
Ministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Dmytro Kuleba, ka bërë të ditur se Ukraina dhe vendet e tjera po zhvillojnë bisedime për t’i vazhduar eksportet e grurit pa Rusinë.
Gjatë një konference për media në selinë e Kombeve të Bashkuara (OKB), Kuleba tha se është i nevojshëm “vullneti politik” për të siguruar furnizimin e tregjeve globale me grurë ukrainas.
“Dhe nëse Rusia tërhiqet nga iniciativa, atëherë Ukraina, Turqia dhe OKB-ja ose ndonjë vend apo shtet tjetër i botës mund të dalin me iniciativën e tyre ose të vazhdojnë brenda kornizës ekzistuese ose të krijojnë një model të ri dërgesash. Duhet të rrezikojmë. Ne duhet të tregojmë se mund të vazhdojmë pa Rusinë”, tha Kuleba duke theksuar se situata aktuale nuk mund të qëndroj.
Ai theksoi se tani ka “diskutime shumë aktive” për të gjetur një alternativë ndaj marrëveshjes dhe se çështja po shqyrtohet në kryeqytete të ndryshme dhe në selinë e OKB-së.
Marrëveshja, e nënshkruar fillimisht në korrik të vitit të kaluar në Stamboll nga Turqia, Kombet e Bashkuara (OKB), Rusia dhe Ukraina, kishte për qëllim fillimin e eksporteve të drithërave nga portet ukrainase, të cilat ishin ndaluar si rezultat i luftës ruso-ukrainase që filloi në shkurt të vitit 2022.
Lini një Përgjigje