
Siç tha dikur filozofii famshëm gjerman Friedrich Nietzsche: “Ai që lufton ndaj përbindëshave, mund të ketë kujdes që të mos bëhet vetë një i tillë!”.
Të premten e javës së kaluar, Shtetet e Bashkuara njoftuan vendosjen e sanksioneve kundër Bidzina Ivanishvilit, një biznesmen gjeorgjian që u pasurua shumë në Rusi gjatë viteve 1990. Sekretari i Shtetit Antony Blinken, tha se ky vendim u mor pasi partia Ëndrra Gjeorgjiane e Ivanishvilit po e “minon të ardhmen demokratike dhe euroatlantike të Gjeorgjisë në interesin e Federatës Ruse”.
Ëndrra Gjeorgjiane triumfoi në zgjedhjet parlamentare të tetorit, ndërsa të dielën u betua një president i ri, një aleat i kësaj partie, teksa në rrugët e Tbilisit vazhdojnë protestat e mëdha të opozitës. Perëndimi pretendon se nuk pati zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Këtë pikëpamje e ndajnë edhe kundërshtarët politikë të Ivanishvilit në Gjeorgji. Njëri prej tyre, Nika Gvaramia, i ka krahasuar zgjedhjet me një “grusht shteti kushtetues”. Në kundërpërgjigje të rezultatit të zgjedhjeve, BE-ja miratoi një rezolutë në të cilën i hodhi poshtë, duke kërkuar përsëritjen e tyre brenda një viti.
Brukseli tha se zgjedhjet përfaqësonin një “shenjë tjetër të hapave prapa të vazhdueshme të këtij vendi në raport me demokracinë”. Nëse ngjarjet në Gjeorgji - një vend kandidat për në Bashkimin Evropian - janë shqetësuese, po të tilla janë edhe ato në Rumani, ku dikush mund të argumentojë se së fundmi ka pasur gjithashtu një “grusht shteti kushtetues”.
Më 23 dhjetor, ndërsa pjesa më e madhe e vëmendjes së Perëndimit ishte e përqendruar në festimet e Krishtlindjeve, presidenti rumun Klaus Iohannis riemëroi në detyrën e kryeministrit Marcel Ciolacu. Ky emërim, është njëfarë transformimi në fatin e socialdemokratit Ciolacu.
Sepse disa javë më parë ai u mposht rëndë në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të Rumanisë, duke zbritur në vendin e tretë pas Calin Georgescu dhe kandidates së qendrës së djathtë Elena Lasconi e Bashkimit Shpëto Rumaninë.
Fitorja e Georgescut e tronditi Perëndimin. I përshkruar nga BBC si një “kandidat i ekstremit të djathtë dhe pro-rus”, ai bëri fushatë nën sloganin e “rikthimit të dinjitetit të kombit”. Politico e intervistoi Georgescun pak përpara raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale, dhe ai foli për vendosmërinë e tij për të kufizuar ndikimin e shumëkombësheve në Rumani, të cilat sipas tij po pasurohen më tej në kurriz të qytetarëve të thjeshtë rumunë.
Politico raportoi se fitorja e Georgescut në raundin e parë të zgjedhjeve do të “shkaktonte sirena alarmi në Bruksel”, për shkak të armiqësisë së tij ndaj investitorëve të huaj por edhe BE-së. Alarmi u përshkallëzua kur sondazhet raportuan se Georgescu, mund të fitonte në raundin e dytë të zgjedhjeve që do të mbaheshin më 8 dhjetor.
Georgescu hodhi akuzat se Rusia e kishte manipuluar deri diku rezultatin e zgjedhjeve. “Ata thanë të njëjtën gjë edhe për Donald Trumpin. Është e kotë. Ata nuk e kuptojnë se populli mund të ketë fuqinë e votës. Njerëzit janë mësuar të thonë: Vota juaj s’ka rëndësi. Në fakt këto zgjedhje treguan se kishte rëndësi”- tha ai për Politico.
Në fakt doli se nuk kishte aq rëndësi sa mendonte Georgescu. Në prag të balotazhit të dytë midis Georgescut dhe Lasconit, rezultati i raundit të parë u anulua, pasi presidenti në largim Klaus Iohannis e akuzoi fushatën të parit se mbështetej nga Rusia.
Gjykata Kushtetuese e mori vendimin e saj, pasi shqyrtoi dokumentet e deklasifikuara të shërbimeve sekrete, që vunë në dukje aktivizimin e rreth 800 llogarive të TikTok pak përpara se rumunët të shkonin në votime. Këto i atribuoheshin Rusisë, dhe ndonëse nuk kishte prova për parregullsi tek vetë zgjedhjet, fakti që një shtet armiqësor mund të ishte përpjekur të ndikonte tek votuesit në mediat sociale, mjaftoi që rezultati të anulohej.
Siç vërejti BBC, vendimi i Gjykatës ishte “një kthesë e madhe nga një vendim i marrë 4 ditë, përpara se të miratonte votimin në raundin e parë të 24 nëntorit, pas një rinumërimi të plotë të 9.4 milionë votave”. Georgescu reagoi duke e përshkruar veten si viktimë e një “grushti shteti” të kryer nga një “regjim i korruptuar”.
Deri më sot, Departamenti i Shtetit i SHBA-së nuk ka vendosur kufizime vizash për asnjë zyrtar rumun për minimin e demokracisë. As parlamenti i BE-së nuk ka miratuar një rezolutë që dënon “hapat prapa në raport me demokracinë”.
Institute si “Emerging Europe”, që e cilëson veten si një “këshillues për politika dhe menaxhimin” u shprehën të lehtësuar për anulimin. Në një artikull, avokatja nga Bukureshtit, Claudia Postelnicescu, e cila ka lidhje me Komisionin Evropian, shkroi: “Ne jemi dëshmitarë vetëm të fillimit të asaj që mund të etiketohet si “zbatim i ligjit”, kur bazuar në interpretimin e normave kushtetuese, Gjykatat Kushtetuese në Evropë do të marrin përsipër të ruajnë demokracinë dhe shtetin e së drejtës”.
Postelnicescu e justifikoi vendimin e fundit, duke thënë se Evropa është në një “epokë të luftës hibride ndaj Rusisë”. Që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë në vitin 2022, Rumania ka qenë një aleat kyç i Kievit, dhe në fillim të këtij viti të dyja vendet nënshkruan një marrëveshje sigurie me afat dhjetëvjeçar.
Për më tepër, Rumania, e cila ndan një kufi prej 640 km me Ukrainën, është bërë një kanal jetik për kalimin e grurit ukrainas në tregjet globale. Po ashtu, Rumania nuk ka qenë kurrë aq e rëndësishme strategjikisht për NATO-n sa është tani.
Calin Georgescu e ka lavdëruar Vladimir Putinin si një lider që “e do vendin e tij”, në një kohë që e ka cilësuar Ukrainën si një “shtet të shpikur”. Ai e mohon se është pro Putinit, por me Georgescun si president, Rumania mund të mos jetë aq e vendosur në mbështetjen e saj për Ukrainën.
A mundet që “ligji” që eliminoi Georgescun nga zgjedhjet presidenciale të Rumanisë, të përdoret edhe kundër Marine Le Pen në pranverën e vitit që vjen? Udhëheqësja e Tubimit Kombëtar në Francë, do të zbulojë më 31 mars nëse do të përjashtohet apo jo nga kandidimi për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027.
Prokurorët në Paris, kanë kërkuar që asaj t’i ndalohet pjesëmarrja në politikë për 5 vjet, për shkak të akuzës së keqpërdorimit të fondeve të BE-së për një periudhë disa vjeçare. Mbështetësit e Le Pen pretendojnë se kjo është një “gjueti shtrigash” politike.
Vetë Le Pen akuzon prokurorët se po kërkojnë “vdekjen e saj demokratike”. Një muaj përpara se të mësojë fatin e saj, votuesit gjermanë do të shkojnë në qendrat e votimit për të zgjedhur një kancelar të ri, dhe Alternativa për Gjermaninë e ekstremit të djathtë AfD pritet të dalë mirë.
Pasi triumfoi në zgjedhjet rajonale të shtatorit në Turingi, duke fituar pothuajse 1/3 e votave, AfD është partia që ka më shumë gjasa të përfitojë elektoralisht nga sulmi terrorist i javës së kaluar në një treg Krishtlindjesh në Magdeburg, që shkaktoi 5 të vrarë dhe dhjetëra të plagosur.
Fitorja e AfD-së në Turingi shkaktoi një reagim të ashpër nga partitë e tjera politike në Gjermani. Në tetor, një grupim ndërpartiak prej 113 deputetësh të qendrës, nisi një fushatë për ta nxjerrë jashtë ligjit AfD-në. “Demokracia gjermane është në rrezik, pasi AfD-ja është një forcë politike antikushtetuese që po synon të marrë pushtetin, dhe ka një shans realist për ta fituar atë”- tha Carmen Wegge nga Partia Socialdemkrate (SPD) e qendrës së majtë.
Dikush mund ta kundërshtojë këtë qasje, duke thënë se demokracia gjermane rrezikohet më shumë nga politikanët që synojnë të ndalojnë një kundërshtar të garojë, sepse i duken të papëlqyeshme idetë e tij popullore. A nuk ndodh kështu në diktaturat dhe regjimet si ai në Rusinë e Putinit?
Siç tha dikur filozofii famshëm gjerman Friedrich Nietzsche: “Ai që lufton ndaj përbindëshave, mund të ketë kujdes që të mos bëhet vetë një i tillë!”./Përshtati "Pamfleti" nga “The Spectator”
Lini një Përgjigje