
Të pandehurit përfitojnë nga publiciteti i shtuar, dhe nga dyshimi i natyrshëm i votuesve, se qeveritë mund të përpiqen të abuzojnë me pushtetin e tyre.
Ndërsa vëmendja e Amerikës po kthehet tek zgjedhjet presidenciale të nëntorit midis Kamala Harris dhe Donald Trump, janë thuajse harruar proceset gjyqësore ndaj ish-presidentit. Por demokratët shpresojnë se roli i mëparshëm i Harris si prokurore, mund t’i ndihmojë për të bindur disa votues të rëndësishëm që të heqin dorë nga një njeri i inkriminuar, dhe të mbështetin një njeri që vjen nga bota e drejtësisë.
A do të funksionojë kjo skemë? Apo tentativa e dështuar e vrasjes ndaj Trump, i ka mitizuar ndjekjet penale si Stacionet e dikurshme të Kryqit të Jezu Krishtit në rrugën drejt gati martirizimit të tij? Deri më sot, ndjekjet penale nuk kanë arritur që ta dëmtojnë fushatën e Trump.
Dosja mbi keqpërdorimin e dokumenteve sekrete, e paraqitur në gjykatë më 8 qershor 2023, nga Prokurori i Posaçëm Jack Smith, u bllokua ndërsa kryetarja e trupit gjykues, Aileen Cannon, e cila e mbajti seancën dëgjimore më vonesë, përpara se ta pushonte përfundimisht çështjen, me arsyetimin se veprimet e Smith ishte antikushtetues.
Po ashtu, padia mbi ndërhyrjen në zgjedhje, e ngritur gjithashtu nga Smith, mund të quhet e rrëzuar për shkak të vendimit të Gjykatës së Lartë, se Trump gëzon imunitet për disa nga veprimet e listuara në aktakuzë. Dhe çështja e ndërhyrjes në zgjedhje në Georgia u ndërpre kur gjykata mësoi se prokurorja, Fani Ëillis, ishte përfshirë në një marrëdhënie romantike me një nga vartësit të saj.
Tani kjo çështje ka mbetur pezull, teksa Gjykata e Apelit në Georgia po shqyrton nëse ajo duhet të mbyllet apo jo. E vetmja ndjekje penale e suksesshme deri më tani ishte padia për mashtrim e Prokurorit të Qarkut të Nju Jorkut, Alvin Bragg, që solli dënimin e Trump për falsifikimin e të dhënave të biznesit të tij, me synimin e fshehjes së pagesës për të mos folur për një aktore filmash pornografikë.
Ironikisht, ishte çështja më e dobët nga të 4 rastet, dhe me më pak gjasa që të përfundonte me një vendim me burg ose ndonjë dënim tjetër të rëndë. Gjithsesi, vendimi nuk pati asnjë ndikim në ecurinë e Trump në sondazhe. Përkundrazi, çoi në një mori donacionesh për fushatën e Trump nga votuesit që ishin të indinjuar me atë që e shihnin si një ndjekje penale politike.
Së fundi, ishte edhe përpjekja e dështuar për të mbajtur Trump jashtë fletës së votimit, bazuar në klauzolën e kryengritjes ndaj Kushtetutës. Një argument i hedhur poshtë nga të nëntë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë. E gjitha kjo u ka dhënë republikanëve argumentin e fuqishëm politik, se kundërshtarët e Trump kanë abuzuar me sistemin ligjorpër ta dëmtuar imazhin e tij, sepse nuk mund ta mposhtin dot në mënyrë të ndershme në zgjedhjet e ardhshme.
Sigurisht, realiteti është më i ndërlikuar sesa kaq. Trump iu lut Smith që të mbyllte çështjen e dokumenteve konfidenciale, që refuzoi t’i dorëzonte kur iu kërkuan. Kaosi i 6 janarit 2021, ka çuar në qindra ndjekje penale legjitime të protestuesve të dhunshëm, dhe sigurisht që Trump mund të mbahet moralisht përgjegjës për vdekjet dhe plagosjet që ndodhën atë ditë, pavarësisht nëse e ka shkelur apo jo ligjin.
Mbi të gjitha, Smith ishte i pafat në tërheqjen e gjyqtares Cannon nga kjo çështje, akt që në rastin më të mirë mund të përshkruhet si tepër i kujdesshëm, dhe në rastin më të keq një akt i njëanshëm dhe në favor të Trump, i cili e emëroi atë. Është ende e mundur që Trump të përfundojë në burg.
Nëse ai humbet zgjedhjet, procedimet në 3 rastet e mbetura do të vazhdojnë. Por ndjekjet penale duket se i kanë përmirësuar perspektivat e tij në këto zgjedhjet, dhe nëse ai mund Kamala Harrisin, ato me siguri do të ndërpriten ose pezullohen për shkak të vështirësive të ndjekjes penale të një presidenti në detyrë.
Pjesa më e madhe e kësaj, mund të ishte parashikuar. Megjithatë, kjo situatë ka ende disa leksione për të na mësuar. Shqetësimi standard mbi ndjekjet penale të zyrtarëve politikë, është se ato mund të nxisin një raund të pafund ndjekjesh penale për qëllime hakmarrëse. Vetë Trump ka thënë se ai do të ndjekë penalisht demokratët si hakmarrje për ndjekjet e tyre ndaj tij. Dhe mund të imagjinohet lehtësisht, se presidentët e ardhshëm demokratë, do të hakmerren kundër Trumpit, ndihmësve të tij dhe republikanëve të tjerë.
Kjo lloj hakmarrjeje, e cila mund të përhapet në disa shtete, do ta tensionojë më tej politikën e SHBA-së dhe potencialisht do t’i nxisë presidentët dhe zyrtarët e tjerë qeveritarë të planifikojnë të qëndrojnë me të gjithë mjetet në pushtet, në vend se të rrezikojnë të ndiqen penalisht nëse largohen vullnetarisht pas humbjes së zgjedhjeve.
Dhe nëse ndodh kështu, do të ishte fundi i demokracisë amerikane. Sipas kësaj teorie, demokracia kushtetuese ka mbijetuar, pikërisht sepse klasa politike i ka rezistuar tundimit për të nisur gjyqet politike. Thuhet se kjo normë u vendos 200 vjet më parë, kur ndjekjet penale të kundërshtarëve të ndryshëm politikë, hasën në kundërshtime nga gjykatat dhe opinioni popullor, pjesërisht falë kujtimeve ende të freskëta të sundimit britanik.
Natyrisht, problemi me këtë pikëpamje, është se Trump e shkeli normën kundër ndjekjes politike shumë kohë përpara se demokratët t’i afroheshin kësaj qasje. Në vitin 2016, ai premtoi të padiste penalisht Hillary Clinton; dhe që atëherë - si president dhe ish-president, dhe para dhe pas aktakuzave të tij - ai ka kërcënuar se do të urdhërojë ndjekjen penale të një sërë kundërshtarësh politikë, dhe madje edhe përkrahësve të tij të dikurshëm, që ai beson se e kanë tradhtuar.
Raundi aktual i ndjekjeve penale të Trump dhe i ndihmësve të tij, mund të shihet si një rezultat i pashmangshëm i një gjuetie të nisur nga vetë Trump. Por ka një mënyrë tjetër më të mirë për t’i parë të gjitha këto.
Paditë ndaj Trump, tregojnë se gjyqet ndaj kundërshtarëve politikë, janë jashtëzakonisht të rrezikshme në një vend demokratik, sepse të pandehurit mund të akuzojnë gjithmonë prokurorët për abuzim me sistemin ligjor për arsyet e tyre politike.
Të pandehurit përfitojnë nga publiciteti i shtuar, dhe nga dyshimi i natyrshëm i votuesve, se qeveritë mund të përpiqen të abuzojnë me pushtetin e tyre. Të gjitha këto e bëjnë të pamundur për gjykatat të shpërfillin gabimet e vogla të bëra nga prokuroria.
Ndoshta aventurat romantike të Ëillis nuk do të ishin bërë problem, nëse ajo do të kishte ndjekur penalisht dikë tjetër përveç Trump. Po kështu, ritmi i ngadaltë i procedimeve në të gjitha rastet, është rezultat i kujdesit të arsyeshëm të treguar nga gjyqtarët që janë përgjegjës për ruajtjen e besimit të publikut në sistemin gjyqësor.
Ata po përballen me çështje delikate dhe të paprecedentë, se si duhet trajtuar një i pandehur që kandidon për president. Nëse Trump zgjidhet kryetar shteti, ai me siguri që nuk do të mbajë premtimin e tij për të urdhëruar ndjekjen penale të gjysmës së lidershipit demokrat por edhe të disa republikanëve që i kanë dalë kundër.
Por edhe nëse e bën, rastet do t’i kthehen kundër tij. Në rast se ka ndonjë mësim nga gjyqet e Trump, është se ndjekjet politike në një vend demokratik, kanë më shumë gjasa të dëmtojnë ata që janë në pushtet sesa kundërshtarët e tyre./Përshtati "Pamfleti" nga “Project Syndicate”
*Shënim:Eric Posner, profesor në Shkollën Juridike të Universitetit të Çikagos, SHBA.
Lini një Përgjigje