Rusia është në prag të luftës civile dhe duket se kreu i Wagner e ka bërë me dhimbje koke Putinin...
Ai kishte lëshuar mesazhe të forta kundër drejtuesve të ushtrisë, duke i cilësuar si hajdutë, të korruptuar dhe të paaftë. Por nga akuzat, ai shoi shkoi në atë që duket të jetë një marshim i vërtetë drejt Moskës. Bëhet fjalë për kreun e Wagner, Yevgeny Prigozhin, i cili duket se ka hyrë në një rrugë pa kthim. Ai kritikoi drejtpërdrejt Putinin dhe u shpreh se Wagner nuk dorëzohet. Por pyetja që shtrohet është se pse pikërisht tani kjo kryengritje?
Përgjigja e tij u dha deridiku të premten, kur ai deklaroi në disa video se ushtria ruse kishte arritur aq larg sa kishte bombarduar territorin e saj me raketa, duke vrarë ushtarë të panumërt. Ka qenë kashta që i ka thyer shpinën devesë, sipas shpjegimit të tij.
Prigozhin, të cilin të gjithë e kanë lidhur gjithmonë drejtpërdrejt me Putinin dhe mbrojtjen e të cilit ai e ka pasur gjithmonë pothuajse pa kushte, deri më tani ka thënë atë që donte dhe atë që mendonte. Presidenti rus i ka shumë borxhe dhe jo vetëm për aftësinë e tij për të drejtuar restorante, për të furnizuar me ushqim ushtrinë dhe shumë agjenci të tjera shtetërore.

Ishte e tij ideja për të ashtuquajturën “fabrika e trollëve” në Shën Petersburg. Një ndërtesë e mbushur me kompjuterë dhe hakera të rinj, të cilët nga qyteti rus në Balltik kanë vazhduar të godasin Perëndimin për vite me radhë duke përhapur lajme të rreme. Po ashtu kanë ndikuar në zgjedhjet e mbajtura në SHBA dhe në Francë.
Pastaj ideja gjeniale e krijimit të “Wagner”. Ai afroi ish-anëtarë të trupave speciale, duke i dërguar anekënd botës në emër të Nënës Rusi. Wagnerianët mund të bënin atë që për trupat e rregullta ishte, ndoshta, shumë e turpshme. Të tilla si, për shembull, vrasja me çekiç para një aparati fotografik të atyre që kishin dezertuar. Ata ishin shumë efikasë në Republikën e Afrikës Qendrore, më pas në Siri, Libi dhe në fund në Ukrainë. Por këtu gjërat nuk shkuan mirë dhe u dhanë sinjalet se krisja e madhe po afronte.
Pak ditë më parë, ministrit Shojgu kërkonte që të gjithë pjesëtarët e milicive private të nënshkruanin një kontratë duke përfunduar nën komandën ushtarake zyrtare. Prigozhin u përgjigj menjëherë se njerëzit e tij nuk do ta bënin kurrë këtë dhe do të vazhdonin të luftonin të pavarur. Dukej se ata po "pushonin" pas betejës rraskapitëse të Bakhmutit. Por forcat Wagner u rikthyen në vijën e parë.
Ditët e fundit, ushtria kishte intensifikuar presionin e tyre në funksion të afatit që Shoigu kishte vendosur që në fillim: 1 korriku, datë në të cilën të gjithë vullnetarët duhet të ishin kthyer nën komandën e tij. Prandaj, bombardimet ruse në territorin e saj ishin pretekstit që Prigozhin të dilte vetëm kundër të gjithëve. Nuk duhet harrur se vitin që vjen Rusia mban zgjedhjet presidenciale dhe ndoshta ambicia e kreut të Wagner është posti i Putinit. /Përshtati “Pamfleti” nga "Corriere Della Sera”
Lini një Përgjigje