
Sipas analistëve serbë të cituar nga “Danas”, Vuçiç me takimin e së shtunë po vulos krisjen me Moskën. Rusia nuk e donte planin franko-gjerman dhe fakti që ai e pranoi është një hap tregues se po i kthen shpinën Putinit...
Marrëveshja e së shtunës në Ohër mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç nuk u prit fare mirë në Beograd. Opozita sulmoi fort presidentin Vuçiç, ndërkohë duket se nuk kanë mbetur të kënaqur as aleatët e tij në qeveri.
Ndonëse BE e bëri të qartë se pakti do të zbatohet i gjithi, Ministri i Jashtëm Ivica Daçiç ka përmendur sot vijat e kuqe, duke dalë disi kundër presidentit. Daçiç njihet si njeriu më pro rus në Serbi.
Ai ka thënë se Serbia do të ruajë vijat e saj të kuqe dhe nuk do të negociojë interesat e saj shtetërore.
“Vijat tona të kuqe, me të cilat nuk pajtohemi përfshijnë njohjen reciproke: jo njohje e Kosovës dhe as anëtarësim i Kosovës në Kombet e Bashkuara”, tha ai.
Ndërkohë sipas analistëve serbë të cituar nga “Danas”, Vuçiç me takimin e së shtunës po vulos krisjen me Moskën. Rusia nuk e donte planin franko-gjerman dhe fakti që ai e pranoi është një hap tregues se po i kthen shpinën Putinit.
“Duke qenë se BE dhe SHBA mbështesin fuqimisht procesin e normalizimit të marrëdhënieve, aftësia e Rusisë për të manovruar dhe shtuar përpjekjet për destabilizimi është reduktuar ndjeshëm”, tha Suzana Grubjeshiç.
Por Dragomir Angjelkoviçit shprehet se tani sprova e Vuçiçit do jetë fundi i vitit, pasi BE do të kërkojë sanksione ndaj Rusisë.
“Vuçiç e di se mund t'i mashtrojë votuesit për Kosovën dhe të pretendojë se nuk e njeh de jure. Por me Rusinë nuk mund të shihen gjërat bardh e zi. Edhe paketa më e vogël e sanksioneve mbeten sanksione”, tha ai.
Sipas tij, nuk është çudi që të ketë një marrëveshje të fshehtë me SHBA që çështja e Kosovës të zgjidhet para se të marrë fund konflikti në Ukrainë. Sipas serbëve nuk do të jetë e largët dita e krisjes së madhe mes Putin dhe Vuçiç.
Lini një Përgjigje