
Putini krenohet me një rekord personal vërtet shqetësues: ai ka mashtruar, manipuluar dhe tallur katër presidentë amerikanë.
Precedentët historikë nuk janë shenjë e mirë, pak orë para samitit në Alaska.
Pavarësisht të gjitha veçorive të këtij takimi dhe të dy figurave kryesore, një gjë mbetet e pandryshuar: në këtë lloj samitesh, zakonisht janë rusët ata që dalin fitues.
Vladimir Putin ka një rekord personal shqetësues: ka mashtruar, manipuluar dhe vënë në lojë katër presidentë amerikanë. Shanset që Trump të ndërpresë këtë seri suksesesh ruse sot në mbrëmje janë realisht, shumë të vogla, madje edhe duke lënë mënjanë kufizimet e tij personale.
Pak ditë më parë kujtova disa nga samitet më të dështuar në histori: në Jaltë, në vitin 1945, një Franklin Roosevelt i sëmurë nuk e kuptoi lojën e Josef Stalinit, e cila shpejt do të vendoste regjime shtypëse në gjysmën e Europës. Në vitin 1960, një takim Eisenhower–Hrushov u prish nga rrëzimi i një avioni spiun amerikan mbi BRSS. Në 1961, i njëjti Hrushov e vuri në pozitë të vështirë John Kennedyn, që u duk si një i papërvojë.
Ka shumë shembuj, por dy më të afërt kanë protagonist vetë Putinin.
Më 16 qershor 2001, pas takimit me të, George W. Bush tha: “E pashë në sy, mu duk i drejtpërdrejtë dhe i sinqertë. E ndjeva shpirtin e tij”. Po i njëjti Bush reagoi dobët në 2008, kur Rusia nisi luftën në Gjeorgji, një sinjal për Putinin se Amerika nuk do ta pengonte të sulmonte fqinjët.
Presidenti tjetër që u vendos në pozitë të vështirë ishte Barack Obama. Më 26 mars 2012, në një samit në Korenë e Jugut, ai iu afrua Dmitri Medvedevit, “zëvendësit” të Putinit, dhe i tha, duke menduar se mikrofoni ishte i fikur: “Pas zgjedhjeve do të kem më shumë fleksibilitet për të negociuar me ty”. Obama u mashtrua nga imazhi i rremë i Medvedevit si pro–perëndimor. Pak më vonë, Putin u rikthye president, pushtoi dhe aneksoi Krimenë. Sërish, reagimet e Obamës ishin sanksione të buta, që Moska i lexoi si leje për agresione të tjera.
Në samitin e G-20 në Shën Petersburg (2013), Obama e trajtoi Rusinë si një “fuqi rajonale”, duke e fyer Putinin pa i dëmtuar fuqinë reale. Më pas, ai nuk zbatoi “vijën e kuqe” për armët kimike të Assadit në Siri, gjë që Putin e shfrytëzoi.
Takimet e fundit po ashtu ishin të pafrytshme: në Helsinki 2017, Trump u la që Putini t’i “shpjegonte” politikën e jashtme amerikane; në Gjenevë 2021, Biden, i perceptuar si i paqartë, u përball me një Putin të sigurt në vetvete. Administrata Biden tregoi vonesa, hezitime e kontradikta në menaxhimin e luftës në Ukrainë, nga oferta që Zelensky të largohej në fillim të pushtimit, te furnizimi i pamjaftueshëm me armë dhe sanksionet joefektive.
Historikisht, pra, gjasat për një rezultat pozitiv nga Anchorage janë të pakta.
Kjo sepse, përveç aftësive të Putinit, në SHBA presidenti shpesh ka shumë prioritete të tjera dhe politika e jashtme nuk është kryesorja, ndërsa një diktator si ai mund të fokusohet totalisht te përballja. Për më tepër, përçarjet politike në demokraci shpesh i japin avantazh kundërshtarit të jashtëm, gjysma e Amerikës mund të dëshirojë hapur që presidenti i saj të dështojë në takim, gjë e paimagjinueshme në Rusi.
Megjithatë, në garën afatgjatë mes dy superfuqive, që nga 1945, avantazhi ekonomik dhe i mirëqenies ka qenë gjithmonë në anën e SHBA-së. Por kjo epërsi sistemike shpesh krijon vetëkënaqësi, e njëjta vetëkënaqësi që ka ndihmuar Putinin të shënojë një seri fitoresh diplomatike kundër Bush, Obama, Trump dhe Biden. /Përshtati “Pamfleti” nga “Corriere Della Sera”
Lini një Përgjigje