TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota21 Gusht 2024, 22:15

Pse një traktat paqeje është i mundur në Gaza, por jo në Ukrainë?!

Shkruar nga Yuriy Matsarsky

Pse një traktat paqeje është i mundur në Gaza, por jo

Ukrainasit nuk janë përballë zgjedhjes “Luftë përkundrejt paqes”, por “Luftë përkundër masakrave si ajo në Bucha”...

Gjatë muajve të fundit, tema e bisedimeve për paqe ka qenë gjithnjë e më shumë në titujt kryesorë të mediave, si në lidhje me luftën në Ukrainë ashtu edhe me atë në Gaza. Por ndërsa Izraeli ka përjetuar protesta në rrugë që kërkojnë armëpushim, asgjë e tillë nuk po ndodh në Ukrainë.

Gati gjysma e të gjithë izraelitëve, e mbështesin planin e Joe Biden për t’i dhënë fund konfliktit të tyre me terroristët e Hamasit. Ndërkohë, pavarësisht se kanë vuajtur nga një luftë më e gjatë që ka marrë shumë më tepër jetë të pafajshme, ukrainasit nuk duan t’ia dorëzojnë Putinit 5 rajonet e vendit të tyre.

Ukraina dhe Rusia

Kur pushtuesit rusë hynë në shtëpinë e Serhiit në fshatin e tij, ai ndodhej në shtëpinë e fqinjëve duke i ndihmuar të paketonin gjërat për të shmangur përballjen me pushtuesit që po afroheshin me shpejtësi. Serhii mendoi se kishte edhe disa ditë kohë para se të ikte, por e kishte gabim.

Fshati i tij në rajonin e Zaporizhzhias, u pushtua në ditën e tretë të pushtimit në shkallë të gjerë. Kur u kthye në shtëpi, dy oficerë rusë po kontrollonin garazhin e tij. Kur panë Serhiin, i kërkuan ushqim dhe vodka, dhe pyetën nëse në shtëpi kishte dollarë apo euro.

Serhii i çoi në kuzhinë, i uli në tavolinë, u nxori para një shishe vodkë, ua mbushi gotat, u nxori pak ushqim nga frigoriferi, dhe tha se do të shkonte të merrte paratë. Rusët hoqën helmetat, i vunë në qoshe armët dhe filluan të hanin. Ndërkohë, Serhii shkoi në dhomën ngjitur, mori një armë gjahu me dy tyta.

Të shtënat ua çanë kafkat, para se dy ushtarët të kuptonin se çfarë kishte ndodhur. Serhii i tërhoqi trupat zvarrë në gropën e plehrave, ua mori armët dhe municionet dhe nisi të largohej me shpejtësi. Udhëtoi në këmbë për rreth një javë, kryesisht natën për të shmangur patrullat ruse.

Gjatë ditës, fshihej në ferma apo pyje, të cilat janë të pakta në rajonin e stepave. Ishte ende dimër, dhe ai po ngrinte nën dëborë dhe shi, por në fund ia doli të arratisej nga territori i pushtuar. E kuptoi këtë vetëm kur pa një postbllok me një flamur ukrainas. Duke u afruar, u bërtiti në gjuhën ukrainase ushtarëve se ishte një prej tyre, uli armët e rusëve përtokë, ngriti duart, dhe pyeti nëse mund të dilte vullnetar për Forcat e Armatosura të Ukrainës.

Kur takova Serhiin në vjeshtën e vitit të kaluar, ishte pjesë e ushtrisë prej më shumë se një viti, dhe ishte i vendosur të luftonte derisa të çlironte fshatin e tij të lindjes. Ai nuk ka ku të shkojë tjetër: fëmijët i ka të rritur dhe jetojnë në Evropë, gruaja i ka vdekur disa vjet para shpërthimit të luftës, dhe gjithçka që i ka mbetur është një shtëpi dhe disa hektarë tokë në territorin e pushtuar.

Ai kishte jetuar atje gjithë jetën. Por rasti i tij nuk është unik. Si ai ka me mijëra në ushtrinë ukrainase. Batalione të tëra të forcave të armatosura, janë formuar nga banorët e qyteteve të pushtuara të rajoneve Zaporizhzhia, Kherson, Donetsk dhe Luhansk.

Ekziston edhe një batalion i përbërë kryesisht nga tatarët e Krimesë, të cilët u detyruan të largoheshin nga gadishulli pas aneksimit rus të vitit 2014. Shumë prej këtyre ushtarëve i kanë ende familjet në territoret e pushtuara, duke u përballur me dëbimin, sekuestrimin e pronave, burgosjet e paligjshme, abuzimet, torturat dhe kërcënimin nga mobilizimi i detyruar në ushtrinë e pushtuesit.

Njerëzit po arratisen nga këto zona me çdo mënyrë që munden. Që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë, rreth 3.5 milionë ukrainas janë shpërngulur në pjesën e lirë të vendit. Nëse numërojmë ata që janë detyruar të largohen nga Krimea dhe Donbasi pas vitit 2014, shifra arrin në 5 milionë.

Dhe kjo vetëm sipas statistikave zyrtare. Dhënia fund e luftës pa çlirimin e tokave të pushtuara, do të thotë jo vetëm t’i lësh qytetarët ukrainas peng të pushtuesve, por të privosh 5 milionë ukrainas - shumë prej të cilëve po luftojnë - nga mundësia për t’u rikthyer në shtëpi.

Një veprim i tillë jo vetëm që do të ishte imoral, por edhe i paligjshëm, pasi Kushtetuta e Ukrainës u garanton të gjithë qytetarëve që i binden ligjit të drejtën e lirisë dhe të paprekshmërisë, e cila nuk mund të sigurohet nën pushtimin rus. Edhe në këmbim të paqes me Rusinë, qeveria ukrainase nuk mund të heqë dorë nga miliona qytetarë të saj që të mbeten nën pushtim apo që kanë rrezikuar jetën e tyre për të shpëtuar prej tij.

Propozimi për të lëshuar 5 rajone (4 të listuara nga Putini plus gadishullin e Krimesë, i pushtuar që nga viti 2014) me një marrëveshje paqeje të pazbatueshme është një mashtrim.

Në rastin më të mirë, ai do të sigurojë një armëpushim të shkurtër, dhe vetëm ata që janë më me fat të jenë në një territor të lirë do të ndjejnë përfitimet e tij.

Ndalimi i luftimeve nuk ka gjasa të lehtësojë gjendjen e atyre që mbeten nën pushtim, pasi lufta e tyre do të vazhdojë në çdo rast. Për ukrainasit, s’mund të ketë kurrë një përgjigje të kënaqshme ndaj pyetjes:”Pse duhet që Ukraina të heqë dorë nga territoret e saj?”.

Izraeli dhe Hamasi

Me gjithë ngjashmëritë e tij me regjimin aktual rus, Hamasi duket i gatshëm për një armëpushim real me Izraelin. Kjo pavarësisht se qëllimi përfundimtar i grupit ka qenë gjithnjë shkatërrimi i shtetit hebre. Në këtë drejtim, Hamasi është më i sinqertë se sa Rusia e Putinit.

Tek e fundit Hamasi flet hapur për planet e tij, ndërsa Putini kufizohet me disa gjysmë-sugjerime të çuditshme, duke cituar letrat e heroit kombëtar ukrainas Bohdan Khmelnytskyi dhe duke treguar histori për mungesën e Ukrainës në hartat e lashta, në një përpjekje për të maskuar synimin e tij për ta eliminuar një herë e përgjithmonë vendin fqinj.

Pa hequr dorë nga synimi i saj afatgjatë, udhëheqja e Hamasit ka deklaruar gatishmërinë e saj për të bërë lëshime në këmbim të një armëpushimi në Gaza. Grupi palestinez është gati të ndjekë planin e propozuar nga presidenti amerikan Joe Biden në maj të këtij viti.

Plani i Biden përbëhet nga tre faza. E para përfshin tërheqjen e njësive të ushtrisë izraelite nga lagjet e banuara në Rripin e Gazës, lirimin e qindra të burgosurve palestinezë nga burgjet, dhe lirimin e njëkohshëm nga Hamasi të disa prej pengjeve izraelitë të rrëmbyer më 7 tetor.

Faza e dytë, parashikon lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura pas tërheqjes së ushtrisë izraelite nga pjesa e populluar e Gazës. Gjatë fazës së tretë, palët ndërluftuese supozohet të shkëmbejnë trupat e të vdekurve dhe të përgatisin një program rindërtimi për Gazën.

Në Izrael, nuk ka as ndonjë mbështetje të qartë për planin, por as kundërshtime të prera. Sondazhet janë shumë të diskutueshme: ndërsa disa sugjerojnë se pak më shumë se gjysma e izraelitëve e mbështesin nismën e Biden, gjysma tjetër ngurron ta mbështesë atë.

Izraelitët janë plot dyshime, shpeshherë të nxitura nga qeveria e tyre: Po sikur Hamasi të jetë vërtet në prag të humbjes? Po sikur armëpushimi të jetë e vetmja gjë që mund ta shpëtojë nga zhdukja grupin terrorist? Meqë nuk ka përgjigje të drejtpërdrejta për këto pyetje, qëndrimi i publikut izraelit ndaj një armëpushimi të mundshëm mbetet po aq i paqartë.

Nga ana tjetër, ukrainasit nuk janë përballë zgjedhjes “Luftë përkundrejt paqes”, por “Luftë përkundër masakrave si ajo në Bucha”. Kur opsionet e vetme janë midis rezistencës dhe vdekjes, zgjedhja është shumë më e lehtë për t’u bërë. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Insider”

Lini një Përgjigje