Uashingtoni po i kushton vëmendje (dhe më shumë se sa kaq) luftërave në Ukrainë dhe Gaza. Por prioriteti i tij strategjik mbetet rivaliteti me Kinën dhe ruajtja në përgjithësi e statusit të saj në Azi...
Nga njëra betejë në tjetrën: luftërat në Ukrainë dhe Gaza po dominojnë hapësirat e mediave për shkak të rëndësisë së tyre strategjike por dhe ndikimit të tyre emocional. Por ato nuk mund të zvogëlojnë rivalitetin midis SHBA dhe Kinës, dhe as një sërë zhvillimesh të kohëve fundit dhe në dukje kontradiktore në frontin aziatik.
Ndonëse më pak mbresëlënëse, këto zhvillime mund të jenë vërtet më të rëndësishme në terma afatgjatë për të kuptuar evolucionin e ardhshëm të botës. Në fund të muajit mars, presidenti kinez Xi Jinping mirëpriti një delegacion të madh biznesmenësh amerikanë në Pekin.
Presidenti i SHBA-së Joe Biden do të presë më 100 prill në një takim në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin japonez Fumio Kishida. Ndërkohë Xi dhe Biden zhvilluan një telefonatë të paparalajmëruar më datën 2 prill në një përpjekje për të menaxhuar tensionet e forta midis dy vendeve.
Gjatë takimi të marsit me drejtuesit e biznesit amerikan, Xi luajti rolin e një “shitësi kryesor”. Ai ishte i buzëqeshur dhe i qetë, dhe dukej sikur prioriteti i tij për momentin të ishte të sqaronte disa keqkuptime të vogla që ekzistojnë midis Pekinit dhe Uashingtonit në aspektin gjeopolitik.
“Investoni në Kinë. Pavarësisht nga vështirësitë tona reale, sidomos në fushën e pasurive të paluajtshme, ne jemi më të qëndrueshëm se kurrë më parë. 30 për qind e rritjes së ekonomisë botërore është ende produkt i Kinës”- u tha ndër të tjera Xi biznesmenëve të mëdhenj amerikanë.
Problemi është se mesazh i ri i udhëheqësit kinez, vështirë se mund të besohet në këto momente. Si do të mundet Kina të tërheqë njëkohësisht biznesin e huaj dhe të vazhdojë të krijojë lidhje më të ngushta diplomatike dhe strategjike me Rusinë e Presidentit Vladimir Putin? Si mund të denoncojë ajo klimën e Luftës së Ftohtë, gjoja të imponuar nga Uashingtoni, dhe në të njëjtën kohë të shfaqë vetë një nacionalizëm gjithnjë e më agresiv në Detin e Kinës?
Fqinjët nervozë
Kina duhet të zgjedhë midis rifillimit të rritjes ekonomike në një nivel të kënaqshëm dhe provokimeve shoviniste që synojnë, të paktën pjesërisht, të kompensojnë vështirësitë që po has aktualisht ekonomia e saj. Jini krenarë që jeni kinezë, për shkak të dëshirës për t’u bërë gjithnjë e më të begatë, dukej se iu tha Xi bashkëqytetarëve të tij, teksa i mungonte ndonjë fjalë më e mirë.
Por mburrja me madhështinë e qytetërimit kinez, në mos e epërsisë së tij, e ka një kosto, veçanërisht në Azi. Ajo i bën fqinjët e Kinës shumë nervozë. Sipas burimeve të mirë-informuara, SHBA dhe Japonia do të forcojnë paktin e sigurisë ushtarake midis tyre të nënshkruar 60 vjet më parë.
Me një bashkëpunim më të ngushtë dhe me një zinxhir komandimi më të integruar, këto ndryshime kanë vetëm një objektiv: t’i rezistojnë më mirë ambicieve kineze. Ashtu si Rusia e Putinit që e ka transformuar qasjen e Gjermanisë ndaj çështjeve të sigurisë në Evropë, edhe sjellja e Kinës së Xi, po e nxit Japoninë që të investojë masivisht mbi sigurinë e saj. Reflekset pacifiste të dy kombeve të mëdha të mposhtura të Luftës së Dytë Botërore, po i lënë gradualisht vendin qëndrimeve agresive të dy vendeve të mëdha autoritare të kohës sonë. A është Kina në prag të pajtimit midis Japonisë dhe Koresë së Jugut?
Nuk jemi ende në atë fazë. E megjithatë, në aspektin kulturor, sondazhet tregojnë se të rinjtë japonezë nën moshën 35 vjeç shkojnë më shumë në Seul sesa në Los Angeles, Londër apo Paris. A do ta afrojë Tokion dhe Seulin më pranë njëri-tjetrit, fuqia e butë e muzikës koreane, e ndihmuar deri diku nga fuqia e fortë e Kinës?
Rritje ekonomike apo fuqi globale
Politikat e Pekinit po e izolojnë Kinën në Azi, dhe po ua bëjnë më të vështirë investitorëve globalë që të rifitojnë besimin në raport me të. Ndaj Xi duhet të zgjedhë midis rritjes ekonomike dhe fuqisë, mes merkantilizmit dhe nacionalizmit. Që të dyja nuk janë domosdoshmërisht të pajtueshme me njëra-tjetrën.
SHBA-ja e ka kuptuar këtë gjë dhe po i kushton shumë vëmendje. Thuhet se Pekini është duke ushtruar presion ndaj Rusisë për të hequr dorë nga kërcënimi me përdorimin e armëve bërthamore. Por kjo nuk mjafton. Kina duhet të tregojë se nuk është në të njëjtën ligë me Moskën.
Kjo edhe pse sjellja e saj në fushën e sigurisë kibernetike është më e pakta agresive. Ndryshe nga Rusia, Kina është një fuqi e madhe shumëdimensionale që po krijon pasuri, në vend se thjesht ta shfrytëzojë atë. Vetëm për shkak se lufta ka më shumë gjasa të përhapet në Evropë - pse jo edhe në Lindjen e Mesme - sesa të shpërthejë në Azi, ne s’duhet të harrojmë një kontinent që përbën pothuajse gjysmën e popullsisë së botës dhe rritjen e saj ekonomike. Shtetet e Bashkuara e kanë kuptuar këtë. Uashingtoni po i kushton vëmendje (dhe më shumë se sa kaq) luftërave në Ukrainë dhe Gaza. Por prioriteti i tij strategjik mbetet rivaliteti me Kinën dhe ruajtja në përgjithësi e statusit të saj në Azi./Përshtati Pamfleti nga “Worldcrunch”
Lini një Përgjigje