TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Gusht 2024, 10:41

Pse Irani po frenohet nga fillimi i një luftë totale ndaj Izraelit

Shkruar nga Roger Boyes

 Pse Irani po frenohet nga fillimi i një luftë totale ndaj Izraelit

Dilema e Hezbollahut është: si t’i bëhet presion Izraelit, pa provokuar një luftë të gjithanshme. Lufta e dytë e përgjakshme e Libanit në vitin 2006, ka lënduar një brez të tërë.

Nuk është ndonjë çudi pse po rritet çmimi i arit. Një luftë 10-mujore midis Izraelit dhe grupit terrorist Hamas në Gaza, duket sikur së shpejti mund të përshkallëzohet në një konflikt të madh rajonal, i cili do të prekte rrugët detare dhe zinxhirët e furnizimit, duke shkaktuar kolapsin e shteteve dhe një lloj shpërbërje të rendit global.

Rezultati:tregje nervoze dhe një numër i pazakontë vendimmarrësish politikë që e kalojnë verën afër shtëpisë. Pasi raketat e prodhuara nga Irani, dhe të lëshuara nga Hezbollahu vranë disa fëmijë në Lartësitë Golan të kontrolluara nga Izraeli në fund të muajit të kaluar, Izraeli organizoi vrasjen në Bejrut të një komandanti të lartë të kësaj milicie.

Një ditë më vonë, u vra edhe udhëheqësi i lartë i Hamasit, teksa po qëndronte në një rezidencë në Teheran. Që nga ai moment, bota ka pritur kundërpërgjigjen e regjimit islamik. A do të ndodhë ai në formën e një sulmi ballor, pjesë e gramatikës së konfliktit aktual, në të cilin Izraeli ndërmerr veprime ndëshkuese kundër ushtrive të ndryshme përfaqësuese të armikut të tij kryesor, Korpusit të Gardës Revolucionare Iraniane (IRGC)?

Goditje, kundër-goditje, e pasuar nga një qetësi. Meqë vrasjet e fundit të Izraelit, zbuluan se sa thellë është infiltruar Mossad-i (shërbimi sekret izraelit) tek IRGC, a do ta godiste Irani Izraelin dhe a do ta konsideronte këtë si një përgjigje proporcionale?

Apo do të ketë një shfaqje të madhe e të kombinuar të fuqisë, pra një sulm i koordinuar raketor nga Irani, Hezbollahu me bazë në Liban dhe aleatët e tjerë të tij, duke e tejkaluar përmasat e atij që ndodhi në prill? Ky i fundit, që përfshiu 170 dronë, 30 raketa rrëshqitëse dhe 120 raketa balistike, u pengua nga mbrojtja ajrore izraelite “Kupola e Hekurt”, e ndihmuar nga SHBA-ja dhe vendet e tjera aleate.

Një kundërpërgjigje më e madhe dhe më efektive që do të shkonte përtej qasjes “sy për sy, e dhëmb për dhëmb”. Kreu i Komandës Qendrore të SHBA-së, Michael Kurilla, po diskuton me krerët e Izraelit mbi një tjetër operacion kompleks të mbrojtjes ajrore, në rast se Irani do të ndjekë një përshkallëzim të tillë.

Një forcë sulmuese ajrore amerikane me avionë luftarakë F-35C ndodhet tashmë në rajon; teksa rrugës për atje është një nëndetëse me raketa shumë të sakta. Të tjerë brenda Izraelit, po përgatiten për një sulm të mundshëm kibernetik iranian.

Megjithatë ajo që bie në sy deri më tani, është se nuk ka ndodhur asgjë, pra asnjë përshkallëzim, asnjë sulm vetëvrasës. As shërbimet sekrete perëndimore, nuk kanë gjurmuar ndonjë sinjal që të tregojë një operacion të madh të afërt në kohë. Sigurisht, është fakt që Hezbollahu i ka shtuar sulmet me raketa nga Libani jugor drejt Izraelit.

Por kjo situatë po arrihet të mbahet nën kontroll, pavarësisht zhvendosjes së civilëve në të dy anët e kufirit. Dilema e Hezbollahut është: si t’i bëhet presion Izraelit, pa provokuar një luftë të gjithanshme. Lufta e dytë e përgjakshme e Libanit në vitin 2006, ka lënduar një brez të tërë. Udhëheqësi aktual i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, ka nisur ta zbusë gjuhën e tij. “Unë nuk po them se qëllimi i kësaj beteje është eliminimi i Izraelit”- thotë ai, megjithëse kjo është në fakt një ambicie afatgjatë e Hezbollahut. “Qëllimi i kësaj beteje, është ta parandalojë fitoren e Izraelit … dhe që të mos eleminojë dot rezistencën palestineze”.

Pra ai kërkon të tregojë solidaritet me çështjen palestineze, pasi kjo i jep luftës së tij një legjitimitet më të madh. Por mbështetja e tij për Hamasin është më e heshtur. Kur në vitin 2011 autokrati sirian Bashar al-Assad, po tronditej nga një kryengritje popullore, ai iu lut Iranit për ndihmë.

Dhe e mori atë në formën e mijëra luftëtarëve të Hezbollahut. Nasrallah premtoi se nuk do të lejonte që Siria të binte në duart e Amerikës, Izraelit apo të pafeve. Në anën tjetër të barrikadave ishin luftëtarët e Hamasit, të rekrutuar për të forcuar rebelët anti-Asad.

Pra synimi i milicive përfaqësuese të Iranit, është t’i kujtojnë se nuk janë gjithmonë aleatë, e lëre më pastaj miq. Militantët e Hamasit janë sunitë; ndërsa ata të Hezbollahut janë shiitë dhe më të lidhur me Iranin. Arsenali i Nasrallah - raketat tokë-ajër, raketa të drejtuara anti-ank, Scuds dhe Yakhonts - i jep mundësi Hezbollahut të mburret se mund të lëshojë 3.000 raketa në ditë për 3 javë rresht kundër Izraelit.

Kjo e bën kufirin verior të Izraelit një problem të drejtpërdrejtë, megjithatë nuk është një pengesë e madhe për komandantët e Izraelit. Mbrojtja është përmirësuar ndjeshëm që nga lufta e shkurtër e vitit 2006, dhe izraelitët kanë avantazhin teknik në komplete armatimesh, komandim dhe luftën elektronike.

Zyrtarët ndërlidhës të Teheranit, që lidhin IRGC-në me legjionet e huaja përfaqësuese të Iranit, duket se po kërkojnë një kundërpërgjigje me faza më të kujdesshme. Regjimi i kujdesshëm i presidentit të tij të sapozgjedhur Masoud Pezeshkian, tregon frikën se një përshkallëzim i konfliktit mund të çojë në një sulm ndaj qendrës së kërkimit bërthamor të Iranit.

Rreziku shihet sidomos me ardhjen e mundshme të një administrate të dytë Trump në SHBA, të kombinuar me agresivitetin e qeverisë së Netanyahut. Javën e kaluar, avionët e Izraelit praktikuan furnizimin me karburant në ajër, një manovër thelbësore për një sulm të madh ajror ndaj Iranit.

Llogaritjet që po bën aktualisht Irani, me një sy nga zgjedhjet presidenciale SHBA-së, mund ta nxisin ta shfrytëzojë në aspektin propagandistik atë që e sheh si një valë globale simpatie për kauzën palestineze, në vend se të bëjë thirrje për veprim. Më mirë një Hezbollah i paprekur që mbron interesat e tij në rajon butë, sesa një Hezbollah të dërrmuar nga lufta me Izraelin.

Irani e do Hezbollahun si një instrument të besueshëm presioni ndaj Izraelit, dhe jo si shkaktarin e një luftë të gjerë. Mungesa e përgjigjes ndaj dy vrasjeve të profilit të lartë, bart rreziqe të tjera për Teheranin, por ato kanë të bëjnë kryesisht me imazhin dhe jo rreziqet ushtarake.

Nëse i ka mbetur ndonjë autoritet mbi përfaqësuesit e tij, Irani duhet që t’i pengojë të veprojnë. Ai duhet ta kuptojë se fuqia e tij qëndron tek vetëpërmbajtja. Por shmangia e luftës, e ka një kosto tjetër që duhet paguar nga Perëndimi. Rruga e Iranit drejt një arsenali të kufizuar bërthamor mund të bëhet më e lehtë, dhe në fund ta thellojë krizën.

Boshllëku i krijuar në Gaza nga një Hamas i gjymtuar nga lufta, mund të mbushet jo nga demokratë por nga grupe të tjera terroriste edhe më afër Iranit. Në këtë krizë të madhe, nuk ka asgjë të qartë e të sigurt. Ndaj këshilla ime është:mbështetuni tek rezervat tuaja në shufra ari./Përshtati Pamfleti nga “The Sunday Times”

 

irani izraeli

Lini një Përgjigje