TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota30 Dhjetor 2024, 22:26

Si agjencitë sekrete në mbarë botën përdorin kafshët për spiunazh?!

Shkruar nga Stefan Wolff & David Hastings Dunn

Si agjencitë sekrete në mbarë botën përdorin

Midis tyre ka qenë një program sovjetik për të trajnuar kafshët detare si spiunë dhe vrasës, i cili u mbyll në vitin 1991.

Vdekja e një spiuni, është rrallë një argument i denjë për të bërë lajm, dhe kjo për shkak të sekretit që e rrethon. Por kur një balenë e bardhë e llojit Beluga, e dyshuar se i shërbente spiunazhit të Moskës, u gjet e ngordhur në ujërat norvegjeze në shtator të këtij viti, shumë shpejt kjo kafshë u bë një personazh i famshëm.

Balenës së cilës u vu nofka Hvaldimir (një bashkim i emrin hval që në norvegjisht do të thotë balenë, dhe emrit të presidentit rus) iu bë autopsia zyrtare nga Drejtoria Norvegjeze e Peshkimit. Balena ishte zbuluar si spiune që në vitin 2019. Ajo është pjesë e një liste gjatë kafshësh, që janë përdorur nga shërbimet sekrete për spiunazh.

Midis tyre ka qenë një program sovjetik për të trajnuar kafshët detare si spiunë dhe vrasës, i cili u mbyll në vitin 1991. Shtetet e Bashkuara kanë kryer eksperimente të ngjashme me kafshët, disa prej të cilave datojnë që nga vitet 1960. Një nga përpjekjet më të pazakonta të CIA-s për të përdorur kafshët si spiunë, ishte Operacioni Macja Akustike.

Ideja ishte vendosja në trupin e një maceje e një mikrofoni dhe një antene, dhe përdorimi i saj për të përgjuar biseda potencialisht interesante. Por testimi në terren shkoi shumë keq, pasi macja u largua nga vendi i përcaktuar dhe u shtyp nga një taksi. Kjo bëri që programi të braktisej shpejt.

Një shembull më i suksesshëm, ishte përdorimi i pëllumbave spiunë. Të pajisur me kamera të vogla, pëllumbat mund të depërtonin me lehtësi në zonat e kufizuara dhe të “bënin foto” pa ngjallur dyshime, përpara se të ktheheshin të sigurt në bazën e tyre, duke përdorur aftësinë e tyre të jashtëzakonshme për të gjetur strehë.

Ai që u bë një program shumë i suksesshëm i CIA-s gjatë Luftës së Ftohtë, u frymëzua nga përpjekjet e britanikëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me kalimin e kohës, teknologjia krijoi mundësi për të shfrytëzuar fshehtësinë e kafshëve duke eliminuar paparashikueshmërinë e tyre. Projekti Aquiline, synonte të krijonte një dron të ngjashëm me shpendët, të pajisur plotësisht në stilin e avionëve të spiunazhit më tradicionalë, por më të vogël dhe më të gjithanshëm, në mënyrë që të mund të afrohej më shumë me objektivat e tij.

Një tjetër version, edhe më në miniaturë ishte insektotopteri, të cilin CIA e zhvilloi në vitet 1970. Edhe pse as modelet e ‘akuilinës’ dhe as ‘insektotopterit’, nuk u bënë kurrë plotësisht funksionale, ato njihen si pararendësit e dronëve të sotëm.

Ndërkohë gjatë viteve 1990, u shfaq në skenë peshku robotik i CIA-s, Charlie. Ai ishte pjesë e një liste më të gjatë dronësh nënujorë që manovroheshin me sukses, të cilët janë më efektivë dhe më pak të prekshëm se sa balena fatkeqe Hvaldimir. Por efektiviteti, nuk matet gjithnjë me suksesin e një metode të pazakontë të spiunazhit.

Një nga planet e britanikëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, për të përdorur minjtë e ngarkuar me eksploziv, dhe për t’i shpërndarë ato në dhomat e kaldajave në fabrikat gjermane, ku më pas do të shpërthenin sapo të futeshin në një kazan, dukej se ishte i dënuar të dështonte, kur ngarkesa e parë me rreth 100 minj u kap nga gjermanët.

Ndërsa puna me kafshët rezultonte shpesh problematike, përpjekjet për të përfituar nga ato duke i maskuar pajisjet si objekte të pajeta, kanë shkaktuar edhe shumë momente të sikletshme. Një përpjekje e tillë, përfshiu stacionin shërbimin sekrete britanik MI6 në Moskë.

Ai u përpoq të përmirësonte teknikën e ‘heqjes së shkronjave të vdekura” për marrjen e informacionit sekret nga spiunët në Rusi. Në vend se të rrezikonte të linte informacione sekrete në një vend të paracaktuar, versioni i ri MI6 bazohej tek ideja se informacioni mund të transmetohej elektronikisht përmes një marrësi të fshehur në një shkëmb të rremë, të vendosur pranë ministrisë në fjalë, i cili më pas mund të shkarkohej pas një shëtitje të mëvonshme.

Por aktiviteti i dendur i shumë burrave me kostume në një pjesë të këtij parku, çoi në zbulimin e shkëmbit. Zbulimi i operacionit në vitin 2006, shkaktoi shumë siklet për qeverinë e Mbretërisë së Bashkuar. Ndërsa organizatat e shërbimeve sekrete janë gjithnjë në kërkim të mjeteve inovative për të përmirësuar zanatin e tyre, nuk ka dyshim se përdorimi më i suksesshëm është në formën e improvizimit njerëzor.

Një shembull i dukshëm i kësaj, ishte nxjerrja klandestine nga Bashkimi Sovjetik e Oleg Gordievsky në vitin 1985, pasi u demaskua njëri prej agjentëve të dyfishtë më të vlefshëm të Perëndimit në BRSS që punonte për inteligjencën britanike.

Ekipi i dy diplomatëve britanikë dhe bashkëshorteve të tyre, duhej të kalonte nëpër 3 pika kontrolli sovjetike dhe 2 të tjera finlandeze. Teksa u afrua qeni i parë i rojës, njëri nga çiftet i ofroi qenit një cope djathë dhe qepë të freskët, duke i hequr mundësinë të nuhaste aromën e Gordievskyt që fshihej në bagazhin e makinës.

Kur një qen tjetër nisi të nuhaste çizmet, në lojë u fut një metodë edhe më e zgjuar dhe e suksesshme e spiunazhit. Gruaja e njërit prej diplomatëve, e vendosi fëmijën e saj 18 muajsh në bagazhin e makinës, i ndërroi pelenat dhe më pas e hodhi në tokë pelenën e ndotur, duke e shpërqendruar me sukses qenin dhe rojen.

Këto veprime, nuk ishin pjesë e planit të nxjerrjes nga Bashkimit Sovjetik të Gordievskyt, por një improvizim po aq instinktiv dhe i zgjuar nga ata që ishin mësuar të vepronin në mjedise armiqësore, dhe të praktikuar më së miri për të manipuluar vëmendjen e padëshiruar të agjentëve të armikut.

Buxhetet e shtrenjta të kërkimit dhe përparimet teknologjike premtuese, ofrojnë një avantazh në rrethana të caktuara. Por teknikat më efektive të spiunazhit, mund të mbështeten ende tek mendimi i atypëratyshëm dhe veprimi i guximshëm./Përshtati “Pamfleti” nga “The Conversation”

Lini një Përgjigje