara, kundërshtimit të presidentit të vendit dhe të opozitës.

Partitë pro-ruse dhe pro-serbe do të kenë dy poste zëvendëskryeministrash dhe tri ministri, ndërsa boshnjakët një post zëvendëskryeministri dhe pesë ministri.

Qeveria do të ketë 24 poste ministrash dhe 7 poste zv/kryeministrash, gjë që e bën atë më të madhen në historinë e parlamentarizmit në Malin e Zi. Në fjalën e tij para deputetëve, kryeministri Milojko Spajiç vuri në dukje rëndësinë e qeverisë për të ardhmen e vendit.

"Kjo qeveri është një garantuese i qëndrueshmërisë dhe pjekurisë. Ne jemi shembull se si serbët dhe shqiptarët, serbët dhe boshnjakët, serbët dhe malazezët - të gjithë mund të jetojnë dhe punojnë së bashku. Ne do të jemi një fanar për gjithë Ballkanin", tha kryeministri malazez.

Riorganizimi i qeverisë u kritikua nga partitë opozitare malazeze, të cilat thanë se hyrja e partive pro-ruse, nënkupton një qeveri që do të drejtohet nga Moska dhe Beogradi.

"Koka dhe truri janë në Moskë. Shefi i kësaj qeverie është (kryetari i parlamentit) Andrija Mandiç dhe në të nuk ka asnjë përfaqësues nga kombi malazez”, tha Andrija Nikoliç nga Partia Demokratike e Socialistëve.

Sipas opozitës këto parti “mbrojnë heqjen e sanksioneve kundër Rusisë për shkak të agresionit të saj kundër Ukrainës, nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, janë kundërshtarë të anëtarësimit të Malit të Zi në NATO, mohojnë gjenocidin në Srebernicë dhe mbështesin kriminelët e luftës Radovan Karaxhiç dhe Ratko Mlladiç të dënuar në Hagë”.

Kjo lëvizje ka alarmuar amerikanët. Të martën, ambasada amerikane në Podgoricë shprehu shqetësimin e saj për përbërjen e re të qeverisë.

"Jemi të shqetësuar për përfshirjen në qeveri të partive dhe udhëheqësve që nuk e dënojnë agresionin rus në Ukrainë, kundërshtojnë sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë dhe veprimet e të cilëve janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me parimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore", tha ambasada amerikane në një përgjigje për Zërin e Amerikës.

Si aleat dhe partner i ngushtë i Malit të Zi, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin dhe njohin veprimet konstruktive të parlamentit dhe qeverisë, duke vënë në dukje aktivitete që janë në kundërshtim me vlerat euroatlantike dhe rrezikojnë përparimin e prekshëm drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në deklaratën e ambasadës amerikane

Ky është riorganizimi i parë i qeverisë malazeze e cila u formua në fund të tetorit të vitit të kaluar, duke lënë në opozitë pas gati tre dekadash Partinë Demokratike të Socialistëve të ish presidentit Milo Gjukanoviç.

Lini një Përgjigje