Presidenti rus, Vladimir Putin, deklaroi se dëshira e popullsisë së Donbasit dhe Novorosisë për të lidhur të ardhmen e tyre me Rusinë ka treguar se vendimet e marra në shkurt të vitit 2022 për ta sulmuar Ukrainën ishin të sakta.
Ai bëri këto deklarata gjatë hapjes së një takimi me komandantët e grupeve të forcave në Shën Petersburg, raporton agjencia TASS.
Putin theksoi se fakti që banorët e “atyre rajoneve votuan në masë për të ardhmen e tyre brenda Rusisë” konfirmon drejtësinë dhe kohën e duhur të vendimeve të marra në fillim të luftës.
Presidenti rus gjithashtu kujtoi se 30 shtatori shënoi “Ditën e Ribashkimit” të Republikës Popullore të vetëshpallur të Donetskut dhe Republikës Popullore të Luganskut, si dhe të pjesëve të Zaporizhia dhe Kherson me Federatën Ruse.
Që prej fillimit të këtij viti, forcat ruse kanë marrë nën kontroll rreth 5.000 kilometra katrorë territor në Ukrainë, deklaroi sot presidenti rus Vladimir Putin gjatë një takimi me zyrtarë të lartë ushtarakë.
Lideri i Kremlinit theksoi se Moska vazhdon të mbajë iniciativën strategjike në fushëbetejë.
Duke komentuar goditjet ukrainase në territorin rus, Putin tha se Kievi po përpiqet të sulmojë objektiva jo-ushtarake në thellësi të Rusisë, por sipas tij, këto përpjekje nuk do të ndryshojnë ekuilibrat e përgjithshëm të luftës.
Ndërkohë, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë se po përdor cisternat e naftës për mbledhje informacioni dhe për kryerjen e operacioneve sabotuese.
Në një postim në aplikacionin Telegram, pas një informimi që mori nga kreu i shërbimit të inteligjencës së jashtme të Ukrainës, Zelensky tha se Ukraina po bashkëpunon ngushtë me aleatët në këtë çështje.
“Sot, rusët nuk i përdorin cisternat vetëm për të financuar luftën, por edhe për mbledhje informacioni dhe madje për operacione sabotimi. Kjo mund të ndalet plotësisht,” shkroi ai.
Lini një Përgjigje