Një ditë dikush do të shkruajë historinë e aksionit diplomatik në krizën që lindi pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, duke rrëfyer lojërat e dyfishta dhe makinacionet, pikërisht në një kohë kur masakroheshin civilët e pafajshëm.

Mund të duket e çuditshme që të interesohesh për diplomacinë, në një kohë që lufta vazhdon të përshkallëzohet. Në Liban, ashtu si në Rripin e Gazës, nuk po zbehet intensiteti i bombardimeve, në një kohë që Irani pret nga momenti në moment një sulm të ushtrisë izraelite, në kundërpërgjigje të sulmit të tij raketor që e ndërmori disa ditë më parë.
Megjithatë është fakt që diplomacia nuk ndalet as gjatë luftimeve, edhe nëse ajo bie ndesh me logjikën e luftës, e cila është më e vështirë të ndalet kur njëra prej palëve ndërluftuese nuk dëshiron absolutisht që të ulë armët e saj. Tani për tani, në tryezë janë 2 propozime për një armëpushim, që pritet të pranohen nga palët ndërluftuese.
E para, e negociuar prej muajsh, ka të bëjë me Rripin e Gazës, dhe parashikon lirimin e pengjeve izraelit që mbahen ende nga Hamasi, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë, si dhe lejimit të ndihmës humanitare për 2 milionë palestinezët që jetojnë në territorin e shkatërruar nga një vit luftë e përgjakshme.
Sa herë që duket se do të firmoset dhe nisë të zbatohet, negociatat ndërpriten për shkak të mungesës së presionit të duhur ndaj palëve. Kësisoj po zvogëlohet ndjeshëm perspektiva e dhënies fund të luftimeve. Propozimi i dytë është më i afërt në kohë, dhe parashikon arritjen e një armëpushimi në Liban.
Në këtë rast dështimi vjen nga tensionet që gëlojnë midis vetë aleatëve. Kur presidenti francez Emmanuel Macron, u kërkoi të vendosin embargo vendeve që dërgojnë aktualisht armë në Izrael, ai po i drejtohej kryesisht Shteteve të Bashkuara.
Natyrisht, ai që reagoi në një mënyrë aspak elegante dhe diplomatike ishte kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili e sulmoi ashpër presidentin francez. Por është e qartë se deklarata dhe apeli i Macron buron nga dështimi i negociatave për një armëpushim në Liban.
Nisma në fjalë ishte e diplomacisë amerikane. Franca e kishte mbështetur sepse në dallim nga Shtetet e Bashkuara, ka (apo kishte) një kanal të hapur komunikimi me Hezbollahun në Bejrut. Teksti franko-amerikan i projekt-marrëveshjes, mori pëlqimin si të izraelitëve ashtu edhe të grupimit militant libanez.
Megjithatë, pak para se të shpallej publikisht, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mbajti fjalimin e tij të zjarrtë në sallën qendrore të Kombeve të Bashkuara gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme. Ai u pasua nga bombardimi i rëndë i Bejrutit, që solli edhe vdekjen më 27 shtator të udhëheqësit të Hezbollahut, Hassan Nasrallah.
Franca nuk e vlerësoi faktin që Uashingtoni e komplimentoi Izraelin, pa marrë parasysh pasojat diplomatike të këtij gjesti. Diplomacia nuk ka sukses prej një viti. Edhe nëse kanë qenë të shumta udhëtimet në rajon të Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken apo të kreut të CIA-s William Burns, rezultatet nuk duken gjëkundi.
Kritika shumë e vonuar e presidentit francez, mbi mungesën e koherencës midis thirrjeve për armëpushim dhe shitjes së armëve, nuk do ta ndryshojnë situatën aktuale. Sidomos duke pasur parasysh që zgjedhjet presidenciale në SHBA do të mbahen në më pak se një muaj.
Çështja e Lindjes së Mesme mund të luajë një rol të rëndësishëm, duke pasur në konsideratë faktin se të gjitha sondazhet tregojnë se do të jetë një garë shumë e ngushtë. Sot paradoksi është se në vend të ndalë armiqësitë, diplomacia amerikane po merret me parandalimin e Izraelit që të ndërmarrë aktet më të rrezikshme ndaj Iranit: bombardimin e bazave të programit të tij bërthamor dhe industrisë së naftës.
Uashingtoni po ia lë fushën të hapur Netanyahut, duke u kufizuar vetë në parandalimin e përhapjes së konfliktit. Një ditë dikush do të shkruajë historinë e aksionit diplomatik në krizën që lindi pas sulmit të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, duke rrëfyer lojërat e dyfishta dhe makinacionet, pikërisht në një kohë kur masakroheshin civilët e pafajshëm. Dhe është e sigurt se asnjë nga aktorët nuk do të paraqitet mirë në atë përshkrim./Përshtati Pamfleti nga “Internazionale”
Lini një Përgjigje