Në një epokë ku përparimet teknologjike dhe integrimi ekonomik, premtojnë mundësi të paprecedenta, gati 700 milionë njerëz në mbarë botën vazhdojnë që të jetojnë në varfëri ekstreme, duke mbijetuar me më pak se 2.15 dollarë në ditë.
Kjo shifër, flet jo vetëm për një dështim të madh por nxjerr në pah kompleksitetin dhe natyrën shumëdimensionale të varfërisë, e cila mbetet shumë e rrënjosur në mbarë botën. Pavarësisht dekadave të progresit, reduktimi i varfërisë globale është ngadalësuar më pak nga sa pritej.
Kjo për shkak të periudhave të rritjes së ulët ekonomike, pasojave ende të pranishme të pandemisë së Covid-19 dhe brishtësisë në rritje në rajonet e cenueshme. Por çfarë është varfëria? Varfëria, e perceptuar shpesh në terma të thjeshtëzuar si një privim i thjeshtë ekonomik, është një fenomen i shumanshëm.
Përtej mungesës së burimeve financiare, varfëria përfshin një sërë privimesh, përfshirë qasjen e kufizuar në arsim, kujdes shëndetësor dhe lehtësirat bazë. Ajo e çimenton përjashtimin social, e mbyt potencialin dhe përjetëson ndër breza ciklet e disavantazhit.
Dhe kjo zbulon një realitet rrëqethës: vetëm rritja ekonomike, nuk ka qenë e mjaftueshme për ta nxjerrë nga mjerimi një pjesë të madhe të njerëzimit. Larg nga të qenit thjesht statistikë apo një mungesë ekonomike kalimtare, varfëria është një dukuri e kudondodhur e të gjitha shoqërive në mbarë planetin.
Ajo nuk shfaqet vetëm si mungesë e thjeshtë ose një mori privimesh të tjera, por përfshin edhe deficite në të ushqyerit, arsimim dhe kujdes shëndetësor, të cilat janë gurët e themelit të zhvillimit njerëzor. Pavarësisht nga një sërë mjetesh analitike, kornizash politikash dhe programesh zhvillimi të propozuara gjatë dekadave, çrrënjosja e varfërisë mbetet ende një sfidë e madhe.
Ndërsa kuptimi ynë për varfërinë mund të ketë evoluar shumë, gjetja e një ilaçi universal mbetet po aq e largët sa më parë. Qëndrueshmëria dhe kompleksiteti i varfërisë, nuk është askund më e dukshme se sa në Afrikën Sub-Sahariane, ku banon 67 për qind e popullsisë globale që jeton në varfëri ekstreme, edhe pse aty jeton vetëm 16 për qind të popullsisë së botës.
Pasojat janë të rënda: pa ndryshime të rëndësishme në trajektoren aktuale, rreth 622 milionë njerëz parashikohet të mbeten në varfëri ekstreme deri në vitin 2030. Për më tepër, rreth 3.4 miliardë njerëz do të jetojnë me më pak se 6.85 dollarë në ditë, duke treguar shtrirjen e madhe të varfërisë, që prek gati gjysmën e popullsisë globale.
Nga ana tjetër, rajoni i Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut përballet me një krizë të thellë
të varfërisë dhe pabarazisë të nxitur nga dështimet strukturore në qeverisje dhe pabarazitë e vazhdueshme socio-ekonomike. Varfëria kronike prek gati 2/3 e rajonit. Shtesa e mesme po tkurret, veçanërisht në vendet jo-prodhuese të naftës, ku ka rënë nga 45 në 33 për qind.
Qeverisja e dobët në trajtimin e korrupsionit dhe zbatimin e reformave efektive, i përkeqëson krizat ekzistuese. Ajo po nxit një ndjenjë të padrejtësisë dhe pafuqisë së perceptuar në mesin e qytetarëve, duke pasur parasysh pabarazinë ende në rritje të pasurisë, ku 10 përqindëshi i individëve më të pasur, zotëron gati 2/3 e pasurisë së rajonit.
Nga ana tjetër, varfëria duhet kuptuar si një kërcënim shumëdimensional. Sepse e dobëson kohezionin social, përkeqëson dobësitë ndaj ndryshimeve klimatike dhe nxit pabarazinë. Rritja e popullsisë në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe pjesë të Azisë e përkeqëson veçanërisht këtë sfidë, me miliona të tjerë që pritet të përballen me qasjen e pamjaftueshme në kujdes shëndetësor dhe arsim.
Për këtë arsye, komuniteti global të rimendojë qasjen e tij, dhe të rrisë investimet në mënyrë domethënëse, nëse dëshiron të ketë ndonjë shpresë për arritjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm deri në vitin 2030. Lufta ndaj varfërisë akute, kërkon një nivel të paprecedentë bashkëpunimi dhe investimesh ndërkombëtare.
Investimet e zgjuara në shëndetësi, arsim, energji, bujqësi, infrastrukturë dhe dixhitalizim janë identifikuar si faktorë shtytës shumë të rëndësishëm për përmirësimin e dukshëm të kushteve të jetesës. Fondet duhet të ridrejtohen nga shpenzimet ushtarake, tek ecja përpara me “Paktin për të Ardhmen”, një plan strategjik i OKB-së që synon adresimin e sfidave globale.
Ai përshkruan ndërhyrjet vepruese në të gjithë sektorët jetikë për sigurinë dhe zhvillimin njerëzor, ndërsa ofron themele strukturore financiare për të trajtuar varfërinë në rrënjët e saj.
Për të luftuar në mënyrë të mundshme varfërinë akute, bota duhet të sigurojë gjithashtu që ndihma financiare, mbështetje teknologjike dhe ndihma për zhvillim që jo vetëm të rriten por të kenë objektiva specifikë.
Forcimi i mbrojtjes sociale, nxitja e qëndrueshmërisë ndaj ndryshimeve të klimës në komunitetet agrare dhe zbatimi i politikave tregtare të drejta, përfaqësojnë disa nga hapat konkretë që mund të transformojnë trajektoren aktuale. Thyerja e ciklit të varfërisë, kërkon më shumë se sa vetëm rritje ekonomike.
Ajo kërkon përpjekje të specifike, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për të përmirësuar arsimin, kujdesin shëndetësor, infrastrukturën dhe krijimin e vendeve të punës. Po ashtu janë të domosdoshme bashkëpunimi ndërkombëtar dhe politikat novatore të përshtatura sipas nevojave unike të rajoneve të ndryshme. Përshtati nga “Arab News”, Pamfleti
Lini një Përgjigje